Rose & Chocolate

101 18 3
                                    

Endej asaj rruge të zbrazët tashmë. Turma e njerzve ishte larguar e ajo kishte ecur me ngadalë qëllimisht. Donte të ishte vetëm. Të shijonte atë ditë të ngrohtë maji, por në fakt dita e dielli po shijonin pamjen që ajo vajzë falte.

Fytyrë e ëmbël veshur aq thjeshtë në të zeza sikur donte të thithte e të përpinte ajo rreze Dielli. Në dorë mbante një trëndafil të bardhë, kontrast me veshjen e saj, por pasqyrë e shpirtit borë të pastër. Ishte aq e brishtë, e çiltër, qëndronte larg çdo poteri, larg zhuritjes nga bataku, larg ngjyerjes nga llumi, ajo qëndronte aq e pastër si një kristal.

Nuhaste herë-herë trëndafilin që e mbante në dorën e majtë dhe mbyllte sytë duke e dërguar atë aromë drejt e në zemër, le të mbushej dhe zemra e saj me pak aromë jete, aromë gjallërie, aromë lirie.
Herë-herë kafshonte çokollatën e zezë që kishte në dorën tjetër dhe ashtu qetë-qetë ecte sikur të qe zhytur në një botë tjetër, larg këtij universi plaçkitës, ajo jetonte atje ku nuk vidheshin buzëqeshjet, lumturia, dashuria, ngrohtësia e  pafajësia.

 Ajo jetonte në botën e saj, krijuar nga ajo për të.

Papritur ndjeu një prekje të lehtë në shpinë dhe u hodh përpjetë nga frika.  U kthye menjëherë tashmë me vetullat e rrudhosura, aspak e lumtur që i prishën intimitetin me vetveten e saj. 

Pa atë fytyrë djaloshi që së fundmi po i shfaqej kudo dhe ngriti vetullën në formë pyetëse.

Guxoi dhe u afrua një hap më pranë saj djaloshi dhe ajo u habit me guximin e tij. Ndoshta ky guxim i mbajti dorën që mos ngjitej me fytyrën e tij, ose ndoshta diçka tjetër. Kushedi!

Me gishtin e madh fshiu cepin e buzës së saj që ishte përlyer nga një e zezë çokollate.

Ajo shtangu...E vetmja gjë që dëgjonte në ato momente ishte zemra e saj e marrosur. Përse rrihte kështu? Ç'budallaçkë.

-Një ëmbëlsirë nuk ka nevojë për ëmbëlsira të tjera mbi të.- i përshpëriti pranë veshit duke bërë që asaj mishi t'i rrëngjethej nga zëri i thellë e burrëror dëgjuar aq pranë, sikur t'i kish përshpëritur drejt e në shpirt.

U përpoq të dukej sikur s'i interesonte, sikur ai s'kishte ndikim mbi të, por si gjithmonë do dështonte, e tradhëtonte përskuqja e lehtë e faqeve, dridhja e duarve dhe e gjithë trupit dhe  kalimi i shpeshtë i flokëve pas veshit.

-Më qëndro larg.- arriti të nxjerrë këto fjalë nga goja, vetëm kur ai kishte bërë disa hapa larg saj, por fjalët e saj i tërhoqën vëmendje, sikur e ngacmuan.

U afrua përsëri e ajo provoi të dukej e fortë. Nuk lëvizi.

-E sigurt që do të të qëndroj larg?

-Ik!

-Ke frikë nga unë?

-Jo. Përse të kem?

-Sepse...- me këtë fjalë afroi fytyrën fare pranë saj. Sa të vështirë e pati të gëlltitej në ato momente. Përse u duk sikur oksigjeni krejt papritur u shndërrua në helm? Sikur do të mbytej...Aq e pati dhe ajo, mendoi.

-Mund të të vjedh trëndafilin e bardhë.-Ia rrëmbeu pa kuptuar nga dora dhe duke e nuhatur u largua me hapa të shpejtë nga ajo.

Trëndafili i bardhë...Ç'do të thoshte trëndafili për atë djalosh në të vërtetë? 


Luna de Novembre.Where stories live. Discover now