9.

162 6 1
                                    

Zedersoni gjeti një karrige, atë që Katerina e përdorte për t'u ulur para pasqyrës sa herë krihte flokët. E mori atë karrige dhe iu afrua shtratit të Katerinës. U ul në karrige dhe filloi ta vëzhgonte me vëmendje të madhe. Katerina e pa e bezdisur, dhe mendoi se ky do të ishte rasti më i mirë për të turfulluar nga nervozizmi.
-Mirë ajo që iku, po ti pse rri akoma këtu? E kupton që nuk kam nevojë për asnjë psikolog? Ata janë të mërzitshëm, bëjnë vetëm pyetje, dhe nuk japin zgjidhje konkrete. Ndërsa motra ime mendon se jam e çmendur. Ka më bukur? Tani do të çmendem më shumë. E vetmja gjë që mund të them është se bëra gabim që u ktheva në këtë shtëpi të mallkuar. E dija që Violeta do të sillte një tjetër psikolog për mua. Dhe ja ku dole ti. Më thuaj, vërtet mendon Violeta se ti do të më shpëtosh nga makthet që shoh çdo natë? Sepse të vetmet gjëra që ka parë Violeta çdo natë në dhomën time janë përpëlitjet e mija mbi shtrat teksa shoh ëndrra të frikshme nga e shkuara. Mos vallë mendon ajo se duke të të sjellë ty deri këtu atëherë ti do të më shpëtosh? Përgjigja është jo. As ti dhe asnjë tjetër nuk mund të më shpëtojë nga e shkuara ime. Ajo është aq e errët sa ti do të humbisje në të, ndaj më mirë largohu nga dhoma ime.

Zedersoni po e shihte me aq vëmendje këtë femër që i jepte përshtypjen e një kafshe të tërbuar.
-Mesa kuptova, ka tre gjëra që të shqetësojnë ty. E para është Violeta, e dyta është prezenca e psikologut, dhe e treta është e shkuara jote. Dhe nga këto të treja, cila të shqetëson më shumë? Çfarë të shqetëson kaq shumë... Katerinë?
Kjo pyetje ia uli papritur nervat. Ajo ndieu një trishtim të thellë në vetvete.
-Gjithçka... zoti psikolog. Gjithçka. Dhe jo vetëm këto tre gjëra. Më shqetëson qëndrimi në këtë shtëpi, prezenca e njerëzve që ndërhyjnë në jetën time, ky vend ku kam lindur e jam rritur për disa vite. Më pas mu desh të shpërngulesha nga këtu, të nisja një jetë të re diku larg, pa praninë e njerëzve që njoh. Doja t'ia dilja me forcat e mija. Dhe e bëra. Tani jam një femër e suksesshme që po njihem në të gjithë botën, kam një kompani modelingu për të cilën punoj fort, kam njerëz që më vlerësojnë vërtet për atë që jam dhe për atë që përfaqësoj. Unë përfaqësoj ata njerëz që bien e që ngrihen sërish në këmbë, pa ndihmën e askujt. Por që, sado të luftoj me të tjerët, sërish nuk mund të luftoj me të shkuarën time.

Zedersoni buzëqeshi.
-Për një moment mendova se do më përgjigjeshe me nerva.
-Ashtu mendova dhe unë, por thjesht po përpiqem të tregohem sa më e sjellshme.
-Atëherë, le të nisim me pyetësorin... - tha ai.
Katerina shtrembëroi fytyrën.
-Ja, doli ajo që thashë për psikologët. Sinqerisht, nuk keni ndonjë gjë më të mirë për të bërë?
-Jam thirrur të konsultoj me ty, zonjushë...
-Katerinë Evë Izabelë Andërllend.
Ai e vështroi disi çuditshëm.
-Ky është një emër disi i gjatë. Të thërrasin me ndonjë emër më të shkurtër?
-Po, Katerinë ose Kei.
-Kombinim interesant i inicialeve të para të tre emrave të tu. Atëherë... unë vendosa të të thërras znjsh. Kei.
-Kur e thoni atë emër më kujtoni Nensin.
-Kush është Nensi?
-Shërbyesja ime, që Violeta e detyron të bëjë gjithë punët e shtëpisë sa herë që nuk jam unë këtu, edhe pse ka dy shërbyese të tjera që një Zot e di se për çfarë i mban.
Kjo e fundit e bëri Zedersonin të buzëqeshte.
-Dakort, tani do të të bëj disa pyetje dhe ti do më përgjigjesh.
-E di, është fraza që kanë thënë dhe pesëmbëdhjetë psikologët e mi të dikurshëm.
-Më fal, sa the se ishin?
-Pesëmbëdhjetë psikologë, brenda një muaji.
-Po përse kaq shumë?
-Për këtë duhet të pyesni Violetën. Ajo m'i solli.
-Përderisa janë kaq shumë... atëherë motra jote e ka një arsye.
-Po, arsyeja kryesore është të më çmendë mua më shumë.
-Znjsh. Kei, motra jote është tej mase e shqetësuar për ty, prandaj dhe më solli mua këtu. Ti ndoshta nuk e kupton por ajo shqetësohet për ty më shumë se kushdo tjetër.
-Nuk është e nevojshme të shqetësohet tani pas kaq vitesh për mua. Të dyja jemi të rritura, të dyja kemi jetët tona. Por ajo ka një gjë të keqe, Violeta kërkon të më bëjë dhe mua si veten e saj. Unë nuk mund të bëhem si ajo, zoti psikolog. Nuk mund të mbyllem njëherë e mirë në këtë shtëpi të ndyrë.

