Bonus - Fjalët e pathëna të autores (11.02.2020).

96 3 3
                                    

Një rrëfim i sinqertë i imi si autore e historisë.

Si fillim... dua të falenderoj shumë të gjithë lexuesit e kësaj historie, për të vetmen arsye thelbësore. Ju jeni të vetmit që ia shtoni suksesin kësaj historie në çdo lexim tuajin.

Në këtë rrëfim, dua t'ju tregoj diçka mbi këtë histori, diçka që më shtyu të shkruaja një histori të tillë. Pra, le të hyjmë në temë. Si nisi e gjithë ideja e të shkruarit një libër nga ana ime e deri në krijimin e kësaj historie?

Fillimi i krijimit të historive për mua ka nisur herët, rreth vitit 2007, por nuk ka nisur me shkrim. Në fillim, gjithçka që bëja ishin vetëm vizatimet. E mbaj mend mirë atë datë. Ishte mëngjesi i datës 27.07.2007 kur kam blerë bllokun tim të parë të shënimeve, që ishte një bllok i trashë matematike me kopertinë jeshile (që fatkeqësisht nuk e kam më pasi më humbi). Ai bllok ishte pikërisht fillimi i krijimit të botës sime imagjinare të fëmijërisë. Atje vizatoja shpesh personazhe imagjinarë, dhe personazhi im i parë ka qenë një mace që quhej Sabrina. Pse mace, do të pyeste dikush? Epo, për shkak se unë i kisha dhe vazhdoj t'i kem qejf macet. Janë një nga kafshët e mija të preferuara. Dhe siç po thoja, kur e kam vizatuar për herë të parë atë personazh, më pëlqeu aq shumë, sa vendosa ta vizatoja sërish, por në një formë tjetër. Dhe aty më lindi dëshira për të krijuar histori. Shpesh bazohesha nga filma të animuar për të krijuar historitë e mija pasi në atë kohë, të gjithë personazhet e mi ishin personazhe me fuqi të mbinatyrshme.

Kam filluar të lexoj libra jashtëshkollorë për herë të parë rreth moshës 9 - 10 vjeç, dhe pikërisht ai moment filloi të aktivizonte më shumë imagjinatën time mbi historitë dhe librat. Dhe krejt papritur, brenda meje lindi dëshira për të shkruar, pra, doja t'i vazhdoja historitë e mija në një nivel më shumë se ai i të vizatuarit, t'i çoja në nivelin e të shkruarit. Dhe historia e parë me shkrim dhe me vizatim ka qenë historia e një vajze me fuqi të mbinatyrshme. Krijova dhe shumë histori të tjera të tilla pas saj, deri në momentin kur mendova se erdhi koha të shkruaja një histori me njerëz realë, që i përkasin një bote më reale, kësaj ku ne jemi.

Duhet të theksoj diçka shumë thelbësore. Në atë kohë, unë kam qenë një fëmijë shumë, po shumë i turpshëm, dhe shumë misterioze. Historitë e mija nuk ia tregoja askujt, sepse kisha frikë nga mendimet e njerëzve mbi ato që krijoja. Duhet t'i ruaja me çdo kusht ato histori prej njerëzve që më rrethonin, sepse për ata, historitë e mija ishin thjesht humbje kohe për mua apo thjesht budallallëqe. Dhe e urreja këtë gjë prej tyre. E urreja faktin se ata nuk e kuptonin artin tim të imagjinatës. Unë nuk isha si gjithë fëmijët e tjerë, nuk e ndieja kurrë veten si njeri normal. Gjithmonë mendoja se brenda meje ekzistonte një forcë e mbinatyrshme për të bërë gjëra që jo të gjithë arrijnë t'i bëjnë. Ndërkohë që gjithë vajzat normale moshatare me mua në atë kohë luanin me kukulla Barbie dhe ëndërronin për princin e tyre të kaltër, unë isha duke krijuar një univers të tërë imagjinar në kokën time, e duke harxhuar një tufë fletoresh vetëm me vizatime dhe shkrime. Për të tjerët, gjithçka që bëja ishte një humbje kohe, por askush nuk e kuptonte se vetëm nëpërmjet imagjinatës sime unë arrija të kuptoja se si ishte bota në realitet.

