148.

61 4 0
                                    

Katerina eci ngadalë dhe u ul pranë motrës së saj, në të majtën e Violetës. Mori frymë thellë. Nuk ishte ndjerë ndonjëherë më e përhumbur se në atë moment.
-Violetë... ka shumë gjëra që... ne të dyja nuk i dinim për familjen tonë. Kështu që... unë i zbulova... duke rrezikuar madje dhe jetën time. Duhet të dish si fillim që... Hermani dhe unë... domethënë ne të dy... kemi bashkëpunuar për të gjitha këto kërkime. Kam patur edhe njerëz të tjerë pranë por... askush nuk më ka ndihmuar më shumë se ai. Madje duhet të dish që martesa ime e fshehtë me Vinsentin ishte e rreme. Gjithçka ishte pjesë e një plani për të zbuluar se kush po mundohej të më vidhte pasurinë... dhe doli që ishte Alfredi, babai i Vinsentit. Këtë plan kishte pasur që në kohërat e vjetra. Ai u mundua të më vriste, dhe pikërisht aty jam zhdukur unë. Ai më goditi pas qafe dhe më hodhi në det. Më pas e kam gjetur veten krejt papritur në Paris, në vendlindjen e mamasë sonë. Aty kam ritakuar Hermanin. Takimet tona kanë qenë më të shpeshta kur isha në Nju-Jork. Zbulova një anë tjetër tek ai, në fakt zbulova shumë anë të fshehta tek Hermani. Pastaj, në Paris gjeta ditarin e mamasë. Atje zbulova shumë gjëra për të. E kam atë ditar në valinxhen që kam lënë në shtëpinë e Hermanit, këtu në Londër. Mund ta lexosh atë.

Violeta nuk mundi ta mbante më veten, u përlot.
-Pusho!
-Ti e di që unë e urrej atë fjalë Violetë. Por nuk do të pushoj, dhe ti duhet të më dëgjosh. Mos u përpiq ta shmangësh të vërtetën që po të them.
-Katerinë mjaft! Nuk dua të dëgjoj asgjë më shumë për të kaluarën e familjes. Nuk dua të di më asgjë.
-Nuk do të dish nëse ndiej sadopak dashuri prej motre për ty?
Violeta ktheu kokën nga Katerina.
-Ti nuk më ke dashur ndonjëherë Katerinë.
-Fakti se jam treguar e ftohtë me ty nuk do të thotë se nuk të kam dashur asnjëherë. Unë thjesht jam përpjekur të të mbaj larg telasheve të mija.

Katerina iu afrua me vrull dhe e përqafoi.
-Violetë... jeta ime nuk do të kishte kuptim pa ankesat e tua për mua. Nuk do të kishte fare kuptim. Unë thjesht jam një motër e keqe. Jam një nga ato motrat tipike që nuk dëshiron të ndajë sekretet e saj me motrën e madhe. Kështu jam gatuar unë.
-Mos fol budallallëqe! Unë jam një motër e keqe, kam dashur të të mbaj në kontroll kur e dija se ti ishe një shpirt i lirë. Dhe tani shiko ku kemi rënë. Kjo sjellje nuk na shkon aspak.
Katerina dukej tejet e emocionuar.
-Violetë, të kërkoj ndjesë për sjelljen time të pahijshme.
Violeta buzëqeshi ëmbël.
-Jo Katerinë, jam unë që duhet të të kërkoj ndjesë ty. Ti nuk je e keqe, ti thjesht je pakëz kryeneçe. Kështu ke qenë gjithmonë, motërz.

Katerina nuk ishte ndjerë ndonjëherë më e lumtur se në atë moment. U shkëput dhe e vështroi në sy Violetën.
-Kjo do të thotë se po bëjmë paqe?
-Hëh, jo. Kjo do të thotë se pavarësisht gjithçkaje... ne të dyja vazhdojmë të mbetemi motra në kuptimin e plotë të fjalës. Katerinë, realisht nuk dua të di asgjë për të shkuarën e familjes sonë. Ajo që më intereson je ti. Ti je familja ime, së bashku me Alanin dhe dy fëmijët e mi. Ti nuk e ke idenë, për pak mund të kisha kaluar në depresion kur mora vesh se ishe zhdukur. Kam kërkuar bashkë me policinë për ditë të tëra, e ditët u bënë javë. Për një moment mendova se ti kishe vdekur, dhe i ndërpreva kërkimet. Pavarësisht kësaj, një zë i brendshëm më thoshte se ti ishe gjallë, dhe se do të ktheheshe sërish këtu. Nuk më interesonte nëse do të ktheheshe me nerva apo me ironi, mjaftonte që ti të ktheheshe.

