Të tre kthyen kokën dhe vështruan atë që foli. Vinsenti përjetoi një zhgënjim në vetvete, Hana buzëqeshi me krenari, ndërsa Hermani shtangu sapo e pa atë person. Nuk arrinte t'u besonte syve. Ishte ajo, Anastasia Andërllend, mamaja e Katerinës dhe e Violetës, mbi të gjitha mamaja e gruas së tij. Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, Hermani e pa sërish atë grua që dikur e prezantoi me vajzën e saj të vogël. Iu kujtua sërish ai moment i mrekullueshëm i fëmijërisë së tij. Bëri disa hapa para drejt asaj gruaje, duke ngjitur shkallët e derës kryesore. Nuk dinte ç'të thoshte më parë, gjithçka kishte në mendje iu largua përnjëherë, u zhduk si nga hiçi. Tani dhe ajo kishte ndryshuar, ishte më e plakur, pak më e shkurtër nga ç'ishte dikur, me flokë mesatarë në ngjyrë kafe të errët e tek-tuk disa thinja në to, dhe me sytë e larmë. Fytyra e saj nuk ishte më si dikur, tani në të gjendeshin disa rrudha. Por përsëri ishte po ajo grua, me atë bukurinë e saj femërore prej Parisi. Mbante po të njëjtën aromë parfumi si dikur. Dhe vishej po me të njëjtin lloj stili që përdorte.
Hermani ndieu një dridhje të lehtë në stomak nga emocionet.
-Zonja Andërllend... nuk arrij ta besoj që po ju shoh sërish këtu, në këtë shtëpi. Më saktë, në shtëpinë tuaj. Më ndjeni për mënyrën se si po ju flas, por jam shumë i emocionuar që po ju shoh përsëri. Nuk mendoja kurrë se kjo ditë do të vinte.
Anastasia buzëqeshi.
-Herman, nuk ke pse emocionohesh kaq shumë para meje. Unë jam po ajo grua që ti mban mend.
-Unë thjesht... se si më duket kur iu shoh sërish këtu. Kanë kaluar kaq shumë vite dhe tani... nuk e di, nuk kam fjalë për të përshkruar gjendjen time emocionale.
-Hëh, më mirë mos fol fare Herman. E di që je shumë i emocionuar. Dhe tani që të shoh, mendoj se ke marrë të njëjtën pamje si ajo e babait tënd të ndjerë. I ngjan shumë atij, - tha Anastasia dhe një buzëqeshje e hidhur i kaloi në fytyrë.Hermani kuptoi se pamja e tij thjesht i ngjalli Anastasias për pak sekonda fytyrën e babait të tij.
-Ndoshta babai im po më sheh nga lart tani, besoj.
-Ai është krenar për ty, dhe ti duhet të jesh krenar sepse mban emrin e tij.
-Edhe pse nuk e njoh atë, unë gjithmonë do të jem krenar për të. Sepse ai ndodhet brenda meje kudo ku shkoj. Ai është engjëlli im mbrojtës nga qielli.
-Më bëhet qejfi që e thua këtë, - tha Anastasia dhe e përqafoi.
Në atë përqafim, Hermani ndieu dashurinë prej një gruaje. Ndieu po atë dashuri si ajo e tija për Katerinën. Dhe krejt papritur iu kujtua Katerina.
U shkëput nga ai përqafim, dhe fytyra e tij mori një pamje të shqetësuar.
-Zonjë, ku është Katerina?
-Lart, tek dhoma e muzikës. Do bëje mirë të shkoje, ajo ka nevojë për ty, - iu përgjigj ajo.Hermani u fut me vrap në shtëpi dhe ngjiti shkallët që të çonin tek dhoma e Katerinës, e më pas u kthye në të djathtë për nga dhoma e muzikës. Vrapoi me gjithë fuqinë e tij, sa më shpejt për të mbërritur tek ajo. Hapi derën me vrull dhe vështroi. E gjeti të ulur pranë pianos, me një fytyrë të trishtuar. Disa lot filluan t'i rridhnin asaj në faqe.
-Katerinë, çfarë ke? Përse po qan? - e pyeti teksa iu afrua.
U ul pranë saj dhe ia fshiu lotët me mollëzat e gishtave të mëdhenj. Trishtimi i saj u shpërnda në gjithë dhomën, edhe tek Hermani.
-Shiko, mamaja jote erdhi. Tashmë duhet të jesh e lumtur që ajo është këtu.
-Sikur të isha e lumtur... po ja që dhe ardhja e mamasë sime nuk më lumturoi ashtu siç mendoja se do të ndodhte një ditë.
-Përse e thua këtë, Katerinë? A nuk ishe ti ajo që kërkoje me ngulm të gjeje mamanë?
Në atë moment, Katerina nuk e mbajti më veten.
-Herman... babai im nuk më ka dashur kurrë.
-Çfarë po thua kështu?
-Mamaja ime m'i tregoi të gjitha, gjithçka që unë nuk dija. Tani unë di gjithçka. Dhe pikërisht kjo më ka lënduar më shumë se çdo gjë tjetër...***
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...