2.

332 11 1
                                    

Një Mercedes Benz i zi u shfaq në rrugët e Londrës. E më në fund mbërritën tek porta e madhe, nga ku dukej dhe oborri madhështor i pronës Andërllend. Mund të shihej qartë edhe shtëpia e madhe në të cilën jetonte Violeta. Shtëpia e prindërve, një shtëpi tipike pasanikësh, e trashëguar brez pas brezi. Makina ndaloi. Violeta hapi derën e makinës dhe zbriti. Nga ana tjetër zbriti dhe vajza. Kush kalonte aty mahnitej. Vajzën e njihte e gjithë Londra. Nëse ajo bënte diçka, merrej vesh menjëherë.

E veshur me një fustan të kuq që i zgjatej deri tek gjunjët, në majë të takave të zeza, me një pallto të gjatë që e mbante në dorë bashkë me çantën e saj, zonjusha dukej magjepsëse. Më shumë dukej magjepsëse për flokët e saj të gjatë në ngjyrë kafe të errët, të kapur topuz. Në fytyrën e saj të hollë gjendeshin dy sy të larmë, ose ndryshe, dy sy që anonin midis të kaftës dhe të gjelbrës. Vetulla të rregulluara me kujdes, një hundë e vogël dhe buzët e saj të plota e perfekte, të lyer në të kuqe. Ai trup femëror përbëhej nga një gjatësi e mjaftueshme për të thënë direkt se ajo ishte e gjatë, si dhe nga format e theksuara të një modeleje që mbante një lloj diete të veçantë në mënyrë që të mos shtonte peshë e të mbetej përherë masa S. Ose thjesht e kishte të trashëguar gjenetikisht, si trupin ashtu dhe ngjyrën e lëkurës, që ishte e bardhë dhe jo një ngjyrë më mishërore si shumica e njerëzve.

Një zonjushë rreth të tridhjetave. Tërheqëse, krenare, joshëse dhe akoma beqare. Për ironi të fatit të gjithë beqarët e Londrës duan të martohen me të, por askush nuk i ka propozuar. Nga njëra anë, ajo përfiton nga rasti për të flirtuar e për të dalë me ndonjë djalë. Këtë e bën sepse është në kërkim të djalit me të cilin mund të kalojë gjithë jetën e saj. Nga ana tjetër, ajo ka luhatje humori dhe është e fiksuar pas perfeksionit. Sapo zbulon edhe problemin më të vogël tek djali me të cilin del, e lë menjëherë, duke shtuar gjithnjë e më shumë listën e ish- të dashurve të saj. Pikërisht kjo është ajo që Violeta nuk di për të, por që e hamendëson. Violeta përpiqet ta kthejë në rrugë të drejtë, por zonjusha nuk mund të bëhet si Violeta sepse ka krenarinë e saj. E pikërisht kjo zonjushë kaq e veçantë në llojin e saj e ka një emër, dhe jo një emër i zakonshëm dhe i shkurtër. Ajo quhet Katerinë Evë Izabelë Andërllend, e që shumica e njerëzve e thërrasin shkurt Kei ose znjsh. Kei, një bashkim i shkronjës së parë të tre emrave të saj.

Hodhi hapat e saj në rrugicën që të çonte menjëherë në derën kryesore të shtëpisë dhe, teksa e pa atë shtëpi të madhe sërish pas pesë vitesh, qëkur kish shkelur për herë të fundit, u fut brenda saj. E njëjta shtëpi, i njëjti ambient, e njëjta ndjesi pushtoi mendjen e Katerinës. Ajo ndjesi i rrëqethte mishin sot e asaj dite. Nuk ishte e lumtur, aspak e lumtur. Thjesht e kish pushtuar heshtja. Ishte një heshtje që shumë shpejt u ndërpre.
-Nensi! - thirri Violeta.
-Po zonjë! - u përgjigj Nensi, teksa erdhi me vrap.
-Ti dhe Sebastiani do të çoni valinxhet e zonjushës për në dhomën e saj.
-Menjëherë zonjë!

Nensi ishte shërbyesja kryesore në shtëpinë e Andërllendëve. Një grua me trup mesatar dhe topolak, me flokë të shkurtër të zinj e me onde, me një fytyrë rrumbullake dhe me sy në ngjyrë të kafenjtë. Ajo kishte shumë vite që punonte aty, një shërbyese besnike e Andërllendëve që prej shumë kohësh. Merrej me të gjitha punët e shtëpisë, por kryesisht me punët e Katerinës.
Ndërkohë që Katerina kishte Nensin, Violeta kishte Sebastianin, shoferin e saj besnik. Një burrë i gjatë dhe i dobët, me një trup të hollë, me fytyrë të gjatë, dhe përherë në kokën e tij mbante kapele për shkak të rënies së flokëve.

Të dy bashkë, morën valinxhet e Katerinës dhe u ngjitën në katin e dytë të shtëpisë, atje ku ndodhej dhoma e saj. Hynë brenda. Dhoma kishte një pamje të mrekullueshme ku mbizotëronte e bardha dhe e kuqja, dy nga ngjyrat e preferuara të Katerinës. E mbushur me objekte dhe mobilje antike. Dukej sikur hyje në një dhomë që nuk i përkiste aspak shekullit XXI.
-Uh, sa të rënda që janë të uruarat! - psherëtiu Nensi pasi lëshoi mbi dysheme njërën nga valinxhet që po mbante.
-Jo sikur ka rroba por sikur ka bomba të ushtrisë amerikane! - ia ktheu Sebastiani.
-Edhe sikur bomba të ketë, ne nuk duhet të nxjerrim as gjysmën e fjalës, Sebastian. Nuk mund të flasësh kështu për zonjushën.
-Nensi, ajo nuk është më fëmijë, është tridhjetë vjeç. Ajo rri më shumë andej sesa këtu.
-Znjsh. Kei është e ngarkuar gjer në fyt me punë. Dhe andej nuk rri nga qejfi por nga puna, Sebastian.
Sebastiani shtrembëroi fytyrën.
-Ajo duhet të ishte martuar tashmë. Jo gjithçka në këtë jetë është veç punë, Nensi. Thuaj më mirë që puna është pretekst për të mos u martuar.
-Shshsht! Sebastian, mos fol kështu për zonjushën. Këtu edhe muret kanë veshë. Sikur ta fusje brenda atë gjuhën tënde si tapet atëherë do të ishte gjëja më e mirë për të gjithë.
-Në rregull, ke të drejtë. Në fund të fundit unë jam thjesht një shërbyes këtu. Nuk jam unë ai që vendos për jetën e saj.
-Bravo, tani fole siç duhet. Je i lirë të shkosh tani, se me zbrazjen e valixheve do të merrem vetë.
-Në rregull, në qoftë se kërkon ndihmë mund të më thërrasësh, - tha Sebastiani dhe doli nga ajo dhomë e madhe gjumi.
Nensi, duke buzëqeshur, filloi të mendonte me zë.
-Më në fund, znjsh. Kei u kthye në shtëpi.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now