15.

138 7 21
                                    

Zedersoni e ndoqi Katerinën nga pas. Kësaj radhe, ajo zgjodhi derën e pasme të shtëpisë për të hyrë brenda në të. U futën në shtëpi, ngjitën shkallët dhe kaluan përmes një korridori të errët me shumë dyer. Korridori tipik që mbante dyert e dhomave të tjera të shtëpisë. E duke ecur, Katerina ndaloi papritur. Heshtje, ajo ishte shumë afër një dere që gjendej në anën e djathtë të saj.
-Kei, çfarë ndodhi? Ne sikur do të shkonim në dhomën tënde.
Katerina iu afrua derës dhe nxori një çelës që e mbante gjithmonë me vete.
-Ka diçka pas kësaj dere që duhet t'ju tregoj. Por më jepni fjalën që nuk do ia tregoni askujt. Sidomos Violetës. Kjo dhomë është ndaluar të shihet nga njerëzit. Ata mund të shohin çdo dhomë të mundshme, përveç kësaj këtu.
-Të jesh e sigurt që nuk do të tregoj asgjë, Kei.

Katerina e futi çelësin në bravë, e shkyçi dhe filloi ta hapte derën ngadalë. Të dy hynë brenda.
Në atë dhomë me muret ngjyrë kafe në të kuqe mbizotëronin ato: pluhuri, rrjetat e merimangave dhe çarçafët e bardhë të vjetëruar që kishin mbuluar çdo objekt. Në të nuk hynte drita. Perdet antike të rënda, të vjetëruara e të mbytura në pluhur kishin mbuluar gjithë dritën që mund të hynte nga dritaret. Dukej kaq e shkretë, si të ishte një dhomë horrore. Ajo ishte pjesa e panjohur e gjithë shtëpisë. Katerina eci ngadalë, duke lënë çapa këpucësh mbi pluhurin e dyshemesë. Shkoi drejt njërës prej dritareve dhe hapi njërën nga perdet e pluhurosura. Pas gjithë atij pluhuri që lëvizi prej hapjes së perdes, Katerina u kollit me të madhe.
-Kei, a je mirë? - e pyeti Zedersoni me një fytyrë të tmerruar duke shkuar tek ajo.
Pa e parë, ajo i drejtoi pëllëmbën e dorës së djathtë, në mënyrë që ai të ndalonte.
-Jam mirë... ishte thjesht pluhuri pasi hapa perden. Ai më mbyti.
Dhe Zedersoni mundi të shihte qartë trishtimin në fytyrën e pacientes së tij.
-Kei... kjo dhomë duket kaq... e frikshme. Më saktë... mbytëse.
-Dikur nuk ka qenë kështu... - tha teksa rrinte aty pranë dritares.

Me një fytyrë të përhumbur e trishtuese, Katerina filloi të vinte rrotull nëpër dhomë.
-Për tetëmbëdhjetë vjet rresht... kjo dhomë ka qendruar e mbyllur. Askush nuk ka shkelur më këtu qëkur ndodhi... ngjarja. Qëkur ndodhi ajo ngjarje e tmerrshme, kam dhënë urdhër që kjo dhomë të mos hapet. Por... ja që e hapa. E di? Kjo dhomë ka qenë e preferuara ime kur isha fëmijë, gjithmonë e kam konsideruar të preferuarën time. Gjithmonë qendronte e pastër dhe e bukur. Këtu mund të rrija për orë të tëra, e përhumbur në lumturinë time fëmijërore. Prej kësaj dhome lindnin tinguj melodish të mrekullueshme... dhe tani ngjan si një bodrum rrënojash nga e shkuara.

Katerina shkoi në mes të dhomës. Tërhoqi një nga çarçafët e bardhë, duke zbuluar para syve të Zedersonit një piano të madhe. Zedersoni vështroi Katerinën, e cila po vështronte pianon. Sakaq ajo shtypi tastin Mi. E kur tingulli i notës Mi doli prej pianos, për pak çaste Katerina mbylli sytë.
-Mamaja ime i binte gjithmonë pianos. Isha e para që vija këtu sa herë që dëgjoja muzikë. Dhe për herë të parë kam mësuar t'i bie pianos në moshën gjashtë vjeç. Mamaja ime ishte krenare për mua. Ishte krenare që i ngjaja asaj në çdo aspekt.

