Kapitulli njezet e tre

634 82 113
                                    

Takimi me miqtë e saj të vjetër sikur bëri që Zhaklina të përhumbej disi, të shkëputej herë pas here nga realiteti për të sjellë ndër mend kujtimet e së shkuares, që ishin pjesë e pandashme e saj. Edhe pse rrekej të shpërqendrohej duke u fokusuar kryesisht tek Ejdeni dhe gjithë marrëzirat që mund të bënin së bashku gjatë një nate në Miami, ekzistonte dicka brenda saj që nuk e linte të prehej qetësisht e të shijonte momentet e vogla si këto. E dinte se në atë qytet s'kishte për t'u cliruar kurrë prej problemeve të dikurshme. Në një mënyrë ose në një tjetër, nëpërmjet djemve pa të ardhme si Xhini dhe vëllezërve të tyre që ende e kalonin jetën pas hekurave të burgut, atje ku ndoshta duhej të ishte edhe ajo, e shkuara rishfaqej dhunshëm e dhimbshëm. Ja pse kishte vendosur dy vjet më parë që të zhdukej prej atij vendi e ta degdiste veten diku larg, larg familjes që i zinte frymën me kujdesin e tepërt, larg babait që e ndiqte në cdo hap, i trembur se mos ajo rikthehej në rrugën e vjetër, larg grupit dhe lagjeve të errëta.

Gabimi më i madh ishte rikthimi. Rikthimet zakonisht kategorizohen në dy lloje: ato të lumturat, që me zor priten, në të cilat familja dhe miqtë vijnë në aeroport për të të takuar ose ato të papëlqyeshmet, të cilat i ndërmerr pa dëshirën tënde, por nga nevoja. Familja e saj nuk erdhi ta mirëpriste në aeroport, jo se nuk do ta bënin, por sepse ajo s'kishte ndër mend t'iu thoshte që ishte kthyer. Për sa iu përket miqve, ajo s'kishte të tjerë vec grupit, por ajo s'donte që ata të vinin në rrezik jetën e tyre vetëm që të takoheshin plubikisht me të. Po, rreziku ishte real, sepse shumë vjet më parë, atëherë kur grupi kishte patur përmasa disa herë më të mëdha se ato të tanishmet, një pjesë e mirë e anëtarëve, pasi ndodhi incidenti me Zhaklinën dhe të atin që denoncoi disa prej tyre në polici, miqtë e të denoncuarëve dhe familjarët e tyre, të shtyrë nga urrejtja dhe frika, e lanë grupin, për të formuar rivalin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, kur ndesheshin me njëri-tjetrin, gjë që të dy grupet përpiqeshin ta evitonin forcërisht, shpërthenin sherre e shkëmbime të përgjakshme zjarri.

Zhaklina fajësonte veten. Ishte treguar e paaftë për të mos u zbuluar nga i ati, e paaftë për të mbrojtur shokët dhe shoqet e saj, e paaftë për të luftuar, por e aftë si dreqi për t'ia mbathur. Fajësonte veten nen akuzën se kishte qenë e dobët, lehtësisht e kontrollueshme nga babai. Dhe tani, me nje nevrasteni të pazakontë e stresuese, kafshonte buzën pa ditur c'të bënte.

Ejdeni flinte paqësisht pranë saj, me fytyrën të mbështetur në jastëk dhe barkun në shtrat, i rrethuar nga mbulesat e crregullta dhe jastëkët zbukurues të flakur sa andej-këndej. Edhe teksa "bënin dashuri", sic kishte ai aq qejf të thoshte, edhe pse asaj i tingëllonte si dicka që gjyshërit e tij me shumë mundësi e thoshin dikur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai e kishte ndjerë se ajo nuk ishte aq e përfshirë si zakonisht, megjithëse u hoq se nuk kuptoi gjë, madje ia hodhi fajin edhe lodhjes së udhëtimit të gjatë. Posi, udhëtimi, të cilin ajo e shpenzoi duke fjetur, mirëpo pas të cilit as që nuk i shkonte ndër mend të flinte.

Ja pse tani, qëndronte e mbështetur pas kokës së drunjtë të shtratit, me sytë që i bridhnin jashtë dritares së madhe të dhomës së hotelit. Ora duhej të ishte tre ose katër e mëngjesit dhe ndërkohë që për familjarët ishte ora e gjumit më të ëmbël, për të rinjtë e atij qyteti, jeta e natës arrinte kulmin. E dinte mirë këtë. Dikur, edhe ajo kishte qenë pjesë e atyre të rinjve. Edhe tani ndoshta ishte, por jo më aq e marrë dhe e pakontrollueshme sa atëherë.

Ktheu vështrimin e butë nga Ejdeni. Nuk i bëri ballë tundimit për t'i prekur shpinën. Ajo ishte ende e lëmuar dhe e paprekur nga plagët, ndryshe nga kraharori i tij. Iu afrua ngadalë dhe i puthi qendrën e shtyllës kurrizore. Po ta kishte patur mundësinë muaj më parë, ta shihte veten duke e bërë një veprim të tillë me ndonjërin prej meshkujve që kishte fjetur, s'do ta kishte besuar. Kurse tani, veprime të tilla i dukeshin më se të zakonta.

PARADISE ShqipOù les histoires vivent. Découvrez maintenant