E gjithë kjo sjellje nga ana e atyre që më rrethonin, më bënte mua një njeri shumë më të vetmuar. Ajo për të cilën kisha nevojë dikur ishte besimi i të tjerëve tek unë. Por thjesht kuptova se askush nuk do të mund t'i shihte gjërat me atë sy që unë i kam parë gjithmonë. Kështu, gjithë historitë e mija mbetën të fshehura prej botës për vite me radhë...

Momenti kur vendosa të shkruaja këtë histori të quajtur "Andërllend" më lindi krejt papritur në kokë disa ditë përpara se ta shkruaja. Data e saktë kur nisa të shkruaja rreth saj ishte pikërisht 11.02.2017 (që nënkupton se sot bëj 3 vjet qëkur e kam krijuar). Dhe për të shkruar rreth personazheve u bazova pak nga gjëra që i kam parë apo përjetuar vetë, por siç e kam thënë në fillim të historisë, kjo nuk ka të bëjë aspak me jetën time aktuale reale.

Arsyeja e vetme pse kam shkruar një histori të tillë është kjo: Doja të sfidoja veten time për të shkruar diçka ndryshe, dhe mbi të gjitha, ta përfundoja gjer në fund. Fillimi i një historie të shkruar mirë, për mua është pjesa më e vështirë se vetë fundi. Unë sapo e kisha filluar, por ende nuk ia dija fundin kësaj historie që zgjati 2 vjet duke u shkruar nga unë. Në fillim kam nisur ta shkruaj nëpër fletë formati, deri në momentin që bleva një laptop për ta vazhduar më tej. Shpesh tundohesha nga ideja se nuk mund të vazhdoja më së shkruari, shpesh idetë e vazhdimit të historisë ngecnin në mes të rrugës së të shkruarit. Kalonin javë të tëra pa asnjë ide në kokën time. Dhe fap, idetë vinin pas ca kohësh si me magji. Ishte e vështirë, realisht, të shkruaja një histori si kjo. Por unë ia dola ta përfundoja. Gjeta vullnetin e duhur...

Një ditë, dikush më tregoi për aplikacionin Wattpad, ku shumë njerëz postonin historitë e tyre. Unë as që ia kisha idenë se ekzistonte ky aplikacion. Më vonë jam regjistruar këtu, nga ku nisa të lexoja histori të ndryshme, dhe u habita kur pashë se, përveç të huajve kishte edhe shumë shqiptarë që kanë shkruar historitë e tyre këtu, që kanë publikuar një pjesë të shpirtit të tyre për të gjithë ata që i lexojnë historitë e tyre, nga kurioziteti për të parë reagimet e të tjerëve. Në fillim isha ende e pasigurt nëse ishte apo jo ide e duhur për ta postuar historinë time këtu. Dhe më në fund, një ditë të bukur nëntori të vitit 2019, gjeta guximin për ta postuar historinë time. Ishte hera e parë për mua dhe kisha realisht shumë emocione. Në disa momente mendoja se historia ime do të ishte një dështim. Por tani, kur shoh se si numri i lexuesve të kësaj historie po rritet, nuk e di. Kjo më lumturon në vetvete. Për mua është e rëndësishme kjo gjë, fakti se tashmë kushdo mund ta lexojë historinë time, sikundër gjithë historitë e tjera.

Gjithmonë kam patur një ëndërr që prej momentit kur kam nisur të shkruaj histori për herë të parë. Gjithmonë kam dashur të shkruaj një libër. Dhe e bëra, në një farë mënyre. Dhe mbi të gjitha, e kam postuar këtu. Vetëm ideja se kam shkruar një histori të gjatë rreth 500 e ca faqe fletë formati, thjesht kjo më bën të mendoj se mund të arrij të bëj shumë gjëra të tjera më të mëdha. Unë e di që kam guxim, kam shumë, por vetëm tani kam arritur të gjej vullnetin për të guxuar të bëj gjëra që i dua. Dhe nuk më intereson më nëse njerëzit më paragjykojnë për ato që kam shkruar. E rëndësishme është fakti se e kam gjetur sërish veten time, pas gjithë asaj kohe që e humba. Dhe tani... nuk i dihet se çfarë do të më sjellë e ardhmja. Uroj vetëm që frymëzimi, kreativiteti, dhe imagjinata që kam të mos shuhen kurrë, sepse këto tri elementë më bëjnë mua atë që jam sot.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now