Nëntor 17,
Vjeshta po shkon drejt fundit. Çdo ditë që kalon, më afron më afër dimrit. Më larg, vjeshtës, më larg.
Dreq, po ikën. Nëntori, vjeshta, gjethësia shpirtërore.17 nëntor... sa ftohtë...Acar i shtullungët ka veshur rrugët thuajse të zbrazura. Kurrkund s'të kap syri ndonjë njeri, kurrkund.
Muzgu po afron. Qielli veshur në një gri lebetitëse. Hija natore ka filluar të hidhet gjerësisht në horizont. Kjo hije thyhet nga dritat e makinave që kalojnë kumbueshëm në rrugë. Askush s'paska guxim të dalë jashtë sot, kurrkush, as unë që e dua acarin.
E dua acarin, të ftohtin. Dua dhe ta jetoj, ama sonte vendosa të veproj ndryshe; vendosa ta sodis me sytë e shpirtit.
Ulur këmbëkryq, mbuluar me një batanije të ngrohtë pambuku, vështroj botën jashtë dritares sime. Kthej ndonjëherë filxhanin me kakao të nxehtë e ndiej valën e flaktë të më veshë çdo qelizë timen.
Shikoj gjithësinë e mendoj për veten time. Sa ndryshe ndodhi këtë vit!
E kam urryer vjeshtën; po kam urryer shirat, erën, të ftohtin, shkollën, kam urryer stinën e krijimit tim e në një farë mënyre kam urryer veten. Jam përpjekur me pahir ta dua, doja ta nxisja veten, por më kot.
Dashuria qoftë për njerëzit, sendet a gjithçka tjetër duhet të ndihet, jo të imponohet.
Ç'më ndodhi këtë vit?! Ndoshta ndikoi prezenca e dikujt që më bëri të dua veten.
Që kur shiu i parë ra, në mënyrë të pavetëdijshme kisha dalë në dritare e kisha zgjatur dorën jashtë. Mbushesha me aromën e shpirtit, teksa me sy mbyllur shijoja prekjen pik-pik të shiut. Shiu, që më trazonte shpirtin, atë natë për herë të parë ma pastroi.
Atë natë nuk mendova për trishtimin, të shkuarën. Mendova për lumturinë, të tashmen.Era vjeshtarake më merrte kokën. E urreja dhe isha gati t'i shpallja luftë e ta zhdukja, po ç'ndodhi këtë vjeshtë?!
E pashë të luante me gjethet dhe kuptova se ajo vetëm sa ngjallte shpirtin e tyre që rrinte i fjetur; era u dha jetë gjetheve e me melodinë e saj i vuri të kërcejnë për të më dhuruar një koncert klasik baleti. Muzikë klasike lëshuar nga instrumenti që kam për shpirt e nga përplasja amullitëse e gjetheve.I ftohti më mërziste se dridhesha nga koka deri në këmbët. Kështu fillova dhe të premten, derisa hapa krahët përballe të gjithëve dhe bërtita "Përqafime! Përqafime të ngrohta"
Erdhën miket e mia e u bëmë një me njëra-tjetrën. Nuk m'u ngroh veç trupi, por tërë qenësia ime.E tani e dua shkollën, urrej pushimet. Dua të jem pranë njerzve qe i dua vjeshtërikisht shumë, oh sa shumë.
Mezi po pres të shkoj të hënën e të përqafoj shumë, oh sa shumë!Dua vjeshtën tashmë, stinën e krijimit tim e nuk e kuptova kur fillova ta dua, kur dhe si, ama kuptova që për të rënë në dashuri unë me vjeshtën duhet te bija në fillim me ty, duhet të isha e lumtur.
Ti hyre kaq papritur në jetën time në vjeshte e më spërkate shpirtin me lumturi. E unë, pa e ditur fillova të lumturoj vetë vjeshtën.
Aty kuptova se vetë vjeshta kishte qënë shpirti im e unë nuk e dija. Në momentin që dashurova vjeshtën, gjeta shpirtin që e dija se më kishte humbur. Atë shpirt ma gjete ti, ema rivendose në vend, duke marrë si këmbim zemrën.
Shkëmbeva shpirtin me zemrën, me mendimin se zemrën do ma ruash me të njejtin fanatizëm që më risolle jetën.
E dua vjeshtën, veten, njerëzit rreth meje dhe ty.
Nëntor 17, Lunë e rilindur, mbushur me dashuri.
©️Lunëz🌙
YOU ARE READING
Luna de Novembre.
RandomCopëza ndjenjash shkëputura nga një pjesë e shpirtit tim...