65.

98 5 0
                                    

Një Maserati kabriolet arriti në drejtim të shtëpisë që gjendej 1 km larg nga shtëpia e Andërllendëve, në të majtë. Ishte Katerina që zbriti prej saj. Iu afrua shtëpisë së vetë me dyshim. Mos vallë ai kishte hyrë këtu dhe po priste që dhe ajo të shkonte tek ai? Katerina shkoi drejt bravës dhe bëri një provë për të parë në ishte hapur dera apo jo. Dera ishte e mbyllur. Ajo e hapi derën dhe hyri brenda.
Hyri në korridor, prej së cilit shkoi drejt dhomës së pritjes. Mori një gotë dhe e mbushi me ujë. E vuri gotën në buzët e saj, për të pirë.

-Edhe mënyra se si e mban gotën e ujit duket interesante... - u dëgjua një e pëshpëritur pas veshit të saj të majtë.
Ajo i zmadhoi sytë, ndieu sërish një drithërimë në stomak. Rrahjet iu shpejtuan kur ai afroi fytyrën e vetë ngjitur pas flokëve të saj anash qafës. Krahët e mëdhenj të tij e rrethuan gjithë trupin e saj.
-Herman... çfarë mendon se po bën? Mos do që të na vësh në rrezik?
-Nëse mendon se ne të dy jemi në rrezik vetëm sepse ke frikë për ngjallje dyshimesh tek të tjerët, e ke gabim. Unë jam vetë pjesë e rrezikut, e dashur. Je ti që po më ndjek nga pas, je ti ajo që e adhuron rrezikun për sa kohë që jam unë brenda tij.
-Ti je rreziku im i preferuar, - tha ajo me një zë të butë e të ëmbël.

Ai ia mori gotën nga duart dhe e vendosi mbi tavolinë. Aroma e trupit të saj i shkoi direkt në hundë.
-Ajjj, ke bërë dush?
-Mmm... po. Nga e kuptove?
Ai buzëqeshi.
-Nuk është e vështirë për t'u kuptuar. Aroma e trupit tënd është ndryshe nga të tjerat pasi bën dush.
-A thua se është ndryshe?
-E do me provë? - i pëshpëriti sërish dhe ia anoi flokët në anën e djathtë me duart e veta.

Ajo ndieu buzët e tij mbi supin e saj gjysmë zbuluar, teksa ai po e puthte ngadalë.
-Mos rri e zbuluar tani që ka hyrë muaji nëntor. Nuk dua të sëmuresh.
Ajo buzëqeshi ëmbël, u kthye nga ai dhe ia përshkoi duart pas qafës. Iu ngjit pas trupit si të donte ta ndiente brenda vetes.
-Mos u merr me mua, Notlli. Më mirë më rri larg përpara se të shpërthejë ndonjë shkëndijë.
-Shkëndijat kanë shpërthyer me kohë mes nesh. Ti e di më mirë se kushdo tjetër efektin që shkaktojnë ato shkëndija. Por... nëse do që të mos shkaktojnë ndonjë katastrofë emocionale, atëherë do të bëj si të dëshirosh ti... engjëll, - i tha ai ende me të njëjtën fytyrë karizmatike.
Katerina buzëqeshi me ironi.
-Herman, ti e di që unë nuk jam dhe aq engjëll sa thua ti.
-E di, por mua më pëlqen të të quaj kështu në këtë moment.
-E përse?
-Sepse kështu je për mua.
-Dhe ti je një djall që po e çon këtë engjëll të shkretë drejt mëkatit.
-Uuu, sapo më bëre kurioz të di se si do të reagosh ndaj këtij mëkati, vogëlushe.
Fjalët e tij të fundit patën një reagim joshës brenda Katerinës. Ajo dinte çdo gjë që Hermani dëshironte, dinte çdo lloj fantazie që ai kishte për të. Dhe mbi të gjitha, e dinte që ai donte të përjetonte gjithçka vetëm me të. Sepse gjithçka që kishte e ndante me të.

Darkë në Londër. Natë as e zhurmshme e as e qetë. Pak më vonë, ajo po përgatiste darkën.
-Sot do të gatuaj ushqimin që ti pëlqen më shumë.
-Ta kam thënë ndonjëherë se ç'mirësi të buron nga shpirti?
-Herman, unë nuk jam njeri i mirë. Je ti që më kthen në të tillë.
Ajo heshti për njëfarë kohe. Pastaj foli sërish.
-M'u kujtua Ana tani, që të pyeti se përse nuk martohesh me mua. Dhe me të drejtë më takon mua të të pyes se përse nuk martohesh me mua.
-Po më propozon tani?
-Jo. Ajo që dua të them është se, përse jetojmë të fshehur nga të tjerët kur mund të jetojmë si një çift normal në sy të të gjithëve?

Fytyra e tij u vrenjt. Ajo e vuri re. Shkoi pranë tij dhe u ul përballë.
-Herman, të lutem mos e vrenjt fytyrën ashtu. Nëse po t'i them këto fjalë, ta dish që nuk t'i them për keq. Jam tridhjetë e dy vjeç, Violeta mezi pret të më shohë të martuar. Të gjithë këtë po presin nga unë. Në fund të fundit çfarë më ka ngelur tjetër? Studimet i kam mbaruar me kohë, punoj në kompaninë e modelingut që kish pasur dikur babai im, jam një grua me karrierë të shkëlqyer, jam e pavarur nga të gjithë... përveç teje. Ti je i vetmi që po më detyron të bëj çfarë thua ti. Dhe e di përse të bindem? Jo se kam frikë nga ti, por sepse të dua. Për asnjë arsye nuk dua të të humbas, do të vdisja për ty vetëm që ti të jetosh me mua.
-Unë me ty po jetoj, Katerinë.
-Jo, Herman. Kjo nuk është jetesë, është mbijetesë. Mbijetesë në fshehtësi. Kam dhjetë vjet qëkur jam shndërruar në një 'viktimë' për hir të asaj dashurie që ke për mua sepse, nuk doja që dhe ti të bëheshe njësoj siç u bëra unë kur...

Ajo e la përgjysëm fjalinë. Hermani spikati një trishtim në fytyrën e saj. Ai u ngrit në këmbë dhe e tërhoqi Katerinën sipër. E vështroi me dhembsuri, sikur ajo të ish një qenie e pambrojtur.
-Ç'është ky trishtim në sytë e tu të larmë? Nuk dua të trishtohesh, Katerinë. Nuk më pëlqen aspak kur ti trishtohesh, më dhemb në shpirt. A e di se ti je gjëja më e shtrenjtë që kam? Dhe për asnjë arsye, nuk do të lejoj që trishtimi të pushtojë fytyrën tënde të bukur. E di që të kam detyruar të jetosh kështu, e di shumë mirë që nuk të pëlqen kjo gjë. Por më beso, një ditë do të të kthej gjithë jetën që të kam vjedhur.

"Sikur ta dije, vogëlushe. Sikur ta dije se ç'lojë po luhet me jetën tënde..."

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now