Gjithmonë e kam ditur se Albani është dashuri, por kurrë nuk ma merrte mendja që një këngë e tij, e një copëz çokollatë e zezë, të më nxirrte nga dëshpërimi që më kishte kapluar. Përfundimisht 'Lea' është ilaç shpirti.
Vajza të dashura, lotët tuaj nuk i meriton askush. Askush s'e meriton të vjedhë buzëqeshjen tuaj. Askush s'e meriton të jetojë jetën tuaj. Askush s'e meriton të flasë për ty.
Vajza të dashura! Jetoni! Jetoni dhe dërgoni çdo gjë në djall. Një jetë kemi dreqi e marrtë. Ta jetojmë dhe jo të marrim frymë. Të jetojmë pavarësisht mentalitetit që ndonjëherë bëhet tepër prangosës. Të jetojmë pavarësisht fjalëve që na përndjekin nga pas. Të jetojmë pavarësisht se mund të zhgënjejmë të tjerët.
Rëndësi ka që mos zhgënjeni veten.
Bëhuni egoiste për njëherë të vetme dhe jetoni ju për veten, mos lejoni të jetojnë të tjerët për ju.
Lerni për një çast çdo gjë që keni në dorë. Dilni jashtë nëpër oborrin e pafshirë, mbuluar nga gjethet e vjeshtës e kërceni për qejfin tuaj. Buzëqeshni me shpirt. Shkelni me këmbë çdo gjethe duke i copkavitur në mënyrë që të ushqeheni me atë tingullin melodioz të gjetheve kur shkelen.
Më pas uluni poshtë. Bëjini pis pantallonat e bardha a çdo ngjyrë tjetër që keni veshur. Merrni çokollatën që e keni fshehur në ndonjë qoshe të garderobës suaj e hajeni. Mbushni shpirtin me aromë çokollate e zemrën me ëmbëlsi.
Bërtisni me sa keni në kokë pa menduar për askënd. Le të mendojnë të tjerët se jeni e çmendur. Punë e madhe! Nëse kjo ju bën ju të ndiheni mirë, atëherë ç'rëndësi ka se ç'mendojnë të tjerët?
Dilni luani ndonjë lojë futboll me fëmijët e lagjes. E kur aty të kalojë dikush e t'u shohë shtrembër, thjesht nxirrini gishtin e mesit. Bëhuni kështu vetëm për një ditë, të paktën.
Mos u rregulloni. Dilni me pizhama e flokët mbledhur në ndonjë topuz të çrregullt. Punë e madhe se do ju tregojnë të tjerët me gisht apo do tallen e qeshin. Qeshuni në fytyrë dhe shpupuritini edhe njëherë flokët duke u treguar se sa të lumtur jeni.
Ose... Hapni garderobën e vishni fustanin më ekstravagant që do gjeni. Lyhuni e pispillosuni mirë. Zbukuroheni ashtu si ua ka qejfi, paçka se sido që të jeni jeni të bukura. DIlni e bëni qejf! Kërceni e argëtohuni. Punë e madhe se ç'thonë të tjerët. Bëhuni tapë e s'do mbani mend asgjë.
Vajza të dashura! Bëhuni një 'Lea'. E, të jesh 'Lea' do të thotë të jesh vetvetja. Të jesh vetvetja do të thotë të shijosh të tashmen duke bërë çfarë të të dojë shpirti pa u menduar dy herë.
Vajza të dashura! Shtypeni me këmbë atë mashkull që ju bën të qani. Tregojini çdo të thotë të jesh femër. Shtypeni me këmbë mentalitetin që ju ka vendosur pranga. Ju keni mjaftueshëm forcë sa për të thyer çdo prangë e lot.
Vajza të dashura! Jetoni!
YOU ARE READING
Luna de Novembre.
RandomCopëza ndjenjash shkëputura nga një pjesë e shpirtit tim...