Kacavirrem nëpër degët e qershisë e aty filloj të mbushem me frymë.
Më duket sikur jam në krahet e tua, sikur ledhaton me dorën e ashpër të butat flokët e mia.Ai bisk qershie që dikur mbolle, kur unë vërtitesha si ndonjë mizë nëpër këmbët e tua, tashmë është kthyer në një trung të trashë peme. Ku je ta shikosh?
Ah, kjo koha kaloi e sa shumë gjëra mori me vete, fëmijërinë time,fëmijërinë e qershisë dhe ty.
Po ty pse vallë të mori? Nuk pate mundësi as të provoje ndonjë kokërr qershize, nuk pate mundësi as të më shikoje mua teksa rritesha dita-dites, bëhesha një vajzë e madhe...E madhe!
E...As unë. Nuk pata mundësi të të lutesha për të më ngritur hopa që të arrija qershinë e kuqe në majë të pemës, nuk pata mundësi të ankohesha te ti kur ndonjë çunak më hidhte fjalë, nuk pata mundësi të të tregoja sukseset e mia te para...
Dreq! Nuk pata kohë... Nuk pata kohë të të përqafoja mjaftueshëm, të mbushesha me aromën tënde. Oh, sa më mungon! E kam harruar atë aromë që më mbushte me forcë e shpresë...
Koha... Koha përsëri... Më vodhi edhe melodinë e zërit tënd. E kam harruar dhe atë. Dreq! Sa më mungon ai zë qe nuk volli kurrë vrer, por veç lumë dijesh e fjalësh të ngrohta qe.
Sa më mungon të ndiej dorën tënde mbi flokë, të ndiej duart e mia rreth qafës tënde e aty të mbushem me frymë nga aroma e mbrojtjes që fal.
Fytyra jote sa më mungon. Imazhi jot më shfaqet vetëm në ëndrra.
Dreq! Pse?! Pse të shoh vetëm në ëndrra?
Aty, herë-herë e di që jam në ëndërr dhe nuk dua të zgjohem. Dua të rri sa më shumë kohë me ty.
Edhe pse vetëm disa sekonda bashkë ato sekonda më japin jetë,më bëjnë të ndihem sikur po jetoj vërtet.
Duke parë lotët e mi të nxehtë krijuar nga malli, më thua se maktji mbaroi, se largimi jot ish veç një gënjeshtër, më premton se nuk do largohesh më, por kur hap sytë kuptoj se ti s'je aty, ti as që ke erdhur...
Qaj me orë të tëra me ngashërim, deri atëherë kur edhe lotët shterin.
Herë-herë i lutem zotit të më bashkojë me ty, kurse ndonjehërë shpresoj të jetoja vetëm në ëndrra. Ëndrrat'
Vetëm kështu mund të kishte jetë edhe për mua.Ndonjëherë më duket sikur kam vdekur unë, kam shkuar në ferr e dënimi qe më është vënë është të vuaj përjetë mungesën tënde.
Ndonjëherë më duket sikur jam në ato makthet ku duam të zgjohemi,por nuk zgjohemi dot, nuk hapen sytë.
Të jetë e vërtetë kjo jetë që po jetoj vallë? Po sikur e gjitha të jetë vetëm një nga misteret e universit e kur të marrë fund do jetoj një jetë tjetër më të mirë?
Po sikur kjo jetë të jetë vdekja në të vërtetë? Askush nuk e di si ngjan ajo,askush, atëherë ç'teori hedh poshtë faktin se ne të gjithë mund të jemi ca njerëz të vdekur duke u përpëlitur për pak mëshirë ndë portat e ferrit.
Ah moj vdekje, ç'formë paske!
Thonë se koha shëron,por me mua nuk ndodh kështu. Unë ta ndiej mungesën çdo ditë e më shumë,imagjinoj një jetë me ty.
Lotët nuk shterin,duan sikur të lajnë dhimbjen, por ajo nuk lahet, ajo ndizet më shumë, si nje lule ujitet dhe rritet.
E di sa më mungon? Shpresoj që një ditë të mund të të shoh përsëri, të ndaloj kohën kur je me mua në ëndrra e le të jetë ky ferr përjetë një ëndërr; kështu unë do jetoj, ti do jesh gjithmonë pranë meje, kudo në botë do ketë veç lumturi e dashuri për të gjithë, madje dhe qershiza nuk do thahet kurrë.
Le të jetoj përjetë në ëndrrën time; aty ku dhe qershiza buzëqesh.