Ai emër, dhe mënyra se si e tha. Ai emër, dhe zëri i tij i thellë. Ai emër tronditi muret e brendshme të shpirtit të Katerinës. Diçka e copëtoi në grimca gjithë qenien e saj. Herman Notlli, kalorësi i zi i fëmijërisë së saj. Pas kaq shumë vitesh u përplas sërish me fytyrën e tij, tashmë një fytyrë burrërore. Katerinës gati sa nuk i ra të fikët.
-Herman...
-Eja, hip në makinë. Le të ikim që këtu.
Ajo dukej sikur nuk donte të shkëputej prej tij.
-Nuk arrij ta besoj! Ti qenke në Nju-Jork. Uau, nuk mendoja se do të të shihja më me sy, aq më pak tani që të dy jemi rritur. Ti dukesh ndryshe tani.
-Edhe ti je bërë më e bukur. Gjithmonë ke qenë por dukesh më e bukur tani.
-A thua të jetë rastësi kjo, që takohemi pas kaq shumë vitesh?
-Unë do të mendoja se janë thjesht punët e fatit.
-Akoma vazhdon të besosh në fat, Herman?
-Jo, e thashë këtë sepse e dija që do të më pyesje nëse besoj akoma në fat.Ajo buzëqeshi. Humori iu kthye sërish. Karizma e tij kundrejt saj ishte e vetmja gjë që nuk kishte ndryshuar. Por pamja e tij iu duk ndryshe. Në fakt kish ndryshuar shumë nga Hermani që mbante mend Katerina. Dikur ishte i shkurtër, me një trup topolak, me veshje të rehatshme tipike shtëpiake, dhe me syze rrumbullake si të Herri Poterit. Këpucët i kishte një numër më të madh nga numri i këmbës së vetë. Dhe përherë i qeshur.
Ndërsa tani, Katerina vuri re një tjetër Herman. Një djalë njëzetë e shtatë vjeç, i gjatë, me një trup të madh dhe muskuloz, i veshur i gjithi me të zeza, me kostum klasik, me këpucët me numrin e saktë të këmbës, dhe në vend të syzeve rrumbullake kishte një palë syze dielli të zeza që i përdorte sa herë udhëtonte. Sillej si një pasanik, kishte pamjen e tyre, por jo si ata pasanikët që e ekzagjerojnë me pushtetin e tyre.
Ajo vuri re duart e tij. Ishin duar të mëdha ku në fshehtësi mund të vije re ndonjë damar tipik mashkullor, që të jepte ndjesinë se kishe të bëje me një djalë të fuqishëm. Fytyra e tij kishte formë të theksuar, i shumëdetajshëm. Sytë e gjelbër dhe njëkohësisht me hije të errët, hunda e drejtë që vinte pakëz si një kënd 30 gradë, buzët akoma dhe më të theksuara që vinin disi të holla anash dhe pakëz drejtkëndore në mes. Flokët sterr të zinj, të shkurtër dhe të rregulluar me xhel, sipër të ngritur pakëz fare përpjetë ndërsa anash dhe mbrapa të prerë shumë shkurt. Vetullat i kish me kënd dhe të zeza si flokët. Kishte lënë pakëz mjekër, të shkurtër dhe të rregulluar me kujdes. Nuk reagonte aspak. Serioz, sikur ish bërë njësh me ngjyrën e zezë, aq i errët dhe misterioz. Aq tërheqës në pamje të parë.
Të mendoje se do të ishe me fat po ta takoje këtë djalë krejt rastësisht në rrugë. Hermani nuk ishte nga ata që ndalonte në rrugë për t'i shkuar nga pas femrave. Ishte ai që i bënte femrat t'i shkonin nga pas. Kështu ndodhte me të gjitha, përveç Katerinës. Për të kish bërë përjashtim, asaj do të mund t'i shkonte nga pas gjatë gjithë jetës së vetë. Sepse, njësoj siç Katerina kish qenë e dashuruar pas Vinsentit, ashtu ndihej dhe ai për të. I marrosur, i çmendur pas saj, i dashuruar me të në fshehtësi. Kish ditur ta ruante aq mirë atë ndjenjë therëse, sa as Katerina nuk kishte arritur ta kuptonte dikur.
