Disa zënka ndodhin midis maceve, qenve dhe të dashuruarve. -Anonymous
-Faleminderit Adnan. E vlerësoj vërtet që më ndihmove për martesën dhe gjetjen e shtëpisë, - i rrahu shpatullat me mirënjohje ushtarit dhe mikut të tij, që tani, si rrallëherë, po i falte një buzëqeshje miqësore.
Ai doli nga tenda pa fjalë të mëtejshme. Urdhrat ishin dhënë, do të merrej me rekrutimin e ushtarve të rinj. Ejdeni druhej se pas asaj që kishin parë në Kandahar, burrat e atyshëm s'do ta merrnin sërish guximin për të rijetuar të njëjtat horrore e makthe. Megjithatë, mbeteshin djemtë e rinj, të cilët, megjithëse Ejdeni s'donte t'i largonte nga nënat aq herët, ngeleshin burimi më i mirë i mundshëm i ushtarve.
Paralelisht me stërvitjen e të saporegjistruarve në radhët e ushtrisë, Ejdeni i kishte kërkuar majorit Turner edhe disa ndihma të vogla që do të shërbenin për rimëkëmbjen totale të qytezës. Në ankth priste përgjigjen e këtij të fundit. Për më tepër, do të duheshin javë të tëra që letra të udhëtonte nga njëri kontinent në tjetrin dhe kjo e shqetësonte.
Iu desh të dilte nga tenda që të diskutonte me disa ish-ushtarë në lidhje me tërheqjen e tyre nga shërbimi ushtarak afgan dhe të konfirmonte vendimin e tyre. Disa ishin të gatshëm të luftonin edhe një herë të fundit për hir të idealeve të shenjta e të një populli të lirë. Kurse të tjerët s'dukeshin njëlloj të gatshëm dhe ai e kuptonte mirë pse.
Duke kërkuar të mësonte pse magazina e fundit e ushqimeve me të cilën kishin pajisur shtëpinë ku tashmë ishin vendosur fëmijët dhe adoleshentët jetimë ishte boshatisur brenda tri ditësh, i zuri syri Aliun që seç bisedonte me Zhaklinën. Po ajo ç'kërkonte që në mëngjës në mes të të ashtuquajturës "bazë" ushtarake? Ishte mësuar ta linte pothuajse përherë në gjumë kur vet zgjohej për të nisur rutinën e tij. Kurse sot, ajo kishte devijuar nga përditshmëria.
Për këtë apo atë arsye iu afrua atyre të dyve. S'donte ta linte Zhaklinën qoftë edhe në një moment të shkurtër sa një pulitje qepallash në praninë e atij. Ai as nuk duhej të merrte frymë pranë saj, jo më të fliste me këmbë e me duar me të.
-Më vjen keq Zhaklinë. Të kërkoj sinqerisht të më falësh. Ti e di si jemi ne ushtarët kur s'kemi pranë gratë që të na qetësojnë. Fillojmë e bëjmë veprime që në një tjetër vend a në një tjetër kohë as nuk do t'i shkonim ndër mend.
Dëgjoi gjithë sy e veshë fjalët që dilnin të buta si mjaltë nga goja e Aliut. Kush ishte ky njeri përballë gruas së tij, me fytyrën e dashur, sytë kërkues të një faljeje hyjnore, të cilën ai e dinte se s'do t'i vinte kurrë.
-Në rregull mor mik, në rregull, je i falur. Mjafton me kaq se më preke me tërë atë fjalim, - i tha e qeshur ajo.
Ejdeni shqeu sytë nga habia. Gruaja e tij krenare, gruaja e tij feministe, gruaja e tij me egon femërore që shpesh i kapte majat e stratosferës, sapo kishte falur një burrë që jo më larg se dy javë më parë e kishte ngacmuar fizikisht e seksualisht. C'të priste tjetër tani? Shi në mes të shkretëtirës?
Gjaku i vloi si llavë e nxehtë nëpër trup. Inati që ndjente në cdo muskul të trupit i përngjante një demi të tërbuar dhe e kishte të pamundur ta mbante nën kontroll. Pa se si Aliu, me respektin dhe eduaktën e supozuar e të trashëguar nga babai gjysmë britanik, mori dorën e Zhaklinës dhe e puthi. Ajo qeshi me të madhe, sikur sapo të kishte parë e dëgjuar historinë më humoristike e më të këndshme të të gjitha kohrave.
-Nuk jam ndonjë fanse e zjarrtë e etikës aristokratike Ali, por ndihesh mirë kur kupton se jo të gjithë burrat do të të shajnë po të mos mbulohesh nga koka tek këmbët me rroba myslimane.
YOU ARE READING
PARADISE Shqip
RomanceMes dallgeve te oqeanit, reres se nxehte dhe festave te oreve te vona, midis luftes e paqes, Australise, Afganistanit e Amerikes, dy te rinj dashurojne njeri-tjetrin. Ajo qe nis si nje lidhje e zakonshme verore duhet te perballet me veshtiresite e r...