63.

112 5 0
                                    

Mëngjes. Dielli lindi dhe i depërtoi disa rreze të pakëta mes hapësirave të vockla të perdeve të dhomës. Ajo ishte duke fjetur, nën rehatllikun e vetë. Dukej ëngjëllore, sikur s'i përkiste kësaj bote. Ai ia nguli sytë. Në fshehtësi. Si ndonjë maniak. Ai kish hyrë fshehurazi në dhomë, veç për ta parë se si ajo flinte. Flokët ia kishin mbuluar fytyrën. Ai ia anoi flokët e gjatë, anash në jastëk. Kështu do të mund të shihte fytyrën e saj krejt të pastër. Kaq e bukur iu duk. Krejt një Katerinë tjetër. Ndieu trishtim në shpirt. Si do të mundet vallë t'i thotë se detyra që ka tani do të mund t'i thyejë zemrën të dyve? Si do të mundet ai t'i thotë Katerinës se ajo duhet të martohet me Vinsentin? Si do të mundet vallë Katerina të martohet me atë që dikur i theu zemrën? Jo, nuk e imagjinonte dot. Nuk donte ta bënte këtë.
Mbylli sytë duke i shtrënguar fort. Ndiente dhimbje në shpirt. Ishte gati të qante. A mundet të qajë një burrë? Jo para syve të saj. Nuk dëshironte aspak që ajo ta shihte duke qarë. Do të ishte një trishtim më shumë, dhe atij nuk i pëlqente trishtimi.

Një orë më vonë, Katerina u zgjua nga gjumi. Hapi gojën duke e nxjerrë gjithë frymën e saj. U ngrit dhe shkoi pranë dritares. Kërkoi të ndiente ajrin e ftohtë të këtij muaji të ri në kalendar, ajrin e ftohtë të nëntorit. Nuk e pëlqente shumë këtë muaj. I kujtonte përherë divorcin e prindërve të saj. Nuk ishte aspak një moment i bukur; u ndanë menjëherë, si të mos ishin asgjë. Si të mos ishin njohur kurrë, sikur dy të huaj...

"Ata u ndanë, sikur të ishin thjesht dy njerëz të panjohur. Mamaja nuk po e njihte më babain tim, dhe unë nuk po e njihja më mamanë time. Ajo shfaqi një anë që nuk e kisha parë kurrë tek ajo. Shfaqi anën e saj më të errët, më të egër, më të çmendur. Nuk pranonte kurrësesi që 'zotëria', bashkëshorti i saj, babai i vajzave të saj, ai burrë me të cilin kishte aq vite e martuar, të kishte një fëmijë të jashtëligjshëm me një grua tjetër. Ajo kërkoi divorcin, dhe ai nuk e kundërshtoi aspak vendimin e saj. Madje e priste atë gjë. E më vonë, 'zotëria' u martua fshehurazi me gruan me të cilin kishte fëmijën, Levin, vëllain tim. Dhe nga një fëmijë i jashtëligjshëm, Levi u bë pjesë e familjes Andërllend. Nuk e kam kuptuar kurrë se si arriti ai 'zotëri' të dashurohej dhe njëherë me një grua tjetër. Si mundet që disa ekzemplarë të gjinisë mashkullore arrijnë të bëjnë diçka të tillë? Si mundesh të dashurohesh me një grua 15 vjet më të vogël nga mosha jote aktuale?"

Ajo ishte një vajzë 25 vjeçare; e gjatë, elegante, e bukur. Me flokë të artë dhe me onde, me sy të kaltër, me hundë të drejtë dhe me buzë të lyer në të kuqe. Vishte përherë fustan, fustane të çdo lloji.
Ai ishte 40 vjeç, punonte në një kompani të vogël që kishte lidhje me modën. Kompania në të cilën do të punonte vajza e tij e vogël në të ardhmen e do ta shndërronte në një kompani të madhe modelingu. Ai vinte përherë serioz, i heshtur, i nervozuar. Dhe ndoshta atë nervozizëm ia trashëgoi dhe vajzës së vogël, Katerinës. Frederiku nuk mungonte asnjëherë në punë, ishte i përpiktë dhe shumë i kujdesshëm ndaj gjithçkaje. Vëzhgonte gjithçka dhe këdo. Ashtu ndodhi dhe me atë vajzë...

