21.

134 6 3
                                    

Zëri erdhi nga ballkoni i dhomës. Aty ishte pacientja e tij e bukur, Katerina. E veshur me një fustan të kuq, i gjatë deri tek gjunjët, dhe me flokët e lëshuar, si asnjëherë më parë iu duk magjepsëse Zedersonit. Ai ngeli për një moment teksa e shihte atë, nuk e priste që ajo t'i dukej aq e bukur.
-Dukesh... e mrekullueshme. Uau, nuk mendoja ndonjëherë se do të të shihja kështu.
-Edhe ju nuk dukeni keq me këtë kostum që keni veshur. Dukeni vërtet mirë, - tha ajo.
Dhe Katerina hyri brenda në dhomë.
-A mund të ulemi në tavolinë?
Zedersoni dukej vërtet i hutuar.
-Ëëëh... po, besoj. Sigurisht... nëse dëshiron të ulesh.

Të dy u ulën në tavolinë. Katerina qeshi duke nxjerrë dhëmbët e sipërm.
-Dukeni vërtet i hutuar, zoti psikolog. Ju nuk jeni kështu.
-E di, thjesht...
-E keni nga pamja ime. Por mos u shqetësoni, efekti do ju ikë shumë shpejt.
-Jo, nuk kam asnjë problem me pamjen tënde. Unë thjesht...
-Nuk e prisnit këtë gjë nga ana ime. E kam fjalën për darkën e sotme.
-Jo, nuk e prisja të më ftoje për të ngrënë darkë. Madje duket krejt qesharake pasi sot mora pushimet.
-Atëherë konsiderojeni një darkë pushimi këtë të sotmen.
Ai buzëqeshi.
-Them se kështu do të bëj. Të falenderoj që ma bëre të bukur ditën e parë të pushimeve këtë vit.
-Nuk ka përse. Është kënaqësia ime t'i bëj të tjerët të ndihen mirë.

Pas disa sekondash në heshtje, të ulur në atë tavolinë, Katerina e vështroi teksa u mbështet me fytyrë mbi duart e saj të kryqëzuara.
-Pra, zoti psikolog...
-Kei, dua të të kërkoj diçka. Mos m'u drejto me 'ju', thjesht mund të më drejtohesh me 'ti'.
Ajo ngriti vetullat.
-Seriozisht?
-Po. Nuk është e nevojshme të më flasësh me 'ju'. E kam më të lehtë kur më drejtohen me 'ti'.
Ajo heshti për pak. Dhe pas disa sekondash foli sërish.
-Pra... Zederson, apo jo? Ti... do që të flasim si dy njerëz të thjeshtë?
-Po. Ka ndonjë problem?
-Në fakt ka.
Ai rrudhi vetullat.
-Çfarë problemi ka?
-Unë nuk jam mësuar t'iu drejtohem disa njerëzve me 'ti', sepse më ngjan... e çuditshme. Dhe tani... më duket e çuditshme t'ju drejtohem me 'ti'.
Ai vështroi thellë në sytë e pacientes së tij.
-Të shqetëson kjo gjë?
Ajo reagoi menjëherë.
-Çfarë? Që të flas thjesht fare? Jo, por me ju më duket e çuditshme.
-Çfarë të shqetëson ty, Katerinë?
-Asgjë e veçantë. Unë thjesht... nuk jam mësuar me gjëra të thjeshta. Jam kudo e rrethuar nga gjëra luksoze, nga makina të shtrenjta, nga njerëz të famshëm, dhe mbi të gjitha jam e rrethuar nga paratë. Nuk e imagjinoj dot jetën time në një gradë më poshtë nga ç'jam. Dhe, si një Andërllend që jam, duhet të mbaj pozitën time në mënyrë të rreptë.
-Hëh, besoj se ne të dy jemi shumë të ndryshëm, apo jo? - tha ai, dhe u ngrit nga karrigia.