Në fytyrën e saj u krijua një buzëqeshje e hidhur. Papritur, ajo filloi të ndihej shumë e revoltuar.
-Por... qëkur prindërit e mi kanë vdekur, unë nuk i kam rënë më pianos. Hoqa dorë nga muzika. Nuk mund të luaja më. Nuk ekzistonte më frymëzimi që më mbante të gjallë. Nuk ekzistonte më asgjë... gjithçka u bë kaq e errët. Jeta ime u kthye në një makth brenda kësaj shtëpie. Nuk mund të rrija më këtu. Kështu vendosa... të largohesha. Të shkoja diku larg, larg kësaj shtëpie, larg Londrës, larg Anglisë, larg gjithçkaje. Vendosa të shkoja diku tjetër. Dhe e gjeta se ku duhet të shkoja. E vendosa. Do të shkoja në Amerikë, në Nju-Jork. Diku aty në Nju-Jork, atje ku do të nisja jetën time të re. Dhe ia dola. Shkova atje. Por asgjë nuk ishte e lehtë. Atje nuk më njihte askush, dhe unë nuk njihja askënd. Askush nuk e dinte që unë isha një Andërllend, askush nuk e dinte që unë isha vajza e një ndër familjeve më të njohura e më të pasura të Londrës. Në Nju-Jork isha thjesht... një e huaj. Isha një e huaj që kërkonte vendin e saj diku nëpër botë. Nuk ishte aspak e lehtë por, me shumë mundim arrita të bëhesha dikush. Dhe ja ku jam, sërish këtu, në këtë shtëpi, në këtë dhomë, pas tetëmbëdhjetë vitesh pa hyrë. Sot hyra sërish këtu, për të të treguar se... unë nuk kam nevojë për askënd që të më ndihmojë. Sepse gjithçka që e kam bërë, e kam bërë krejt e vetme. Dhe nuk dua t'ia di nëse Violeta më quan mua të çmendur. Unë nuk jam e çmendur, jam thjesht dikush që jam rritur para kohe. U rrita kur isha ende fëmijë, u rrita në moshën trembëdhjetë vjeç, ditën kur babai im vdiq. U rrita atëherë kur kuptova se askush nuk do t'ia dijë se kush je. Eh pra, zoti psikolog. Unë u rrita atëherë kur... të gjithë fëmijët e moshës sime vazhdonin ende të luanin me lodra, ndërsa jeta ime po luante me mua si të isha unë lodra e saj. Por që Violeta kurrë nuk e ka ditur këtë. Ajo nuk mundi të më shihte kurrë ashtu siç unë isha realisht, ajo nuk mundi të më kuptonte. Ajo nuk e kuptonte që unë i kam treguar gjithmonë të vërtetën për gjithçka. Ajo më injoronte, mendonte se gjithçka që i tregoja ishte thjesht një sajesë mëshire. Ajo mendon se unë jam një mbretëreshë dramash. E kupton tani pse sillem aq ftohtë me të? E kupton tani se çfarë e shqetëson atë në lidhje me mua? Ajo ka frikë nga unë tani, ka frikë nga ky version i imi sepse... unë nuk kam qenë aspak kështu. Më shiko, Katerina naive nuk ekziston më. Ka vdekur ditën kur babai i saj vdiq. Katerina naive vdiq më 3 korrik të vitit 1999, në natën e ditëlindjes së saj të trembëdhjetë, në orën nëntë të darkës. Vdiq në momentin kur babai i saj u masakrua i gjallë përpara derës kryesore të kësaj shtëpie të mallkuar!

Pas gjithë ulërimës që dha, sytë e Katerinës u përmbytën në lot. Ajo ra në gjunjë mbi dyshemenë e pluhurosur. Shtrëngoi sytë fort, bashkë me ta edhe dhëmbët. Lotët e saj ranë si një lum mbi dysheme. Gjithçka që kish mbajtur përbrenda për tetëmbëdhjetë vjet, gjithë misteri i makthit të saj doli me vrull nga vetë goja e saj. Zedersoni kishte ngrirë i gjithi pas atij rrëfimi që Katerina i bëri. Nuk mund të lëvizte. Nuk mund të bënte asnjë hap drejt saj. Nuk e mendonte kurrë se Katerina do të kishte përjetuar një tragjedi kaq të madhe, një makth kaq të frikshëm.
Ishte e tmerrshme, vetë e shkuara e Katerinës ishte e tmerrshme. Në sytë e saj nuk kishte asgjë, e gjithë ajo që gjendej në ata sy ishte një shikim bosh, i ftohtë, i ashpër, më i errët se errësira. Ishte e rrethuar nga makthi i së shkuarës...

-Znjsh. Kei! - klithi Nensi.
Ajo kishte ardhur me vrap sapo kishte dëgjuar zërin e Katerinës. Shkoi menjëherë drejt saj duke ia ngritur fytyrën me duar.
-Znjsh. Kei, çfarë bëre kështu? Ti nuk duhet të kishe hyrë në këtë dhomë.
-Nensi... unë... - belbëzoi me zë të shuar Katerina.
-Eja, tani do të shkojmë në dhomë. Ti duhet të pish qetësuesin.
-Nensi... nuk kam nevojë për qetësues. Nuk jam më fëmijë.
-Zonjushë, nuk kam ndërmend të të lë sërish të përjetosh të njëjtat kriza si dikur. Ndaj eja të shkojmë në dhomën tënde mirë e bukur.
-Nensi... të lutem më lër. Jam mirë, nuk kam gjë. Shiko, jam duke biseduar me psikologun tani, mbi të gjitha po përpiqem t'i shpjegoj gjendjen time, po përpiqem t'i shpjegoj se si ndihem.
-Zonjushë, jam e shqetësuar për ty. Qëkur ke ardhur nuk ke qenë aspak mirë. Nuk dua të të ndodhë gjë.
Katerina u ngrit ngadalë në këmbë, shkundi pluhurat nga rrobat, dhe mori frymë thellë.
-Shiko... jam mirë. Nuk kam asgjë, në rregull? Nëse bërtas ndonjëherë, kjo nuk do të thotë që po kaloj ndonjë krizë. Kështu që mund të shkosh. Nëse kam nevojë për ndonjë gjë, atëherë të thërras vetë.
-Në rregull, znjsh. Kei, - u përgjigj Nensi, edhe pse ende e shqetësuar për Katerinën.

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now