7.

173 6 11
                                    

U bë një javë qëkur Katerina po qëndronte në shtëpinë e madhe të Andërllendëve, në shtëpinë e fëmijërisë së saj. Dhe e gjithë java ishte një makth i vërtetë. Ëndrrat makth nuk kishin të sosur, çdo mëngjes zgjohej duke ulëritur e tmerruar. Simptomat e së shkuarës iu shfaqën sërish. Ai ambient po e çmendte. Çdo natë përpëlitej në shtrat teksa shihte gjithë të shkuarën t'i vërtitej në ëndrrat e saj. Dhe Violeta ishte ajo që përpiqej ta zgjonte sa herë që Katerina nuk mund t'i hapte sytë teksa vuante në gjumë.

Ashtu ndodhi dhe të dielën në darkë. Katerina kishte rënë herët në gjumë, ishte tejet e lodhur. Dhe Violeta shkoi ta kontrollonte nëse ishte mirë apo jo. Por e gjeti duke u përpëlitur në gjumë. Kësaj radhe, për pak mbyti veten me çarçafin rreth qafës teksa e shtrëngonte në momentin që po shihte një tjetër ëndërr makth. Dukej sikur donte të shpëtonte nga duart e dikujt.
-Katerinë, Katerinë! - bërtiti Violeta e shqetësuar.
Shkoi menjëherë aty dhe u mundua t'ia hiqte çarçafin nga qafa, por Katerina e shtrëngonte gjithnjë më shumë.
-Alan, eja menjëherë këtu! - ulëriti Violeta.
Alani e dëgjoi menjëherë zërin e shqetësuar të gruas së tij dhe i ngjiti shkallët me vrap. Hapi derën me vrull dhe iu afrua shtratit.
-Alan, Katerina po mbyt veten. Të lutem më ndihmo! Hiqja këtë çarçaf nga fyti përpara se të mbytet plotësisht, - tha Violeta teksa e shkundte Katerinën për ta zgjuar.
Alani u mundua ta hiqte çarçafin, por forca e Katerinës ishte e madhe.

Dhe në një moment, Katerina u ngrit në gjysmë të trupit me një shpejtësi marramendëse, dhe ulëriti fuqishëm me sytë e hapur tej mase që i ishin bërë flak të kuq. Më pas ngriu për një moment, ashtu e qullur e gjitha në djersë të ftohtë. Alani ia kishte hequr çarçafin plotësisht nga qafa.
-Katerinë? - Violeta po e shihte e tmerruar.
Katerina mori frymë thellë dhe ra menjëherë në shtrat. Violeta u tmerrua më shumë, Katerina nuk po reagonte. Violeta filloi ta shkundte trupin e Katerinës.
-Katerinë, Katerinë!

"Dhe makthi im sapo ishte zgjuar sërish. Përsëri, në këtë shtëpi. Dhe gjendja ime frikësoi përnjëmend Violetën, e cila gati sa s'u çmend duke më parë të vuaja e të reagoja në atë mënyrë në gjumë. Isha duke vrarë veten në gjumë, makthi im i së shkuarës po më vriste. Violeta u tmerrua, dhe nga e gjithë kjo nisi aksionin e saj me mua. Aksionin 'psikologu', siç e quaj unë. U përgatit të më sillte surprizën më të 'bukur' të mundshme. E bukur i thënçin!"

Mëngjesi i së hënës, shpesh herë pa ndonjë surprizë të veçantë, do të ishte dita e surprizave për dikë që jetonte në qendër të qytetit, e që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në zyrën e tij të takimit me pacientët e tij. Teksa po pinte kafen e mëngjesit e po shikonte oraret e pacientëve të tij me probleme emocionale mendore, asistentja e tij personale sapo hyri në zyrë. Ai buzëqeshi, siç bënte gjithmonë.
-Mirëmëngjes Elsa, ke ardhur herët sot.
-Mirëmëngjes z. Hostler.
-Ç'të solli në këtë orë të mëngjesit në zyrën time?
-Një letër për ju.
Reagimi i tij qe një farë habie që i shtrembëroi fytyrën.
-Uau, sa kohë kam qëkur nuk e dëgjoj frazën 'një letër për ju'. Akoma ka njerëz në këtë botë që shkruajnë letra?
-Mesa duket po, - iu përgjigj Elsa.
-Mirë, lëre letrën në tavolinën time dhe dil.
Elsa u afrua pranë tavolinës, la letrën e doli. Ndërsa ai vazhdoi të pinte kafen e mëngjesit. Ajo e sillte shpesh herë në formë të mirë.

Ndenji për pak kohë ashtu i ulur në tavolinën e tij të punës, teksa shikonte atë letër të pahapur. Kurioziteti nuk e la të mendohej gjatë në duhet ta hapte apo jo. Pastaj, ai nuk i besonte letrave, nuk ishte njeri letrash. Ai ishte njeri i teknologjive, preferonte ta kalonte kohën para kompjuterit të tij. E megjithatë, ai nuk priti më. E hapi letrën.
-Pa të shohim nga kush është... Ou, çfarë rastësie! Një letër nga Violeta, mikesha ime e vjetër. Mesa duket qenka kthyer në Londër pas qëndrimit në Oksford dhe... uau, dashka që të vizitoj motrën e saj. Qëkur Andërllendët paskan probleme psikologjike mendore? Ata njihen si familje me shëndet të mirë, por dikush na paska dalë problematike. Hëh, çfarë surprize që në mëngjes! Tani më duhet të dal e të shkoj atje sepse zonjusha nuk mund të vijë vetë. Hëh, aristokratët! - mendoi me zë teksa lexonte letrën.

Ai u bë gati të dilte nga zyra e tij. Doli dhe zbriti shkallët, dhe u gjend në rrugë. Filloi të përshkonte trotuarin me këmbë. Nuk kishte nevojë të udhëtonte me makinë për të mbërritur në pronën Andërllend, për pesëmbëdhjetë minuta me këmbë mbërrinte atje. Këtë rutinë të lëvizjes me këmbë e bënte për të mbajtur trupin në formë pasi i kushtonte shumë rëndësi shëndetit.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now