Pak më vonë, Hermani po rrinte ende në atë shtëpi, i ulur në një kolltuk. Një farë shqetësimi e kish kapluar. Çfarë mund të kishin bërë deri tani dy motrat? A kishin debatuar, si zakonisht?
Dhe ja, Violeta u duk aty, me një fytyrë të zymtuar. Hermani u ngrit në këmbë menjëherë, nuk arrinte ta duronte peshën e fajit.
-Violetë, nëse më lejon, do të të shpjegoj çdo gjë që ka ndodhur mes meje dhe Katerinës. Por të lutem, mos e qorto më atë.
Violeta ia bëri me shenjë që të heshtte, duke i drejtuar pëllëmbën e dorës. Hermani heshti, me një trishtim në fytyrë. Gjithçka që ndodhi e kishte lodhur shumë Violetën. Ajo mori një gotë, e mbushi me ujë dhe e piu me një frymë, pa ndaluar.Ky lloj reagimi nuk i pëlqente aspak Hermanit.
-Violetë...
-Nuk ta kam dhënë ende të drejtën për të folur. Pastaj, ty nuk të takon të flasësh, pas gjithë këtyre gjërave që ke bërë bashkë me Katerinën. Dakort, nga Katerina e prisja të merrte përsipër një aventurë të tillë, por nga ti? Absolutisht që jo! Si mund ta lije atë të ndërmerrte hapa të tillë, Herman?
-Violetë, u mundova ta ndaloja. Por Katerina nuk reshtte së kërkuari të vërtetën e të shkuarës.
-Nuk po them për të shkuarën, Herman. Po flas për ato që kanë ndodhur jo shumë kohë më parë. Po flas për martesën e fshehtë të Katerinës me Vinsentin, e cila qenka e rreme. Gjithçka paska qenë plan për të zbuluar se kush po mundohej t'ia merrte pasurinë.
-Po, dhe u vërtetua se ishte Alfredi.
-Po për goditjen pas qafe? Çfarë do të më thuash për këtë? Po sikur Katerina të vdiste vërtet? Çfarë do të ndodhte më pas? A ma shpjegon dot? Si do të mund të më shpjegoje se përse ndodhi?
-Katerina është gjallë Violetë, mendo vetëm këtë tani për tani.Violeta dukej tejet e tensionuar.
-Nuk arrij ta besoj që po ma thua këtë. Po më thua të sillem sikur nuk ka ndodhur asgjë?
-Jo, thjesht po të them të qetësohesh dhe të reflektosh. Tashmë çdo gjë u zgjidh.
-Asgjë nuk është zgjidhur. Ti ke hapur shumë çështje si avokat që je, dhe nuk po arrin t'i mbyllësh dot, sepse po i shmang nga vetja.
-Unë nuk kam shmangur asgjë nga vetja, Violetë. Aq më pak gjërat që kanë lidhje me Katerinën.
-Herman, ti thjesht po e lëndon Katerinën.
Sytë e tij filluan të lëshonin shkëndija tensioni.
-Violetë, mos fol kur nuk i di gjërat.
-Herman, prania jote thjesht e lëndon Katerinën më shumë.
-Violetë!
-Unë e shoh me sytë e mi se sa është lënduar ajo, Herman.
-Ashtu? Po mirë, e ke pyetur ndonjëherë veten se pse i kam bërë të gjitha këto gjëra që kanë ndodhur? Gjithçka e kam bërë për Katerinën, Violetë. Askush më mirë se unë nuk e njeh atë, as ti vetë nuk i ke qëndruar aq pranë sa unë. Gjithçka e kam bërë sepse e kam dashur, dhe vazhdoj ta dua motrën tënde njësoj si ditën e parë kur e kam parë. Dhe as ti e as ndonjë tjetër nuk mund të më pengojë për këtë gjë. Dhe tani, unë po shkoj te Katerina, - ia ktheu ai duke turfulluar, dhe mori drejtim për te dhoma e Katerinës.
Violeta ngeli vetëm për pak çaste.
-Oh Zot, më drejto! Më trego rrugën e drejtë. Më trego se çfarë duhet të bëj.Disa hapa të lehta u ndienë pranë derës së dhomës së Katerinës. Ajo kishte mbyllur sytë, por i ndjeu ato hapa. Hermani hyri ngadalë brenda dhomës. Ajo e ndiente praninë e tij, e ndiente tmerrësisht shumë. Dhe ai nuk po mundej dot të rrinte larg saj.
