Kaluan pesë orë në heshtje. Pesë orë që askush nuk i ndjeu. Katerina vazhdonte të hante të tjera copëza çokollatash nga ato që i kishin mbetur në enë. Zedersoni po punonte në laptopin që kishte marrë me vete për të shënuar të dhënat mbi pacienten që kishte përballë.
Të dy ranë në mendime.
"Diçka më fsheh ajo... por çfarë?" mendoi ai.
"Oh, iu bë fytyra si akullnajë sërish! Pse dreqin deshi të më ndiqte? Tani që e mendoj... jam e sigurt se Violeta është pretekst. Ky njeri ka diçka tjetër në mendje, me siguri," mendoi ajo.Dhe duke menduar, më në fund Katerina vendosi të thyente heshtjen që kish pushtuar brendësinë e avionit të saj privat. Ajo vështroi orën.
-Pas tre orësh do të mbërrijmë në Nju-Jork.
-Dakort, - tha ai pa e ngritur kokën nga ekrani i laptopit.
Një ndjesi bezdie pushtoi mendjen e Katerinës. Ajo u nervozua. Zedersoni ngriti kokën, dhe pa që Katerina ia kishte ngulur sytë me nervozizëm.
-Çfarë? - e pyeti ai disi i çuditur.
-Ka ndonjë gjë që më ka shpëtuar prej teje? Sepse më duket sikur ti po më fsheh diçka.
Kjo e fundit nga ana e Katerinës e bëri më të akullt fytyrën e Zedersonit.
-Jo... çfarë mund të fsheh unë nga ti? - ia ktheu ai po me pyetje.
-Gjithçka, - u përgjigj Katerina.
-Nuk po të kuptoi Kei, a mund të qartësohesh?
Katerina nuk po e kuptonte. Mos vallë psikologu i akullt po luante me mendjen e saj? Kjo gjë e bezdisi.
-Do që të qartësohem?
-Po.Katerina e pa me ironi.
-Zoti psikolog, ti nuk thua asgjë. Asgjë prej gjëje! Edhe kur të pyes, ti gjithmonë më shmangesh. Nëse të kam thënë ndonjë gjë që nuk të ka pëlqyer atëherë më trego.
Zedersoni heshti.
-E sheh? Ti po hesht. Kjo më bind mjaft mirë që të kam mërzitur, - tha ajo, e rënë disi nga humori.
Ai buzëqeshi.
-Jo Kei, ç'është ajo fjalë? Ti nuk më mërzit aspak.
Katerina u lehtësua.
-Vërtet? Apo e thua për të më ngritur humorin?
-Po dhe po, - i tha ai.
Katerina zgjati dorën dhe mori një copë çokollatë. E kafshoi ngadalë, aq sa tingulli i copëtimit të çokollatës u dëgjua deri tek veshët e Zedersonit.Ai buzëqeshi, a thua se ishte ky efekti i tingullit të copëtimit të çokollatës ndër dhëmbët e saj. As vetë nuk e pranonte dot që po vepronte si një ajzberg ndaj saj. Thellë-thellë kish filluar ta pëlqente pacienten e tij të bukur, por nuk donte t'ia tregonte këtë. Përpiqej t'i shmangej, por ajo buzëqeshje e tij vepronte e pavetëdijshme.
Katerina e vuri re që psikologu i saj po buzëqeshte. Ktheu fytyrën nga dritarja, ashtu duke buzëqeshur.
-Mos më shiko ashtu... - i tha.
-Në ç'mënyrë? - e pyeti ai.
-E kam fjalën, mos m'i ngul sytë ashtu. Më fut frikën ai vështrim.
-Po më thua se ke frikë nga unë?
Katerina ktheu fytyrën nga Zedersoni.
-Unë nuk kam frikë nga ti. Ajo që më frikëson është mënyra se si mundohesh të më shohësh...
-Që do të thotë? - pyeti ai, sërish.
Ajo e vështroi mistershëm.
-Zoti psikolog, ti je një mashkull. Ti kërkon të hysh në mendjen time... por përballesh me një pengesë, mua. Megjithëse e ke të vështirë të merresh me mua, ti nuk ndalesh asnjëherë duke më ndjekur apo duke më pyetur. A nuk mendon se je lodhur duke vepruar kështu?
Zedersoni u mendua pakëz. Zgjati dorën dhe mori një copëz çokollate.
-E di? Ti je si një copëz çokollatë. Ja, njësoj si kjo. E bukur dhe misterioze. Një copëz që të ndjell drejt vetes. Sa më e errët të jetë kjo copëz, aq më shumë të shijon. Sikundër sa më misterioze të jesh ti, aq më tërheqëse bëhesh.
Katerina ndieu një grimcë trishtimi.
-Jo të gjithë mendojnë kështu. Unë konsiderohem nga njerëzit si zonjusha kryeneçe. Zonjusha, vajza që bën jetë luksi. E përkëdhelura e Andërllendëve.Zedersoni buzëqeshi sërish dhe, atë copëz çokollate që po e mbante me tre gishta e afroi ngadalë drejt buzëve të saj. E tek ajo e tërhoqi çokollatën me dhëmbë, buzët prekën padashur majat e gishtave të dorës së tij. Nuk donte, por ai e ndieu prekjen e buzëve të saj në gishtat e tij. Ishte e mrekullueshme ndjesia që e përshkoi në atë moment.
-Mos i dëgjo njerëzit. Ata nuk dinë çfarë thonë, - i tha ai.
Fytyra e saj ndryshoi plotësisht në mënyrë të menjëhershme.
-E di? Ti je i vetmi njeri që, që prej ditës së parë që më ke takuar e deri më sot je munduar vetëm të më ngresh humorin. Dhe... të falenderoj për këtë. Unë ndoshta e teproj ndonjëherë me ato që them por... kësaj radhe e kam me të vërtetë. Faleminderit për mundimin. Ndoshta... ndoshta do filloj të të shoh si një mik. Nuk do të të shoh vetëm si një psikolog. Ndoshta duhet t'i shoh njerëzit ndryshe, ndoshta... duhet të filloj të shoh tek ata diçka që nuk kam arritur ta shoh. Dhe këtë gjë do ta nis me ty... Zederson.Ai u ndje disi ndryshe, sikur diçka e pushtoi në atë çast. Mijëra shkëndija që ndezën një ndjesi të fuqishme brenda Zedersonit. Diçka që shkriu si të ish zjarr, shkriu një tjetër copëz të akullnajës së tij shpirtërore. U ndie i lumtur. Nuk ishte ndierë ndonjëherë kështu. Ajo kish pushtuar qenien e tij. Ajo, prezenca e saj.
***
DU LIEST GERADE
Andërllend (Misteri i një familjeje)
Aktuelle LiteraturVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...