Ai u ngrit dhe shkoi ngadalë drejt ballkonit. Fytyra i mori një pamje disi të zymtë. Katerina e vuri re. Ajo u ngrit dhe shkoi pranë tij.
-Zederson... ka ndonjë gjë që nuk shkon? Mos thashë ndonjë gjë të gabuar?
-Ti nuk the asgjë të gabuar, përkundrazi. Kjo është jeta jote, Kei. Ti je gjatë gjithë kohës e rrethuar nga më të mirat. Dhe besoj se je e lumtur për këtë fakt. Nuk e di... nuk mendoj se është gjë e mirë e gjithë kjo që po ndodh sonte. Ndodhem në shtëpinë e vajzës më të njohur dhe më të pasur midis shumë pasanikëve në Londër. Këtë gjë veç në ëndërr mundja ta imagjinoja.
Ajo e vështroi me vëmendje. Ndieu pakëz trishtim prej fjalëve të tij.
-Kush tha që unë jam e lumtur?
-Ç'do të thuash me këtë, Kei? Që nuk je e lumtur që je e pasur? Ka shumë njerëz që janë të lumtur vetëm se janë të pasur. Ju të pasurit keni gjithçka që njerëzit normalë nuk kanë. Ju keni gjithçka në dorë.
-Vërtet mendon se një buzëqeshje e jona tregon se ne të pasurit jemi të lumtur? Vërtet mendon se duke patur gjithçka në dorë atëherë ne jemi të lumtur? Këtë po më thua, Zederson? Ti mendon se unë jam e lumtur? Përgjigja është jo. Nuk jam e lumtur, dhe jam në kërkim të lumturisë. Por këtu ku jam unë nuk arrij ta gjej, sepse jam shumë larg realitetit që gjendet atje jashtë. Pozita që kam nuk më lejon të zbres poshtë. Dhe kjo është ajo që më trishton mua. Nuk mund të jem si gjithë të tjerët. Dhe nuk do të jem. Unë do të shihem nga njerëzit si Katerinë Evë Izabelë Andërllend, si zonjusha kryeneçe që nuk e ul kokën poshtë. Dhe sigurisht, do të shihem nga ata grabitqarët beqarë si një mundësi e mirë monetare. Gjithçka që ti e quan lumturi, tek ne është vetëm interes. Kudo rreth nesh ekziston veç interesi dhe ambicia për të qenë sa më lart të jetë e mundur në pozitë. Nuk ka asgjë reale. Lumturia tek ne është thjesht një shtresë e hollë mashtruese mbi buzët tona që harkohen nga buzëqeshja e rreme. Nuk ka asgjë të vërtetë, gjithçka është një gënjeshtër. Por ne do të vazhdojmë të dukemi të lumtur, në mënyrë që njerëzit e thjeshtë të mos dyshojnë në lumturinë tonë të rreme.

Ato fjalë të thëna prej saj prekën shpirtin e ftohtë të Zedersonit. Depërtuan aq thellë brenda tij, sa ai u mahnit më shumë prej pacientes së tij. Ato fjalë e bënë të buzëqeshte teksa vështronte atë qenie femërore aspak të lumtur me veten e vetë. Ajo nuk ishte si gjithë të tjerët, si gjithë njerëzit e tjerë në pozitë të mirë monetare, pra të ngritur ekonomikisht. Dhe ishte diçka për t'u kuptuar; disa njerëz lindin të pasur fizikisht, por të varfër në shpirt. Kërkojnë atë që nuk e gjejnë tek e njëjta kategori, kërkojnë gjëra që nuk mund t'i gjejnë tek të njëjtit njerëz si ata. Kërkojnë diçka përtej parasë, përtej famës, përtej suksesit. Por çfarë vallë? Dhuratën e jetës së përtejme? Ah jo. Atëherë çfarë? Çfarë është ajo gjë që mund të ndryshojë njëherë e përgjithmonë jetën e tyre shpirtërisht? Çfarë donte ajo? Çfarë donte Katerina?

Andërllend (Misteri i një familjeje)Donde viven las historias. Descúbrelo ahora