Diçka në të folurin e Katerinës e ngacmoi Zedersonin. Ai nuk kishte ndonjë pyetësor real për t'i bërë, pyetjet i vinin natyrshëm.
-Znjsh. Kei, më trego diçka për veten tënde. Për shembull, përse ke një emër kaq të gjatë?
-Emri im i vetëm është Katerinë, dy emrat e tjerë janë të gjysheve të mija. Evë quhej gjyshja nga babai ndërsa Izabelë quhej gjyshja nga mamaja. Ja dhe arsyeja se pse kam një emër kaq të gjatë.
-Të pëlqen emri që ke?
-Jo, është shumë i gjatë. Më mirë të mos m'i kishin vënë emrat e gjysheve. Do të isha quajtur thjesht Katerinë Andërllend. Por që si përfundim quhem Katerinë Evë Izabelë Andërllend.
-Në rregull, tani do të të pyes për diçka tjetër. Në këtë shtëpi të madhe jeton vetëm Violeta dhe familja e saj?
-Po, ajo u kthye sërish këtu pas qëndrimit në Oksford.
-Po prindërit e tu?
Katerina heshti për pak. Zedersoni u mundua të mos e vinte në vështirësi.
-Nëse do, mund të mos i përgjigjesh pyetjes.
-Jo, nuk e kam problem. Thjesht... nuk ndihem dhe aq mirë kur i kujtoj prindërit e mi. Nuk kam shumë momente të bukura prej tyre.
-Cili ka qenë shkaku?
-Kanë vdekur... ose të paktën kështu e di unë, se dhe mamaja vdiq. Kështu më ka thënë Violeta, se mamaja vdiq nga një atak zemre pas vdekjes së babait. Por si mund të ndodhë diçka e tillë kur mamaja dhe babai u ndanë? Nuk ka kuptim. Mamaja ime filloi ta urrente babain. Nuk mund ta donte më, dhe kjo ndodhi krejt papritur. Jam e sigurt që Violeta më fsheh diçka në lidhje me mamanë. Nëse ajo do të kishte vdekur, atëherë do ta kisha ndjerë sepse kam qenë shumë e lidhur me mamanë time. Por tani nuk jam më e sigurt për asgjë. Edhe pse për Violetën nuk ia vlen të flas më për të shkuarën time, unë nuk mund të hesht. Isha vetëm trembëdhjetë vjeç kur babai vdiq. Pas vdekjes së tij... nuk doja të kthehesha më këtu. Ndaj bëra çmos të largohesha sa më parë nga këto mure që më rrethojnë. Por sërish kthehem këtu, dhe sa herë që kthehem përjetoj vetëm makthe.
-Makthet kanë lidhje me të shkuarën tënde?
-Po, për fat të keq. Nuk kam një të shkuar të bukur, e shkuara ime është shumë e errët, dhe... aspak e këndshme.
-Kam dhe një pyetje të fundit në lidhje me makthet e tua, por dua që të ruash qetësinë. Çfarë shikon më shpesh në to?
Katerina filloi të ndihej krejt papritur keq. Frymëmarrja e saj filloi të vështirësohej.
-Babanë tim dhe...
-Znjsh. Kei, a ndihesh mirë? - pyeti Zedersoni i shqetësuar.

Skena e së shkuarës i kaloi dhe njëherë në mendje. Makthi u zgjua sërish. Sytë e saj u zmadhuan tej mase. Buzët i kishte gjysmë të hapura. Fryma i dridhej përmes tyre. Dhe papritur, për një moment ajo ndaloi. Fytyra e Zedersonit iu shndërrua brenda sekondës dhe i ngjau si fytyra e babait të saj. Katerina humbi kontrollin e vetëdijes.
-Dil jashtë... - tha teksa ia kishte ngulur sytë me nervozizëm.
-Znjsh. Kei...
Aty e humbi vetëdijen komplet. Nervozizmi i saj arriti kulmin. U ngrit nga shtrati me vrull, e kapi Zedersonin nga krahu dhe e nxori me forcë.
-Dil jashtë! - ulëriti dhe e mbylli derën me forcë.
Në atë moment Violeta erdhi menjëherë aty sapo dëgjoi përplasjen e derës.
-Katerinë çfarë bën? A nuk të kam thënë të mos i shukësh dyert? - tha teksa hyri në dhomën e Katerinës.
Shqeu sytë, Katerina kishte rënë sërish mbi shtrat pa ndjenja.
-Oh, jo sërish! - reagoi Violeta.
Doli nga dhoma dhe i thirri sërish Alanit, i cili erdhi me vrap për aty. Të dy u futën në dhomë, ndërkohë që Zedersoni nuk po kuptonte asgjë.
-Alan, njofto ambulancën. Katerina nuk po merr frymë! - klithi Violeta.

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now