"Ai më pushtoi të gjithën në një moment kur as vetë nuk e prisja. Ishte periudha më e mirë gjatë karrierës sime si modele në Nju-Jork. Gjithçka shkonte për bukuri. Isha njëzet e pesë vjeç atëherë, dhe e gatshme për çdo gjë, përfshirë dhe... gjetjen e mashkullit të duhur. Isha lodhur nga ata që më rrinin afër veç për pasurinë. Vendosa në një farë mënyre t'i jepja fund periudhës së ish- të dashurve të mi, duke pranuar që brenda qenies sime të hynte vetëm një mashkull, ai që do të më bënte 'viktimë' të tijën..."
Ata ishin aty, në dhomën e fotografive. Ai po rregullonte aparatin fotografik, duke e qendruar në kamalec. Ajo po priste të bënte fotot. Dhe në një moment, të dy ishin gati.
Pozat e saj ishin si gjithnjë të mrekullueshme, krejt femërore në llojin e saj. Ai dukej shumë i përqendruar, deri në momentin kur ajo u kthye në profil me shpinë nga ai. Ajo ishte thuajse e zhveshur, e mbuluar me një çarçaf, dhe fotot e saj duhet të dilnin ashtu. Ai u mundua të përqendrohej, edhe pse nuk arrinte dot t'i rezistonte pamjes së saj. Ndieu për një moment zemrën t'i rrihte fort, e frymën t'i vështirësohej. U mundua të gjente një justifikim për të dalë fare pak nga ajo dhomë.
-Katerinë, po shkoj të marr aparatin tjetër, fotot do të dalin më mirë me të, - u mundua të buzëqeshte.
-Në rregull, Herman. Mund të shkosh derisa të vishem, kemi të tjera foto për të bërë për këtë koleksion pozash, - u përgjigj ajo.Ai doli dhe shkoi të merrte aparatin tjetër, ndërkohë që filloi të qetësohej pak. Prania e saj e tundonte jashtë mase. Ndihej i lumtur dhe i tmerruar në të njëjtën kohë. Nuk dinte se çfarë po bënte.
Tek shkoi sërish për te Katerina, dëgjoi zëra; zërin e saj teksa klithte dhe zërin e një mashkulli tjetër. Hyri brenda. Një djalë e kishte kapur modelen dhe deshi t'i bënte keq, për sa kohë që ajo ishte vetëm. Nervat iu ngritën përnjëherë, fytyra i mori tjetër pamje. Shkoi menjëherë drejt agresorit dhe e kapi nga jaka e bluzës dhe e tërhoqi me forcë, duke e shukur në mur. E kishte kapur me një dorë në fyt dhe e kishte përplasur pas muri me gjithë forcën e vetë. Askush nuk mund t'i bënte keq asaj, askush. Ai nuk lejonte asnjë.E mbajti sa e mbajti të kapur për fyti, më pas e lëshoi të përplasej në dysheme. E kapi sërish nga jaka e bluzës dhe e vështroi me tërbim.
-Kush dreqin je ti? Çfarë kërkon këtu?
-Qetësohu o burrë! Unë nuk po bëja asgjë, thjesht doja të takoja atë bukuroshen. Ajo e di çfarë dua unë.
-Ti more pervers! - tha me tërbim dhe e gjuajti me grusht në fytyrë.
Dhe vazhdoi po me të njëjtin tërbim.
-Në qoftë se të shoh dhe një herë këtu, të betohem se do të ta marr shpirtin. Dhe më beso që nuk pyes për policinë. Nëse deri dje nuk e kishe parë djallin me sy, atëherë sapo u njohe me të në këto momente. Mos guxo të vish më këtu, more vesh? Tani shporru!Agresori ia futi vrapit sa më shpejt. Ndërsa Hermani u kthye nga Katerina, e cila vazhdonte të dridhej nga frika. Nuk mund të duronte ta shihte në atë gjendje, shkoi menjëherë drejt saj.
-Katerinë, çfarë ndodhi? Si hyri ai? Të bëri gjë? Më thuaj gjithçka, më trego, të lutem, - tha ai teksa ia mbante fytyrën me duar.
Ajo filloi të qante, dhe e përqafoi menjëherë.
-Më ndihmo Herman, më ndihmo të shpëtoj nga kjo mesele. I kam hapur shumë probleme vetes. Dua të përfundojë gjithçka që kam bërë.
-Çfarë ke bërë Katerinë, në çfarë meseleje je futur?
-Ai... ishte një nga ata ish- të dashurit e mi dhe, donte të më...
Hermani e kuptoi menjëherë se çfarë donte t'i thoshte Katerina. Ajo vajzë që ia kishte vjedhur mendjen, që gati sa ia kish rrëmbyer edhe shpirtin, po e përqafonte. Një gjë që atij nuk i kishte ndodhur ndonjëherë në këtë mënyrë. Mbylli sytë, duke dashur ta ndiente brenda vetes.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...