Kapitulli i tridhjete e tre

581 80 40
                                    

-Lëvizeni Aliun në tendën ngjitur me timen. Do të shkoj vet ta kontrolloj kur të kem kohë, - urdhëroi Adnanin, që i bindej lehtësisht për cdo gjë, qoftë ky një urdhër i ardhur nga lart apo edhe një dëshirë personale e tij.

-Si urdhëroni zotëri, - iu përgjigj ai me anglishten e tij të mirë, në të cilën ende dallohej qartë si kristali theksi i gjuhës lindore.

-Kujdesu për gratë dhe fëmijët. Me sa mora vesh, po afron një stuhi rëre. Nuk dua të humbasë ndonjëri prej tyre. Të qëndrojnë pranë njëri-tjetrin, të mbledhur dhe të mos lëvizin pa qenë nevoja, në rregull? - u kujtua t'i thoshte.

-Sigurisht.

Më vonë, Adnani e la vetëm, mes tymit të cigareve të pafundme që thithe njëra pas tjetrës dhe mendimeve të koklavitura, prezente në qenien e tij të paqetë. Prania e saj aty, pak metra larg tij, ia kishte coroditur planet dhe mendjen plotësisht. Ardhja e saj kishte qenë një bekim dhe mallkim njëherazi. Kur e la pas në Australi u pushtua nga siguria totale, sepse ajo do të jetonte normalisht, e paprekur nga rreziqet me të cilat ai ishte mësuar të përballej ditë për ditë. Kurse aty, ku rreziku ishte një mënyrë jetese dhe pushka ishte si kazma që shërbente për të punuar tokën ku do të varroseshin ata ose kundërshtarët e tyre, ajo ishte preja më e lehtë.

S'kishte pse ta mohonte se me ta parë në mes të errësirës, vetëm, të plagosur dhe me një burrë tjetër, e kishte humbur toruan. Dhe kur ai biri i bushtrës, Aliu, kishte guxuar ta prekte, zemërimi ia erri sytë. Pa e kuptuar se c'kishte bërë, e kishte goditur drejt e në duart e ndyra Aliun dhe nuk pendohej aspak, edhe pse ky i fundit ishte një nga burrat më të zotë që kishte. Kush kishte tope mjaftueshëm qoftë edhe për ta prekur atë, do të kishte tope mjaftueshëm edhe për t'i humbur brenda minutit ato.

Pastaj e kishte marrë në krahët e tij teksa sytë e saj mbylleshin nga goditja që kishte marrë në kokë, e kishte cuar në cadrën e tij dhe aty ishte kujdesur vet për mjekimin e saj. Nuk kishte lejuar askënd të hynte, e kishte ndërruar si të qe një fëmijë dhe ia kishte ndërruar fashat me dashurinë dhe durimin e një infermiereje. Fundja, jeta e kishte mësuar të bënte edhe rolin e mjekuesit herë pas here, sidomos atëherë kur ndonjëri nga djemtë apo shokët e batalionit të tij plagoseshin. Por mjekimi i saj kërkonte një sasi të ndryshme vullneti dhe vetkontrolli. I ishte dashur ta përmbante veten teksa e shihte pas aq shumë kohësh lakuriq, nën duart e tij, megjithatë ia kishte puthur nja dy herë barkun dhe ballin, edhe pse i kishte kushtuar shumë që të mos vazhdonte më tej.

Dhe të nesërmen, kishte ardhur pjesa e tij më pak e pëlqyer. E ndjente se do të grindej keqazi me të dhe parandjenja nuk e kishte gënjyer. Do të donte ta mbante në krahët e tij derisa ajo luftë e mallkuar të mbaronte, por një mendje i thoshte se luftrat s'do të mbaronin kurrë. Fundi i njërës nënkuptonte mundësinë e fillimit të një tjetre. Rrjedhimisht, ai s'do të qëndronte asnjëherë larg betejave, armëve dhe vdekjes.

Pavarësisht jetës që kishin së bashku, pavarësisht kujtimeve të ëmbla të verës që ende i lidhnin me njëri-tjetrin, kjo ishte lufta e tij, jo e saj. Asnjë arsye në botë, sado e fortë apo e padiskutueshme, s'kishte pse ta sillte atë në zemër të asaj kasaphane shumëvjecare njerëzore.

Tani, përpos gjithë jetëve të njerëzve të pafajshëm që mbante mbi shpinë, përmbi to, në krye të tyre, duhej të mbante e të kujdesesj për jetën e saj në vecanti, sepse pa të, s'kishte jetë. Sepse ishte ajo që ende e mbante gjallë, që i jepte dëshirën për të shkuar në atë luftë të mallkuar e për t'u kthyer prej saj.

PARADISE ShqipWhere stories live. Discover now