-Katerinë... po fle?
-Jo. Nuk më zë gjumi. Jam ende e tmerruar, për gjithçka që ka ndodhur.
Ai buzëqeshi hidhur.
-E di, as unë nuk arrij ta besoj se si arriti situata deri në këtë pikë.
Ajo ktheu fytyrën nga ai, me gjithë ëmbëlsinë e saj.
-Dua që të vish këtu pranë meje.
-Por unë pranë teje jam.
-Eja këtu, në shtratin tim. Qendro pranë meje në kuptimin e plotë të fjalës. Më shumë se kurrë dua të të ndiej pranë vetes.Hermani u ul në shtratin e saj. Ajo e rrethoi me krahët e saj. Ai ndieu ngrohtësinë e atyre krahëve që i jepnin siguri sa herë që e rrethonin. E vështroi po aq ëmbël sa vetë ajo.
-Ndoshta nuk të kam folur asnjëherë kështu siç do të të flas tani. Të kam thënë gjatë gjithë kohës një mal me fjalë të bukura, por tani dua të them diçka të vërtetë për ty. E di Katerinë? Qëkur ti hyre sërish në jetën time, unë gjithmonë u gjenda aty për ty. Jeta ime nuk kishte, nuk ka, dhe nuk do të ketë kuptim pa ty. Jam kaq i dashuruar me ty, aq sa nuk arrij të gjej dot fjalët e duhura për të t'i thënë. Në sy të njerëzve, ti do të jesh gjithmonë një kryeneçe, por në sytë e mi... unë shoh një grua të mrekullueshme, e cila është e gatshme të rrezikojë për lumturinë e saj. Unë vazhdoj të shoh po atë Katerinë të entuziasmuar si ato ditët e para, kur ne të dy u takuam atje në Nju-Jork. Je po ajo, veçse me një dallim. Tashmë je rritur. A i mban mend ato ditë në Nju-Jork? Ato ditë të mrekullueshme që kemi përjetuar bashkë? Besoj se i mban mend, ashtu si unë. Nuk dua që ato ditë të mbarojnë me aq, dua të kem ditë të tjera të tilla me ty. Dua që... ti të jetosh. Të premtoj se nuk do të ketë më asnjë sekret nga e shkuara që të mund të prishë atë që ne të dy e kemi krijuar dikur. 'Ne të dy, e imagjinon dot?', a nuk ishte kjo një nga frazat e tua të shumta kritikuese? Tashmë e imagjinoj atë. Tani po. Vetëm tani mundem ta imagjinoj.
Ai filloi t'i lëmonte fytyrën ngadalë me dorën e tij të djathtë. Katerina mbylli sytë, e nuhati fort parfumin e tij si të donte ta ndiente gjithë qenien e tij brenda saj.
-Oh Herman... je shumë i mirë! Je njeriu më i mirë që ekziston.
-Si mund ta thuash këtë kur unë të shkaktova një mal me telashe?
-Ti je telashi im i vetëm, nuk mundem të jetoj dot pa ty. Edhe sikur të shkoj diku larg, mendja më shkon tek ti dhe them... ah sikur të ishe me mua në këtë moment. Të dua tmerrësisht shumë.
-Kaq shumë më do?
-Shumë, s'e ke idenë se sa...***
"Shpesh biem pre e ngjarjeve të jetës, ato ngjarje që nuk mund të largohen nga jeta jonë. Ose thjesht... siç thonë disa njerëz, fati është i shkruar. Po, edhe fati im dukej që ishte i shkruar...
Tani, thjesht kur kujtoj gjithçka që ndodhi, historia më vërtitet në kokë si melodia 'Danubi Blu' i Johann Strauss II, kaq ritmike dhe e qetë. Sepse tashmë dhe unë vetë jam e qetë. Siç e thashë, asgjë nuk ka mbaruar. Ky është fillimi i një faqe të re të kapitullit të jetës sime, pra historia ime ende vazhdon..."
أنت تقرأ
Andërllend (Misteri i një familjeje)
قصص عامةVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...