"Dhe ky do të ishte momenti që do të zbuloja të vërtetat e Andërllendëve. Gjithë misterin që po më bluante çdo ditë, që nga momenti kur u ktheva në Londër para dy vitesh. Kishin kaluar 22 vjet qëkur s'dija asgjë për mamanë time e tani..."
Pas disa minutash u gjendën brenda një shtëpie. Hana e drejtoi Katerinën drejt njërës derë.
-Jepi, hyr brenda Katerinë. Aty brenda është e vërteta. Hyr dhe zbuloje, - tha Hana.
-Po ti? Nuk do të hysh brenda? - e pyeti Katerina disi e frikësuar.
-Shko, - iu përgjigj Hana.
Dhe Katerina hyri brenda..."Nuk e gjeta aty mamanë time, por u përballa me të kaluarën time... dhe të Anastasias."
Hapi derën, duke menduar se do të shihte mamanë e saj, por u përball me një dhomë të lyer në të kuqe dhe të mbushur me foto aspak të zakonshme. Ishin të gjitha fotot e familjes dhe disa foto që Katerina nuk i kish parë asnjëherë.
-Çfarë dreqin... - tha me vete e shtangur dhe iu afrua fotove për t'i parë.Ishin të gjitha momentet e Katerinës, çdo moment i jetës së saj, që nga e shkuara deri në ditët e sotme. Aty ishin të gjitha, edhe fotot ku ajo kish dalë me mamanë, me babain dhe me Violetën. Më tej vërejti një foto të Anastasias me Frederikun, në të cilën Frederiku ishte rrethuar me të kuqe. E mori foton dhe e vështroi, e ktheu mbrapa dhe pa të shkruar po me të kuqe shkrimin "Më fal Frederik!", e më pas iu afrua një tjetër fotoje në të cilën pa Anastasian me një burrë tjetër përkrah. E ngjitur me atë foto ishte dhe një foto e Katerinës me Hermanin. Katerina i vështroi me vëmendje të dyja fotot. Burri në foton e Anastasias dhe Hermani ngjanin shumë me njëri-tjetrin.
-Oh Zot! Ky ngjan shumë me Hermanin. Mos vallë është babai i Hermanit? - tha me vete dhe e mori foton.E ktheu mbrapa për të parë në kishte ndonjë shkrim në të. Gjeti veç një të dhënë.
"E vërteta gjendet brenda sirtarit poshtë fotove, dhe çelësin e ke ti."
Katerina filloi të mendohej, dhe iu kujtua kryqi që Nensi i dha para se të shkonte në Nju-Jork. U mundua ta nxirte shpejt nga qafa dhe papritmas i ra nga dora. Kryqi u nda në dysh. Sytë e saj panë një çelës të vogël që doli prej kryqit. U ul galiç për ta marrë atë çelës dhe kryqin e ndarë në dysh, të cilin e futi në xhep. Me çelësin e vogël provoi të hapte sirtarin. Aty brenda gjeti një bllok të vjetër që, me siguri ka qenë ditari i Anastasias në ato vite të panjohura për Katerinën.E pa hezituar, Katerina e hapi atë e filloi të lexojë një shkrim si një parathënie e Anastasias për të:
"Më fal Katerinë! E di që në këtë dhomë prisje të më shihje mua, por ja që nuk jam këtu. Nuk kam guxim të të shoh tani pas 22 vitesh qëkur ti më di të vdekur. Më fal që nuk kam qenë një nënë e denjë për ty dhe Violetën. Këtu, në këtë bllok të vjetërruar, këtu gjendet e vërteta, gjithë e vërteta për të cilën ke aq kohë që kërkon ta dish. Të kërkoj ndjesë nëse do të tronditesh nga misteret e familjes Andërllend, kësaj familjeje që dukej kaq perfekte në pamje të parë, por që nuk ishte. Tani të mbetet vetëm ta lexosh."
Katerina hapi faqen e parë të atij blloku dhe filloi të lexonte historinë e së shkuarës së Anastasias. Për një moment u ndie sikur ishte futur në trupin e Anastasias..."20 shtator 1970, ai kishte ardhur në Paris, pranë kullës Eifel. Aty isha dhe unë, duke vështruar pamjen e kullës. Padashur sytë më shkuan tek ai. Seç po kërkonte. Iu afrova ngadalë dhe e pyeta se çfarë po kërkonte. Ai më vështroi çuditshëm, më tha që nuk dinte frengjisht. Më foli në anglisht dhe, e kuptova menjëherë nga theksi i tij që ishte anglez. Ai kërkonte babain tim, ishte çështje pune. Babai im punonte në një fabrikë parfumesh dhe, familja ku ai punonte e bënte porosinë gjithnjë tek ne. Kur e kuptova këtë, me kënaqësi pranova ta dërgoja te babai im...
Unë isha fëmija i vetëm i babait tim dhe, e di që nuk ishte dhe aq jetë e bukur të ishe fëmija i vetëm i një familjeje. Vërtet më plotësoheshin të gjitha kushtet, por gjithnjë ndihesha vetëm. Dhe erdhi një ditë, po nga ky vit, që familja ime vendosi të më lidhte me një djalë në një moshë me mua. E sigurisht që në fillim nuk doja, isha vetëm 15 vjeç, por familja ime po përpiqej të më mbushte mendjen. Nuk doja, sepse nuk mendoja për asnjë tjetër veç atij djalit që pashë pranë kullës Eifel.
Ai kishte tipare kaq të mrekullueshme sa nuk arrija dot as vetë ta besoja se ekzistonte një njeri si ai. Ishte një djalë i gjatë, shpatullgjerë, dhe dukej që kishte një trup të fortë sepse shihej qartë që punonte shumë. Kishte flokë të zinj dhe të shkurtër, sy të gjelbër, fytyrë të theksuar, hundë të drejtë, dhe buzë të holla anash e drejtkëndore në mes. Edhe mjekrën e kishte disi të theksuar e të hequr. Lëkura e tij, tejet mashkullore. Thjesht nuk e di... ai dukej kaq i mrekullueshëm."
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...