Vjeshtë...Supozohet që shpirti im i artit të jetë në kulmin e ekspresivitetit të vet, por në fakt është në kulmin e vajtimeve te brendshme.
Tetor, 1, datë e mallkuar, e përzënë nga vetë kalendari. E përzënë nga vetë koha. Datë e ç'rrënjosur nga galaktika, datë e gërvishtur nga shpirti im. Datë e paardhshme!
Sa do doja të kisha fuqinë! Të kisha fuqinë e ndonjë perëndie të lashtë, e të kthehesha vite më parë, të riprogramoja dhe njëherë kohën, të riorganizoja fatet e njerzve dhe ndoshta atëherë...Nuk do kisha vendosur kurrë një '1 tetor'.
Sikur të mundja tetori do të kishte 30 ditë, tetori do të fillonte në ditën e tij të dytë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, unë do isha e lumtur, do isha e plote.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, unë nuk do kisha nevojë për buzëqeshje fallco, do isha e qeshur.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, ti do jetoje, unë nuk do vajtoja tërë jetën për ty.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do më dridhej buza kur përmendej fjala 'babi', sepse do e shqiptoja dhe unë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, zemra e një nëne nuk do vritej përjetësisht, një bashkëshorte nuk do vishej me të zeza, tre fëmijë nuk do rrinin me kokë mënjanë tërë jetën.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do shikoja mëshirë në sytë e njerzve, do shikoja vetëm zili, zili për lumturinë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do qaja sa herë që një fëmijë humbte prindin, se nuk do e dija si është kjo dhimbje.
Ja që nuk mundem. Nuk mundem dhe rri vajtoj në heshtje, e më pas me ca angullima të përvuajtshme të cilat i dëgjojnë vetëm muret e shpirtit tim. Rri vajtoj 1 tetorin e 2012, një tetorin, hajdutin e lumturisë sime, hajdutin e plotësisë.
1 tetori bëri të mundur që unë mos ndihem kurrë e plotë, që gjithmonë të ketë një psherëtimë të thellë brenda meje, që gjithmonë të ndiej pambarimisht mungesën e dikujt.
1 tetori bëri që pas çdo buzëqeshje time, të fshihet ndonjë kokërr loti, pas çdo dite të lumtur të ketë një mesnatë mbushur me lot e kujtime.
1 tetori bëri që ta dua të shkuarën më shumë sesa të tashmen dhe të ardhmen. Bëri që të rijetoj dhe njëherë çdo ditë të kaluar vetëm e vetëm që të rikujtoj ato momente të vyera, që të kënaqem me të tashmen.
1 tetori bëri që të imagjinoj një jetë ndryshe nga kjo që jam duke jetuar, të kërkoj për të pamundurën.
1 tetori bëri që të flas me qiellin, hënën e yjet. T'u përgjërohem që ta kthejnë këtë realitet që jam duke jetuar në ndonjë makth të shëmtuar e të më zgjojnë së shpejti duke e bërë 1 tetorin, thjesht një datë.
Si do të ishte një jetë me ty? Sa gjëra do ishin ndryshe? Sa herë do mbushesha me aromën tënde në përqafimet që më falje çdo mbrëmje?
E di sa më mungon? Nuk përshkruhet me fjalë, se fjalët mbyten me njëra-tjetrën, nuk e gjejnë forcën të përshkruajnë këtë ç'rrënjose zemre që jam duke përjetuar.
Kryqëzoj duart shpesh, kur qielli është me yje, e gjunjëzohem para një galaktike të tërë, ndoshta para gjithë universit.
Filloj të lutem, të më zgjojnë nga ky makth që jam duke jetuar, se nuk mund të duroj dot më, por më kot. Të nesërmen në mëngjes, ti nuk je përsëri, makthi ende vazhdon.

BINABASA MO ANG
Luna de Novembre.
RandomCopëza ndjenjash shkëputura nga një pjesë e shpirtit tim...