"Veronika ishte një femër e bukur, dhe vazhdon të jetë e tillë. Ishte fillimi i vitit 1995 kur ajo filloi të punonte në kompaninë e babait tim. Veronika punoi si sekretare përgjatë një kohe. Tashmë ajo është thjesht një grua 48 vjeçare, që jeton 1 km larg prej shtëpisë së Andërllendëve. As ajo vetë nuk dëshiron të përkujtojë më asgjë që e lidh me babain tim. E konsideron të vdekur, ashtu siç ai është. E gjora, nuk e dinte aspak për familjen e vërtetë që kish 'zotëria'...
E vetmja gjë që e lidh me babain tim është Levi. Asgjë më shumë. As martesa e tyre. Veronika ishte 'viktimë' e fjalëve të bukura të babait tim; ai e lavdëronte, i bënte komplimenta për veshjen dhe për punën, e nxirte shpesh për të drekuar me të. Më pas, drekave iu shtuan edhe darkat. Ajo, padashur filloi të ndiente diçka më shumë për atë burrë 15 vjeç më të madh se ajo vetë. Ra në pusin e gënjeshtrave të 'zotërisë' dhe, pa dashur dhe pa e ditur, ajo ndau familjen e Andërllendëve. E mbaj mend mirë se si reagoi Anastasia kur zbuloi tradhëtinë e Frederikut. Ajo u nevrikos nga zhgënjimi më i madh që kish përjetuar në atë moment. Bashkëshorti i saj i ndershëm nuk ishte dhe aq i ndershëm. Këtë e kuptoi kur zbuloi se Frederiku ishte bërë baba i një djali, babai i fëmijës së Veronikës. Viti 1996, vogëlushi kish ardhur në jetë."

Frederiku hyri në shtëpinë e Andërllendëve, në heshtje.
-Anastasia, ku je?
Me hapa të lehtë, ajo eci pas tij. E vrenjtur dhe e ftohtë në fytyrë, si një e vdekur për së gjalli. Ai ia kish shkatërruar shpirtin.
-Më në fund erdhe në shtëpi, burri im i dashur. E prure kokën.
-Anastasia, shpirt. Ç'është kjo e folur?
-A nuk është kjo fraza që ti dëshiron të dëgjosh nga unë? Apo mos ndoshta e dëgjon shpesh nga... sekretarja jote?
-Nuk po të kuptoj.
Ajo buzëqeshi hidhur.
-Ah Frederik, pse bën sikur s'kupton? E di shumë mirë ç'ke bërë. I di të gjitha ndyrësitë e tua. E di që ke shkuar në shtrat me sekretaren tënde. Dhe më e bukura, je bërë dhe baba. Urime! Çfarë burri me fat! U bëre me djalë, Frederik. Me një djalë që unë s'munda të ta dhuroja, por munda të të dhuroja dy vajza, Violetën dhe Katerinën që ti as nuk do t'ia shohësh fytyrën.
-Nga e more vesh këtë?
-Ke gojë edhe flet akoma? Ti njeri i ndyrë! Sa mirë do të ishte sikur të mos isha martuar me ty. Ti, ti më shkatërrove jetën! Më ndave në dysh, Frederik. Më lëndove. Jo, mos m'u shmang. Shikomë në sy, shiko se çfarë ke bërë. Pa më thuaj pak, si do ia thuash vajzave që janë bërë me një vëlla? Si do ia shpjegosh këtë mëkat që ke bërë? Ndoshta Violeta do ta ketë më të lehtë ta kuptojë sepse është e ndërgjegjshme për këtë lloj veprimi. Është e vogël, por do ta kuptojë. Por më thuaj pak, si do ia shpjegosh Katerinës se babai i saj i dashur nuk është ashtu siç ajo mendon?
-Anastasia, ishte thjesht një gabim i imi. E gjithë ajo që ndodhi.
-Nuk dua t'ia di më për gënjeshtrat e tua sa një thes. Dua divorcin. Menjëherë!
-Mami? - u dëgjua një zë.
Ishte Katerina, atëherë vetëm 10 vjeç. Anastasia ktheu kokën dhe e pa, me fytyrën e tronditur.
-Katerinë, shko në dhomë, të lutem.
-Ti do të ndahesh nga babi?
-Shko në dhomë, Katerinë! - bërtiti Anastasia e nervozur.

"Ajo ishte hera e fundit që ia mbaj mend fytyrën Anastasias. E nervozuar dhe e frikshme. Ajo fytyrë më ngeli në mendje, aq tronditëse dhe prekëse. Tani e kuptoj se pse. Ajo nuk qe asnjëherë e lumtur në të shkuarën e saj. Sa do të doja të ktheja kohën pas që ta shihja dhe njëherë të lumtur, si atëherë kur më shoqëronte për në orën e pianos apo kur më mësonte të pija çaj si anglezët. Ajo nuk ishte me origjinë nga Anglia. Ah, ajo ishte franceze, një femër e mrekullueshme nga Parisi që erdhi në Angli vetëm për hir të babait tim, sepse filloi ta donte. E nëse nuk do ta donte, atëherë as Violeta e as unë nuk do të ekzistonim në këtë jetë."

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now