*True story*
Nesër martohet Merita.
E ëmbla Meritë, dashuria e parë e vërtetë dhe e vetme, dashuria e rrënuar nga gabimet adoleshenteske, dashuria e munguar për tërë pjesën e mbetur të jetës.Ishim kaq të rinj Meritë. Ti ishe në gjimnaz, viti i parë e unë në vit të tretë.
Të ëmblat ndjenja të dashurisë na pushtuan qysh atëherë, po ku dinim ne ç'ishin në të vërtetë?
Sa të doja e sa më doje e ëmbla Meritë...
Kujtoj sytë e tu të mëdha shkrumbosur në të karameltë që më ndiqnin tërë pushimin me endje të madhe.
Buzëqeshnin sytë, buzëqeshje ti e buzëqeshja unë.
Nga gjatësia ua kishe marrë të tera shoqeve tënde, ishe e hollë ashtu si një fije shkrepëse.
Flokët e shtrira deri në supe i mbaje gjithmonë lëshuar. Si nuk t'i pashë njëherë të kapura xhanëm?
Puthjen e parë ma dhurove mua Meritë dhe më erdhi keq që e imja s'ishte e para me ty, ama emocionet që ti më dhurove, dreq i kam të vulosura thellë në shpirt e i mbaj si ca flutura që duan të arratisen, por unë s'i le.
Ishte aty, nën pemën e gështenjës të gjyshes tënde. Ende s'e kam harruar si erdha pas mesnate duke bërë luftë me qentë e lagjes tënde derisa erdha te ti. Po për ty, mund të luftoja me këdo e jo më me qentë.
Po sa shpesh ziheshim, për hiç mos gjë. Ishe kokëfortë e madhe dhe kur ngulje këmbë ti, s'kish burrë nëne që të ndryshonte mendjen e mua me vinte inat se doja të bëhej ashtu si doja unë.
Kështu, ama pas disa minutash harronim fare që ishim zënë e mendonim për të ardhmen.
Ah, moj Meritë! Sa e kemi ëndërruar ditën kur ti të vishje fustan Të bardhë, por jo kështu. Krahas teje duhet të qëndroja unë dhe jo ai.
Viti iku Meritë, unë mbarova gjimnazin dhe nuk vazhdova shkollën e lartë dhe pse më the ta bëja, por unë s'isha për atë punë. Nisa një profesionale disa mujore, do më bënte punë.
U larguam pak, përsëri flisnim dhe ishe ti ajo që përpiqej ta rregullonte mardhenien tonë gjithmonë dhe ç'bëra unë?
Nuk t'i ktheva më telefonatat, nuk ndihesha më si në shtëpi me ty, nuk ndihesha mê vetja me ty...
Vajta në një shkollë tjetër një pushim, më kishin folur për një vajzë.
Fiksimi më shtyu ta bëja për vete, e ia dola. Ishte mendjelehtë, por asokohe s'e vura re këtë.
Për një periudhë kohe mendova se ajo kishte zënë vendin tënd,për një çast zëvëndësova buzët e tua me të sajat.
Ti e kishe marrë vesh që kisha atë dhe më thanë se kishe qarë, shokët e përbashkët.
Ç'bëra unë? Qava në heshtje atë natë. Po, Meritë, qava për ty për herë të parë, por mendova se ishte vonë, kur në fakt ende s'ishte.
Në mëngjes, harrova lotët dhe u ktheva në krahët e saj. Më përqafoi atë ditë dhe u ndjeva mirë, sikur e doja.
Ajo më pyeste vazhdimisht për ty, s'di nga e kishte marrë vesh dhe më thoshte se ishte më e bukur se ti.
E shikoja vëngër dhe e krahasoja gjithmonë me ty, nuk krahasoheshe.Ti ishe më e bukura ndër vasha Meritë, u bëre fati im për dy vite dhe unë të gjuajta me shkelm. Ç'hajvan!
A e di ç'ndodhi më pas Meritë?
Kisha një vit me atë dhe një ditë qershori, kur mbaroi vitin e dytë gjimnaz, më merr në telefon dhe më thotë se ishte fejuar.
![](https://img.wattpad.com/cover/145163976-288-k696400.jpg)