Ndërsa tani, ajo kish kuptuar gjithçka. Duke marrë shkas nga vetja për të harruar Vinsentin, kish kuptuar se dhe Hermani kishte bërë të njëjtën gjë. Ai kishte ardhur në Nju-Jork jo thjesht për të studiuar, por më shumë nga pranimi i faktit se Katerina nuk do të donte askënd asnjëherë sa kish dashur Vinsentin. I dëshpëruar, nuk mund ta detyronte Katerinën ta donte. Kështu që erdhi në Nju-Jork për të nisur një jetë të re. Mes luksit, parasë, pushtetit si trashëgimtari i vetëm i familjes Notlli, në mes të pranisë së femrave, alkoolit dhe jetës së natës, Hermani krijoi një jetë të shthurur. Dhe duke jetuar jetën e tij të re, mendoi se do ta harronte të kaluarën e tij. Donte ta harronte, por nuk mundej. Ajo u shfaq sërish në jetën e tij. Zemra filloi t'i rrihte si asnjëherë më parë, i frikësuar në ishte vërtet ajo apo i bënin sytë. Ajo ishte. Donte kaq shumë ta përqafonte atë, siç do të kish dashur gjithmonë. Por u përmbajt. Nuk ishte më fëmijë. Duhet të sillej si një djalë serioz tashmë.Për një moment, kur askush nuk e kishte mendjen, sytë e tij të gjelbërt vështruan drejt Katerinës. Ajo dukej disi e shqetësuar, ndoshta dhe e frikësuar. Po shtrëngonte fustanin me të dyja duart. Këmbët i kishte të bashkuara. Dukej e përhumbur, si të kishte humbur diku në mendimet e saj. Ai e dinte, ajo ende nuk po arrinte ta besonte që ai u shfaq sërish para saj. Donte që ajo të qetësohej, ndaj zgjati dorën drejt të sajës. Dhe në atë moment, Katerina u kthye menjëherë, me sytë e hapur.
-Herman...Nga mënyra se si foli, Hermani e kuptoi se ajo donte t'i thoshte diçka. Por që gjithashtu, e dinte se ajo nuk kishte aq guxim ta bënte këtë.
-Ndaloje pak makinën, - i tha Hermani shoferit, i cili u drejtua për në anë të rrugës.
Më pas, shoferi doli nga makina, duke i lënë ata të dy vetëm për vetëm.
-Më thuaj Katerinë, - iu drejtua Hermani.
Ajo kishte ngrirë për një moment, fjalët i ikën të gjitha nga goja. Ishte përhumbur në sytë e tij të gjelbërt. Pas disa sekondash, Hermani e gjeti veten të rrethuar nga krahët e Katerinës. Ndieu çdo gjë të sajën për pak sekonda. Ndieu vetë atë.
-Herman... jam shumë e lumtur që të takova përsëri. Nuk mendoja se do të të shihja më. Ti u largove krejt papritur, dhe tani u shfaqe krejt papritur. Tani që e mendoj... vetëm tani po e ndiej se më ka marrë malli për ty. Nuk e di në më beson apo jo...U ndje i lumtur sapo dëgjoi ato fjalë. Nuk ishte prekur ndonjëherë aq shumë në shpirt. Ishte mësuar t'i mbante larg njerëzit nga jeta e tij, por Katerina thyente çdo mur që ai ngrinte. Vetëm ajo mund të depërtonte brenda tij aq thellë dhe aq fuqishëm, aq sa e bënte të mos shkëputej në ato sekonda prej saj. Por sërish nuk mund ta jepte veten. Ai nuk mund ta harronte ende idenë se ajo ra në dashuri me Vinsentin. Katerina e ndieu që ai nuk po reagonte. Çfarë mund ta mundonte vallë?
Ajo vështroi në sytë e tij, të cilët nuk po e vështronin atë. Fytyra e tij u zymtua.
-Herman... çfarë ke? Nuk je i lumtur që më takon?
-Përkundrazi, jam vërtet i lumtur.
-Fytyra jote nuk tregon të njëjtën gjë.
-Nuk kam asgjë Katerinë, thjesht fakti që të takova sërish... pas gjithë kësaj kohe.
-E di... duket e çuditshme. Ka kaluar kohë e gjatë. Shumë gjëra kanë ndryshuar...
-Katerinë... më beso. Jam vërtet i lumtur që ti je këtu. Jam i lumtur që po të shoh sërish... pas gjithë kësaj kohe. Por ti e di si jam unë. Nuk shprehem aq lehtë.Sytë e saj reaguan ëmbël, buzët e saj u harkuan, duke i dhuruar atij një buzëqeshje tejet të ëmbël.
-Epo përgatitu Herman, tani nuk mund të më mbash më asgjë fshehur. Herët a vonë... gjithçka e jotja do të përfundojë tek unë, çdo sekret që ke grumbulluar në gjithë këta vite.
Më në fund, ai e riktheu shikimin në fytyrën e saj. Fatmirësisht humori iu rikthye dhe njëherë. Fytyra e tij mori një pamje tejet konfidente.
-Të shohim sa e aftë do të jesh të më zbërthesh mua pas gjithë kësaj kohe që ti nuk di më asgjë për mua.
-Dyshon në aftësitë e mija, Herman?
-Jo, aspak.
-Bukur... miqtë e vjetër u rikthyen sërish. Dhe tani... le të shkojmë të marrim atë fustan që ti porosite për mua. Dhe ta dish, paratë do i paguash vetë. Je ti që e porosite.
-Konsideroje si një dhuratë nga ana ime.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...