Kapitulli i dyzete e nje

689 85 134
                                    

U desh një fjali e vetme e komunikuar nga Zyrat Qendrore të Sidneit që parajsa të humbiste formën e saj. Për një cast fluturak, të gjatë sa një mbyllje sysh, brenda mureve imagjinare mbrojtëse, të ngritura rreth asaj province të vogël, e kishin harruar luftën, e kishin harruar se c'bëhej jo shumë kilometra në lindje të tyre. Kishin menduar se paqja do të ishte përherë prezente, se sic u rindërtua nga fillimi jeta në atë qytezë, ashtu do të lulëzonte edhe më tej. Telefonata e majorit Turner nuk e pohonte apo besonte të njëjtën gjë.

I ashtuquajturi, Operacioni i dimrit do të ishte beteja kyce e forcave aleate në Afganistan. Të gjithë së bashku, amerikanë, anglezë, australianë e afganë, të organizuar brenda harkut kohor të dy javëve, do të godisnin bazën e kryengritësve talebanë në Derapet. Ejdeni kishte këmbëngulur që më të rinjtë të mos merrnin pjesë, sepse nuk ishin ende gati dhe nuk do të donin të përballeshin me shifra marramendëse viktimash në fund asaj beteje. Askush nuk ia kishte vënë veshin.

-Na duhen sa më shumë ushtarë të jetë e mundur. Brigada e tretë ka mungesë të theksuarë në artilerinë e rëndë, - i kishte thënë Kabiri.

-Dhe ke ndër mend të cosh një tufë fëmijësh, që me zor arrijnë të mbajnë pushkën në dorë, në artilerinë e rëndë? Të ka lënë mendja?

-Përderisa nuk luftojnë dot ballë për ballë me armikun, të paktën të na mbështesin nga larg. Do të jetë më e lehtë, si për ata, edhe për ne. Do të jenë një ndihmë e mirë.

-Ata nuk shënjestrojnë mirë një shishe qelqi të vendosur 10 metra larg tyre dhe t'i pret të gjuajnë talebanët në një largësi prej 200 metrash?

-Është e kotë të debatojmë kapiten, - kishte mbledhur me indiferencë shpatullat Kabiri, gjithcka është vendosur.

Ejdeni e kishte vështruar shtrembër dhe armiqësisht. Të humbiste djemtë e tij, që me aq vështirësi kishte arritur t'i stërviste gjatë muajve të fundit, do të ishte një dështim total për të. Afganët ishin mësuar me luftën dhe humbjen që prej 10 vjetësh, nuk iu bënte më asgjë përshtypje? Cfarë ishte për ta një jetë më pak apo më shumë? E kishin harruar se c'ishte mëshira apo keqardhja? Qindra pyetje të ngjashme si këto shpërthenin në ndërgjegjien e tij të pastër, të papërlyer nga mëkatet e fushës së betejës, mëkate të cilat nuk ia bënte zemra t'i njihte, sepse, sipas tij, loja më e pistë mund të luhej me shpirtin njerëzor në arenën e luftës.

Beteja e tij e vërtetë nuk ishte me talebanët, as me udhëheqësit si puna e Kabirit që s'donin t'ia dinin për bijtë e tokës së tyre. Beteja e tij ishte kundër të shoqes.

-Të përgjërohem mos shko, - i lutej ajo pothuajse cdo natë. Buzët e saj i luteshin të mos shkonte, sytë e saj i luteshin, zemra e saj revoltohej në kraharor.

-Ti e di që duhet të shkoj.

E shtrëngonte pas vetes dhe mendonte: A është e mundur ta mbaj kështu, të përqafuar në krahët e mi edhe në mes të betejës?

-C'ndryshim do të përbënte mungesa jote? Ata kanë plot kapitenë të tjerë atje...

Fjalët e saj priteshin në mes. Ajo kërkonte të thoshte dicka më shumë, donte të thoshte se kapitenët e tjerë ishin po aq të zotë sa ai, se kishte shumë burra të tjera si ai, por nuk donte të gënjente. Dhe ai e kuptonte atë dhe hezitimin e saj.

-Sa më shumë të jemi, aq më mirë është. Ushtarët nuk janë kurrë mjaftueshëm, - foli me melankoli.

-Nuk dua të shkosh, ma thotë zemra të mos shkosh.

-Detyra duhet cuar deri në fund, apo jo Xheki?

-Detyra, jo jeta jote, dhe imja bashkë me të!

PARADISE ShqipWhere stories live. Discover now