Darkë. Ata të dy ishin vetëm. E megjithëse orët kishin kaluar, fytyra e saj vazhdonte të shprehte një dhimbje të cilën e ndieu dhe Hermani brenda vetes. Ai iu afrua pranë.
-Kaq shumë dëshiron të hakmerresh, Katerinë?
-S'e ke idenë sa.
-Atëherë le të hakmerremi, të dy bashkë, ti për babain tënd dhe unë... për ty.
-Do të hakmerreshe... për mua?
-Gjithmonë... sa herë të më jepej mundësia. Do ta hidhja botën në ferr për ty. E urrej kaq shumë botën që nuk ka më shumë njerëz që të ngjajnë ty, por nga ana tjetër e falenderoj atë. Më bëri të njoh një krijesë kaq të mrekullueshme, kaq unike sa ti.
Ajo ndryshoi çehren menjëherë. Dhe ashtu, pa e ditur as vetë, në një mënyrë të pavullnetshme, Katerina iu afrua edhe më afër, duke buzëqeshur ëmbël.
-Herman Notlli... E di që nuk mund të më besosh dot tani, as vetë nuk i besoj këto që do të të them. Është e çuditshme por... në këto momente nuk mundem dot ta mohoj se ç'ndjesi më jep e folura me ty. Është ndjesia e marrëzisë që shpërthen diku brenda shpirtit. Është një ndjesi që vetëm ti arrin të ma dhurosh. Ti... je shndërruar në një person shumë të rëndësishëm për mua, dhe nuk do të mundesha kurrësesi të të zëvendësoja me dikë tjetër. Për herë të parë po arrij të shprehem kaq hapur, ndiej një forcë të çuditshme që më shtyn drejt teje.Ajo u ngrit me vrull nga shtrati. Diçka e çuditshme e pushtoi menjëherë, dhe as vetë nuk ia kishte idenë se çfarë po bënte.
-Është hera e parë që ndiej diçka të tillë për një njeri. Ndoshta po tregohem e marrë, ndoshta ti ke të drejtë. Ndoshta jam çmendur vërtet por... nuk mund të ta mohoj. Madje... jam pakëz me vonesë për të ta thënë, Herman. Kanë kaluar tre vjet që nga hera e fundit që të pashë. Je i vetmi person që... e mendoj, edhe pa dashur ta bëj këtë. Tani kam frikë të mendoj, sepse e di që ti do më shfaqesh aty si nga hiçi. Nuk e di përse ndodh kjo.
Hermani ndieu se ajo kërkonte veç një reagim prej tij. Një reagim të vogël fare.
Ai iu afrua nga pas dhe e ktheu me fytyrë nga vetja. E ajo vazhdoi sërish.
-Ti më bën... të ndihem çuditshëm... - belbëzoi ajo.
-Shhh, mos fol, - iu përgjigj ai, me gjysmë zëri.
-Herman...
-Mos... të lutem.
Por ajo s'kishte forcë për të ndaluar përballë tij.
-Përse përpiqesh të më shmangesh... kur e di që nuk e bën dot? Herman...
-Mos... Katerinë, mos. Mos guxo të thuash as edhe një fjalë më shumë për mendimet e tua. Të lutem, hesht.
-Jo Herman, tani nuk mund të hesht. Dhe nuk do të hesht më asnjëherë përpara teje, sa herë që dua të të them diçka. Ti ndoshta do që të më ndalosh ta bëj këtë por... jo tani, të lutem.Ai i hodhi një vështrim disi hutues.
-Nuk e di se ç'shikon ti tek unë, por duhet ta dish që unë nuk jam si gjithë të tjerët. Unë nuk jam aspak si ata meshkujt që tani ti i konsideron si ish- të dashurit e tu. Nuk jam si ata që kanë dashur veç të përfitojnë prej teje. Dhe nuk dua të përfitoj prej teje. Ndaj... shpesh veprimet e mija të bëjnë të mendosh se po të shmangem. Unë po përpiqem thjesht... të të mbroj.
Dhe vazhdoi sërish, me një fytyrë disi të trishtuar.
-Mund të them vetëm diçka. Ke shumë të drejtë, tmerrësisht shumë. Nuk mund të të shmangem, nuk e bëj dot. Edhe pse gjatë gjithë kohës mundohem të të rri larg, gjithmonë situatat më sjellin tek ti. Katerinë, unë...
Fjalët i ngecën Hermanit në gjuhë. Fytyra e saj filloi të shndrinte nga një buzëqeshje e çiltër femërore. Afroi duart e saj në fytyrën e tij, dhe preku butësisht faqet e tij. Hermani mbylli sytë, për t'u bërë njësh me prekjen e duarve të saj. Ajo vuri re dy sytë e tij të përlotur në fshehtësi.
-Herman, ti po qan? - e pyeti Katerina, dhe ashtu e buzëqeshur kapi njërën dorë të tij dhe u drejtua për nga shtrati i saj.E uli Hemanin përnjëherë, më pas u ul dhe vetë. E vështroi me krenari.
-Si fillim, ti nuk duhet të qash përpara fytyrës sime. E ke bërë këtë edhe kur ishim të vegjël, sapo mbaroja së rëni pianos, ti ngriheshe në këmbë duke qarë dhe duartrokisje. Nuk e kam kuptuar ndonjëherë se pse sa herë që vinte puna tek unë, ty të vinte për të qarë.
-Nuk po qaj, Katerinë.
-Atëherë ç'janë këta lot që shoh në sytë e tu?
Ai thjesht nuk ishte në gjendje të përmbahej. Mezi po e kontrollonte veten përpara saj. Donte t'i tregonte gjithçka, por nuk mundej, dhe si pasojë e kësaj veç ngecte në të folur, si një magnetofon i prishur i viteve të kaluara.
-Unë... unë thjesht...
-E çuditshme, ti po belbëzon përpara fytyrës sime sikur të të kem futur frikën për ndonjë gjë. Ah Herman, nuk je fare i aftë të flasësh një herë të vetme saktë përpara fytyrës sime.
-Unë... mendoj se kam filluar të të pëlqej... sërish.Ajo e vështroi me ironi.
-Herman, të gjithë meshkujt më pëlqejnë mua. Por askush nuk ka arritur deri në atë pikë sa të më dalë përballë e të më thojë që më pëlqen me të vërtetë, sepse kanë frikë të flasin përpara meje. E dinë që nuk do të munden asnjëherë të përballojnë tekat e mija prej pasanikeje. Dhe ja ku po ta them se unë e kam humbur shpresën se një ditë do ta gjej njeriun e duhur. Në jetën time kam hasur shumë lloje meshkujsh, të gjithë mendjelehtë, me mendje fëmije. Të gjithë më vardiseshin për shkak të pasurisë dhe pamjes që kam. Por nuk më pëlqen kjo gjë. Nuk kam nevojë për një mashkull me mendjen e një fëmije, ngelur ende në adoleshencë. Kam nevojë për një burrë që të ma thojë të vërtetën para syve, kam nevojë për një njeri ku mund të mbështetem e të gjej paqen që më mungon në ditët më të zymta të jetës sime. E di çfarë kërkoj unë? Një dashuri të komplikuar në thjeshtësinë e saj. Por a ekziston dikush që mund të ma dhurojë këtë lloj dashurie?
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...