Të dyja u ngritën në këmbë. Katerina e vështroi me krenari motrën e saj.
-Dhe unë u ktheva, Violetë. U ktheva, pasi zbulova të shkuarën e familjes sonë. Dhe e di? As unë nuk dua t'ia di më për të. Ajo që më intereson është jeta ime e re, një jetë pa sekrete dhe pa mistere nga e shkuara.
-Hmm, dhe meqë ra fjala te jeta jote e re... - reagoi Violeta duke buzëqeshur.
-E di se ku po e hedh kunjën tënde Violetë, - ia ktheu Katerina.
-Ti dhe Hermani, nuk arrij ta besoj! Ti dhe ai. Jeni kaq të ngjashëm dhe kaq të ndryshëm. Si ka mundësi që një djalë si Hermani të paska marrë mendjen?
Në sytë e Katerinës u shfaqën disa shkëndija aspak të zakonshme për Violetën. Motra e saj e vogël dukej sikur kishte rilindur.
-Violetë... ti nuk e njeh aspak Hermanin. Ai është thjesht perfekt në imperfeksionin e tij mashkullor. Kurrë nuk kam parë dikë të më qëndrojë aq pranë gjatë gjithë kohës. Kurrë nuk e kam menduar se... do të doja një njeri si ai. Nuk e mendoja kurrë. Por tani jam mëse e sigurt se çfarë dua dhe kë dua. Në fakt ai është i vetmi që e meriton dashurinë time, sepse ka luftuar për të aq shumë, për dhjetë vjet rresht.

Katerina eci përgjatë dhomës me ca hapa të lehtë. Violeta buzëqeshi si nga hiçi teksa iu kujtua vetja e saj dikur.
-E di? Kur unë e kam parë Alanin për herë të parë, nuk mendoja kurrë se do të martohesha me të. Madje, po ta mendoja diçka të tillë do të më dukej qesharake. Unë dhe Alani, hëh!
Sytë e Katerinës vështruan me kuriozitet mimikat e fytyrës së Violetës.
-Vërtet... si u martove ti me të? Ju jeni shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ti ndihesh gjithandej, ndërsa ai nuk ndihet fare, është shumë i qetë.
-Katerinë, duhet të dish se... kur njeriu fillon të bjerë në dashuri me dikë... atëherë harron pamjen e jashtme të atij personi dhe detajet e pakëndshme që ky person ka. Gjithçka e sheh me një sy tjetër. Pa e kuptuar një person se si është në të vërtetë, nuk do të mund ta shohësh asnjëherë me syrin e tretë. Tashmë dhe ti duhet të më kuptosh. Kam dymbëdhjetë vjet qëkur jam martuar me të, tashmë jemi prindër të dy fëmijëve, jam nënë e dy fëmijëve. Dhe po luftoj Katerinë, po luftoj për familjen time, që ajo të mos shpërbëhet si familja jonë dikur. Nuk kam dashur që ti ta zbuloje të shkuarën e familjes sonë, aq më pak gjithçka që ke zbuluar tani...
-Violetë... ti e ke ditur, apo jo?
-Çfarë?
-Arsyen e ndarjes së prindërve tanë.

Violeta heshti për pak, më pas mori frymë thellë.
-Një pjesë të gjërave... po, i kam ditur. Por kurrë nuk ma merrte mendja se babai ynë... do të mund të bënte ato veprime të ndyra. Aq më pak kjo që the... që ne kemi një vëlla. Oh Zot!
-E di, dhe unë jam çoroditur kur e mora vesh. Më pas e kam takuar atë, dhe e kam patur pranë kur gjendesha në Paris, ato ditë që isha zhdukur.
Violeta iu afrua Katerinës me një fytyrë disi të shqetësuar.
-Më trego, si është ai?
-Ai është kopje në pamje e babait tonë, por ka një zemër shumë të mirë. Është vërtet i lezetshëm. Një ditë do të duhet ta takosh atë, dhe ta pranosh Violetë. Ai është si ne, një Andërllend. Do ta takosh atë, apo jo?
Violeta u mundua të ndryshonte pakëz situatën ku gjendej. Gjithë kjo ngarkesë emocionale nuk i bënte mirë.
-E di çfarë? Do të flasim një ditë tjetër për gjithçka. Tani ti duhet të shtrihesh, je ende e lënduar dhe duhet të flesh.
-Por unë jam mirë Violetë.
-Jo! Nuk je, ndaj duhet të shtrihesh. Është mirë të më dëgjosh tani, e kam për të mirën tënde.

Violeta u mundua ta bindte Katerinën të shtrihej në shtrat, dhe me pak mundim ia doli ta bindte. Por Katerina nuk ishte e qetë. Ende ndiente shqetësim për reagimin e Violetës.
-Violetë.
Violeta ishte duke dalë nga dhoma, por u kthye menjëherë sapo ia dëgjoi zërin.
-Po, Katerinë?
Sytë e Katerinës nxirrnin në pah gjithë shqetësimin e saj të brendshëm.
-Vërtet nuk do më qortosh më për këto që kam bërë?
-Jo Katerinë.
-As për ato që të thashë në prani të Hermanit?
Violeta u kthye sërish nga dera, me një frymë të heshtur.
-Do të flasim më vonë në lidhje me Hermanin, Katerinë. Tani mbylli sytë.
Violeta doli nga dhoma e Katerinës dhe e tërhoqi derën ngadalë.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Tempat cerita menjadi hidup. Temukan sekarang