140.

62 4 0
                                    

-Po Alfred, e dëgjove mirë, Anastasia. Ç'të sjell ndërmend ky emër? Vallë pamja e saj ende ta venit fytyrën nga bukuria që dikur ajo zotëronte, apo zëri i saj i ëmbël dhe i rafinuar prej parisieneje tingëllonte në veshët e tu si zëri i një kanarine?
Alfredi filloi të merrte frymë me vështirësi.
-Anastasia... ka vdekur.
Hana u ul galiç.
-Jo Alfred, është gjallë. Është e gjallë dhe shëndoshë e mirë.
-Nuk të besoj... - belbëzoi ai me fytyrë të shuar.
-Problemi yt që nuk më beson, tani do të të bind vërtet që ajo është gjallë, - tha Hana dhe u ngrit në këmbë. Mori celularin e saj dhe i telefonoi një numri.

Një telefon cingëroi në tavolinën pranë një ballkoni ku shihej qartazi pamja e kullës Eifel. Aty pranë tavolinës gjendej një kolltuk i kuq, prej të cilit u zgjat një dorë misterioze gruaje. Mori celularin e vetë dhe e vuri në vesh.
-Atëherë?
-Zonjë, Alfredi është këtu, dhe nuk beson se ju jeni gjallë. Nëse është e mundur, do të dëshiroja që ju të flisnit vetë me të, në mënyrë që ai të bindet për ekzistencën tuaj.
Gruaja buzëqeshi.
-Me gjithë kënaqësinë time më të madhe.

Hana e vuri celularin në zë të lartë. Dhe e la në tavolinë, me qëllim që dhe Vinsenti të dëgjonte. Zëri i gruas filloi të kumbonte në celular.
-Përshëndetje Alfred Borton! Kënaqësia ime që flasim bashkë pas nëntëmbëdhjetë vitesh qëkur e gjithë Londra më di të vdekur.
-Anastasia... ti... ti je... gjallë? - e pyeti Alfredi duke belbëzuar.
-Hëh, shëndoshë e mirë si kokrra e mollës! Por ti nuk po më dukesh mirë nga zëri.
-Kanë ndodhur shumë gjëra që... nuk mundem të t'i shpjegoj dot.
-Nuk është nevoja të më shpjegosh asgjë, Alfred. Hana më ka treguar gjithçka që ke bërë dhe që po bën, dhe... meqë ajo të njeh mirë, e kam dërguar atë të vinte sërish në Londër, për t'u hakmarrë kundrejt teje jo vetëm për ato që i ke bërë, por edhe për gjithçka që i ke shkaktuar vajzës sime, Katerinës.
-E di Alfred? Katerina është gjallë, sepse e shpëtova unë, pak pasi ti u zhduke nga aty ku e hodhe trupin e saj. Ajo do të ishte mbytur vërtet po të mos isha unë aty për ta shpëtuar, - tha Hana.
-Çfarë?! Katerina... gjallë?! - reagoi i tmerruar Alfredi.
-Çfarë...?! - Vinsenti u shokua menjëherë sapo dëgjoi këtë.
-Po Alfred. Është gjallë, dhe derisa të vijë këtu bashkë me Hermanin dhe policët është thjesht çështje minutash, - iu përgjigj Hana me seriozitet.
-Më dëgjo mirë, Alfred. Ke vetëm pak kohë në dispozicion për të bërë zgjedhjen e fundit. Ose shko dhe dënohu në burg, ose Hana do të të vrasë ty bashkë me djalin tënd. Zgjidh e merr: ose jetën në burg, ose vdekjen më të tmerrshme që ekziston, të vritesh po me të njëjtën armë që u vra djali yt Nigeli. Dhe jam e sigurt se një vdekje të tillë nuk do ta përballoje dot, - reagoi gruaja në celular.
-Nuk kam zgjidhje tjetër... apo jo? - belbëzoi sërish Alfredi me krenarinë e tronditur.

-Ai do të bëjë zgjedhjen e parë, duhet të bëjë zgjedhjen e parë, - turfulloi Negroja në dhomën e xhamit.
-Që të përfundojë në burg? - e pyeti Vinsenti me zërin që i dridhej.
-Po... më beso, këtë qëllim ka dhe Biondja. Hakmarrja e saj kundrejt Alfredit është vetëm rrënimi i tij nga gjithçka që ka bërë. Vrasja është thjesht kërcënim, por Alfredi e di që ajo mund edhe ta vrasë vërtet. Biondja nuk ka këtë qëllim, ajo do thjesht që ky njeri të përfundojë në burg për gjithçka që ka bërë. Mezi pret që e gjithë kjo të mbarojë, sepse do që të largohet sa më shpejt e të takojë djalin e saj të vogël.

Vinsenti filloi të besonte në fjalët e Negros.
-Pra... ajo ka vërtet një djalë?
-Po, djalin e vëllait tënd.
-Unë kam një nip?
-Po, është një djalë që i ngjan shumë Biondes. Një djalë i vogël pesëmbëdhjetë vjeç, me flokë të verdhë dhe me sy ngjyrë hiri, por që nga forma e fytyrës i ngjan babait të tij. Madje mendoj se edhe kur të rritet do të ketë po atë fizik si të babait të vetë.
-Atëherë babai im duhet të bëjë zgjedhjen e parë.
-Pikërisht djalosh, kjo histori duhet të marrë fund. Duhet me patjetër një fund i lumtur edhe për zonjushën Katerinë.
Vinsenti u ndie disi më i lehtësuar.
-Katerina është gjallë... oh Zot! Ajo është gjallë, e dija që nuk kishte vdekur.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now