74.

112 5 0
                                    

"Ai... ah ai. Ai është nga ata pak njerëz që, nëse të depërton thellë në shpirt, atëherë nuk mund të dalë më prej aty. Është pikërisht ai mashkull që të fal ndjesinë e fluturave në stomak në çdo moshë tënden. Është ai që kujdeset aq shumë që ti të jesh një femër e lumtur, qoftë fizikisht a qoftë shpirtërisht. Është ai që urren të të shohë duke qarë e që më pas kërkon të dijë se ç'mund të jetë ajo gjë që i shkakton lotët e tu të trishtë. Është ai që të bën të mendosh se është mashkulli i duhur. Ai është perfekt... gjithmonë para syve të mi."

Viti 2008. Muaji korrik. Ora 21:00, Hermani hyri në atë lokal nate ku shkonte gjithmonë, kësaj radhe thjesht për të kaluar pak kohë. Iu afrua banakut dhe u ul në një nga stolat e tij.
-Mirëmbrëma Herman, ke kohë që nuk del më këtej gjatë natës, - i thotë baristja teksa përgatit pijet e porositura nga klientët e tjerë.
-Kam qenë i zënë me punë, - iu përgjigj ai duke buzëqeshur.
-Ah, një djalë si ti nuk duhet të jetë kaq i zënë me punë. Dil më shpesh këtej.
-Nuk e di në do arrij të dal shpesh natën, jam vërtet i zënë dhe i lodhur.
-Ju avokatët! Gjithmonë jeni të zënë me shumë punë.
-Eh, çfarë t'i bësh. Gjithmonë jemi të zënë me shumë çështje për t'i zgjidhur. Meqë ra fjala, ç'më thua ndonjë gjë të re? Çfarë ka ndodhur ndonjë gjë?
-Pronari ka vendosur të shtojë më shumë terren në këtë lokal. Ti e di, ky është një ndër lokalet më të frekuentuar në Nju-Jork. Lloj-lloj njerëzish vijnë këtu.
-Oh, ky po që qenka lajm i mirë. Do të fitoni më shumë tani.
-Po, kështu themi.
-Bukur, po ndonjë gjë tjetër ç'më thua? Ka ardhur ndonjë person i ri?
-Për vajza e ke fjalën? Uf, plot! Me shumicë, nuk numërohen. Ngelën duke shkuar pas atyre burrave nga pesëdhjetë vjeç, vdesin për paratë e tyre.
Hermani qeshi.
-Je e madhe, për atë Zot! Pse nuk shkove në ndonjë shkollë aktrimi ti?
-Eh, jam mirë këtu. Pastaj, pronari më mban mirë, edhe rrogën e kam goxha mirë.
-Ah, atëherë qenke në rregull.

Dhe diku tutje, nga fundi i lokalit u shfaqën tre vajza. Dukeshin aq bukur sa me gjithë atë bukuri mund t'ia merrnin mendjen gjithë meshkujve të lokalit. U afruan aty tek banaku.
-Ou vajza, shikoni kë kemi këtu. Bukuroshin Herman, - tha vajza e parë.
-Uau, nuk më besohet! Hermani qenka këtu, - tha vajza e dytë.
-Shikojeni pak vajza, sa bukur duket me atë veshje. Ai po që është goxha mashkull! Jo si këta lolot e tjerë, - tha vajza e tretë.

Baristja i vuri re menjëherë, shkoi tek ato dhe u mori porosinë. Shkoi e përgatiti pijet, dhe ia solli vajzave.
-Hej! A mund të më bësh një nder? - i tha vajza e parë.
-Çfarë? - e pyeti baristja.
-A mund t'ia marrësh pak numrin atij djalit aty?
-Ose më mirë jepi numrin tim, - tha vajza e dytë.
-Prisni vajza, me radhë. Shiko bariste, ne jemi shumë... po shumë të fiksuara me atë djalë. Dhe nëse është e mundur... kërkoji pak numrin e celularit atij djali sepse duam të bisedojmë për disa gjëra vërtet... të rëndësishme, - i tha vajza e tretë.
Baristja i vështroi njëherë të treja vajzat, pastaj buzëqeshi me ironi.
-Vajza, më vjen keq që po jua them këtë, por djaloshi është shumë i zënë për t'u marrë me ju. Shkoni gjeni ndonjë burrë tjetër më mirë.
-Uf dhe ti! - thanë ato dhe ikën sërish atje ku ishin në fillim.

Baristja iu afrua Hermanit dhe njëherë.
-O Zot i madh! Ato tre vajzat që ikën po të hanin me sy Herman. Njëra donte numrin tënd të celularit, tjetra po thoshte të të jepja numrin e saj të celularit. Ajo e treta filloi të servilosej. Ndërsa unë ia ktheva që ti je shumë i zënë për t'u marrë me to. Ah more Herman, përse të bëri Zoti kaq të bukur ty?
Hermani qeshi sërish. Dhe ashtu ulur në banak, u kthye me fytyrë nga turma e njerëzve që po kërcenin. Po vështronte, nëse do të mund të gjente vërtet ndonjë vajzë për të kërcyer, siç bënte zakonisht sa herë që vinte aty. Po pinte dhe po vështronte.
-Pak e vështirë për të gjetur ndonjë vajzë që të përshtatet, apo jo? - e pyeti baristja.
-Nuk e di, mendoj se sonte do të dal vetëm me një pije dhe asgjë më shumë. Mesa duket kjo nuk është nata ime, - iu përgjigj ai.

Baristja vërejti njëherë rrotull, dhe papritur buzëqeshi.
-Ose është...
-Çfarë?
-Sapo e pashë sërish, akoma nuk paska ikur nga këtu.
-Kush? - e pyeti Hermani teksa vështronte njerëzit.
-Ajo vajza, më duket se ishte shoqja jote. Ka një orë që rri këtu, dukej si e mërzitur. E di çfarë, mendoj se duhet të shkosh tek ajo.
Hermani ktheu kokën në drejtim të vajzës që i tregoi baristja. Për një moment e kuptoi kush ishte. U ngrit ngadalë dhe shkoi atje. Vështroi një djalë që iu afrua vajzës.
-Hej, ç'bën një bukuroshe vetëm si ti këtu?
-Nuk është vetëm, është me mua. Ik andej e gjej ndonjë tjetër, - ia ktheu Hermani teksa e pa shtrembër.
-Avash plako, se një pyetje i bëra.
-Shiko, nuk kam kohë të merrem me ty tani, ndaj mu hiq sysh.
Djali nuk vazhdoi më dhe iku, ndërsa Hermani u afrua dhe u ul pranë saj.
-Katerinë, çfarë bën këtu?

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now