Me duart ende të fiksuara fort pas sediljes së helikopterit të vogël, Zhaklina nuk pranonte t'i hidhte ende sytë jashtë dritares, edhe pse sapo ishte njoftuar prej pilotit që zbritja ishte vecse një cështje minutash. Që fëmijë kishte ushqyer një fobi të pashpjegueshme ndaj lartësive, të cilat, për të, përbënin armikun më të rrezikshëm. Fluturimet, meqenëse realizohen dhjetra kilometra lart sipërfaqes së tokës mbeteshin po aq të frikshme. Herën e fundit kur kishte udhëtuar në një avion, nuk e kishte dhënë veten, sepse kishte qenë bashkë me Ejdenin dhe gjysmën e udhëtimit e kishte kaluar në gjum. Prania e tij kishte shërbyer si një qetësues për nervat e saj tejet të ndjeshme ndaj shkëputjes nga toka dhe i kishte dhënë mundësinë e fluturimit më të rehatshëm e më pak të tmerrshëm që kishte përjetuar ndonjëherë.
Këtë herë, ishte krejt e kundërta. Ishte vetëm, në një kontinent të panjohur, e rrethuar nga nejrëz të panjohur, më e ekspozuar se kurrë ndaj rrezikut që mbartte e papritura në shpinën e saj të madhe. Sic duhet t'ju a ketë marrë mendja, ndodhej në Afganistan, mijëra milje larg shtëpisë e Australisë, verës e oqeanit, Melburnit apo Sidneit, Adamit e familjes së tij. Por largësia nga ta nënkuptonte edhe qëllimin e saj - afërsinë me Ejdenin. Kishte bërë cmos për të arritur aty ku ishte sot. Kishte përdorur cdo lidhje e kontakt të mundshëm që babai dhe miqtë e saj të vjetër i kishin siguruar dhe si një milingonë e palodhur, kishte punuar, udhëtuar e kërkuar për muaj të tërë vetëm e vetëm që të gjente ushtarin e saj.
Në fillim, askush nuk pranoi ta ndihmonte. E gënjenin duke i thënë se s'kishin asgjë në dorë, se informatat që ajo kërkonte s'kishin për t'i rënë në dorë as për plot 100 vjet, sepse askush nuk do ta lejonte një pamencuri të tillë. Mirëpo asaj nuk i interesonin fjalët e kota, që vec kërkon ta dekurajonin e ta mbanin larg ushtarit të saj. Ajo ishte e sigurt në atë cka kërkonte dhe tejet e vendosur në pikësynimin e saj. S'kishte njeri, jo vetëm në Australi apo Amerikë, por në botë, që do të mund ta pengonte.
E dinte që ishte e cmendur, e dinte që kështu vinte në fije të perit, jo vetëm jetën dhe mirëqenien e saj e të Ejdenit, por edhe karrierën e tij prej ushtari, e cila, përbënte shqetësimin e saj të fundit e më të vogël mes oqeanit të problemeve që i kish hapur vetes. Të kërkonte një kapiten të Regjimentit Mbretëror Australian në mes të Afganistanit ishte si të kërkonte gjilpërën në kashtë, por nëse do t'i nevojitej, ajo do të kontrollonte cdo fije kashte të flakur në gjithë cepat e Afganistanit për ta kthyer Ejden Andersonin në shtëpi.
Familjes së tij nuk i kishte thënë asgjë. Përpos ndërgjegjies, që e brente përbrenda si molë, u detyrua t'i mbushte me gënjeshtra, pa dashur t'i shqetësonte. Pas asaj që përjetuan me të parë trupin e pajetë të Xhorxhit, frika konstante e përzier me tmerr dhe ankth i shoqëronte ata kudo ku shkonin. Xhorxhia, kërkoi të mësonte të vërtetën. Parandjenja e saj prej nëne i thoshte që Ejdeni nuk ishte thjesht duke stërvitur ca rekrutë të rinj, por duke marrë pjesë në dicka shumë më të madhe se c'mundej ajo të imagjinonte. Nedit iu desh të shpikte gënjeshtra të reja e t'i thoshte se Xhorxhi kishte qenë në një mision tjetër, pa Ejdenin, por atëherë si e mori vesh ky i fundit për vdekjen e tij? Dhe si arriti ta dërgonte trupin e tij pikërisht tek Andersonët me qëllimin që Lusi mos ta merrte vesh për vdekjen e të shoqit deri pas lindjes së shëndetshme të fëmijës së tyre, nëse nuk ishin së bashku?
Ishte e vështirë të gënjeje një nënë, por ishte masakruese të gënjeje një familje të tërë - një nënë të shkatërruar, një baba të dëshpëruar dhe një vëlla të vogël e të trishtuar. Ja pse, u detyrua t'i rrallonte vizitat në vilën e tyre të këndshme e mikpritëse. S'donte të shpërqendrohej me gjëra të vogla, të pakrahasueshme me qëllimin e madh që donte të prekte.
Iu desh të takohej me eprorët e tij, me majorin dhe gjeneralët e tjerë në fshehtësi të plotë, duke iu lutur e përgjëruar që të mos i thoshin asgjë Ned Andersonit në lidhje me bisedat dhe planet e tyre. Si cdokush me mend në kokë, ata fillimisht, s'kishin pranuar kategorikisht. Por, kur kuptuan se me c'femër kokëngjeshur e të pamposhtur kishin të bënin, nisën të lëshonin pe dalëngadalë si ai njeriu që e kupton se fundi është pranë, dhe fillon të mësohet me idenë e humbjes. Pavarësisht gjithckaje, nuk ia bënë gjërat më të lehta. I kërkonin fletushka, shkresa e dokumente pa fund, si edhe një farë përgatitje fiziko-ushtarake, sepse nuk mund të shkonte në mes të luftës si cjapi te kasapi. Fatmirësisht, e shkuara e egër, e kishte shtyrë Zhaklinën të merrte një farë formimi fizik, që, për herë të parë në jetën e saj, i hyri në punë. Duke lëvizur disa fije në prapaskenat e teatrit të kukullave ushtarake, ajo ia doli të fitonte simpatinë dhe lejen e tyre për të bërë më tej.
YOU ARE READING
PARADISE Shqip
RomanceMes dallgeve te oqeanit, reres se nxehte dhe festave te oreve te vona, midis luftes e paqes, Australise, Afganistanit e Amerikes, dy te rinj dashurojne njeri-tjetrin. Ajo qe nis si nje lidhje e zakonshme verore duhet te perballet me veshtiresite e r...