"Bukur, kjo do të jetë koha më e përshtatshme për të menduar se si do ta realizoj planin tim. Gjithçka do të fillojë të dalë në dritë, gjithçka që i përket së shkuarës," mendoi Katerina, teksa po ecte për në dhomë.
Dhe pas disa minutash, Zedersoni u shfaq në pronën e Andërllendëve. Ai hapi portën e madhe, dhe hyri në atë oborr të madh të shtëpisë. Gjithçka ishte e madhe, tejet e madhe. A thua se dhe ajo krizë misterioze e humbjes së vetëdijes së pacientes së tij të ishte vallë po aq e madhe sa çdo gjë tjetër në atë shtëpi?
Ai eci për pak, dhe hyri brenda shtëpisë. Vështroi rreth e rrotull. Heshtje, një heshtje vdekjeprurëse kish pushtuar shtëpinë. Zedersoni eci me hapa të ngadalta.
-Hej! - u dëgjua një zë.
Zedersoni ktheu kokën menjëherë. Ishte Nensi.
-Më fal që hyra kështu, por nuk pashë askënd në shtëpi, - tha ai.
-Sepse zonja Violetë ka ikur së bashku me zotin Alan dhe dy fëmijët e saj në Oksford, - u përgjigj Nensi duke buzëqeshur.
-Dhe ti je... Nensi, apo jo?
-Po. Jam Nensi, kryeshërbyesja e shtëpisë. Dhe kryesisht, shërbyesja e znjsh. Kei.
-Ah, në rregull.Nensi e drejtoi për në dhomën e miqve. Zedersoni u rehatua në njërin prej kolltuqeve të dhomës.
-Dëshironi ndonjë gjë? - e pyeti ajo.
-Jo faleminderit. Po qëndroj për pak këtu, - u përgjigj Zedersoni.
-Ndërsa unë po shkoj të thërras znjsh. Kei.
Ndërkohë Katerina ishte mbi shtrat, teksa lexonte një libër. Nensi trokiti në derë dhe hyri brenda. Njoftoi Katerinën se Zedersoni kishte ardhur. Dhe në fytyrën e Katerinës u shfaq një buzëqeshje nga hiçi. Ai kishte ardhur sërish. Njerëzit që i futeshin sfidave të jetës, kjo gjë i pëlqente Katerinës. Dhe Zedersoni i kishte hyrë një sfide të madhe, sfidës për të kthyer normalitetin e pacientes së tij. Dhe ajo doli nga dhoma me sharmin e saj femëror, krenare dhe e patrembur. Diçka që të gjithë Andërllendët e kishin të trashëguar ishte pikërisht ajo konfidenca e tyre.Zedersoni po priste, i ulur në atë kolltuk, dhe i përqendruar në horizontin e shfaqur në dritare.
-Ai kolltuk ka qenë i preferuari im kur isha tetë vjeç, - u dëgjua zëri i Katerinës.
Zëri i saj e zgjoi Zedersonin nga përqendrimi përtej horizontit. Ai ktheu kokën, dhe më pas u ngrit në këmbë sapo pa pacienten e tij. Dukej i hutuar.
-Oh, të kërkoj ndjesë. Isha përqendruar aq shumë në dritare, sa harrova se për çfarë kisha ardhur. Por tashmë erdhe ti, dhe gjithçka mu kujtua.
Ajo buzëqeshi.
-Kostum i bukur, zoti psikolog. Juve ju pëlqen të visheni mirë, mesa duket. Të rri perfekt.
-Faleminderit. E vlerësoj këtë.
-Hëh, të gjithë i pëlqejnë komplimentat. Por merreni si diçka pozitive nga ana ime. Dhe tani, nëse nuk keni ndonjë kundërshtim, le të shkojmë në dhomën time. Atje mund të bisedojmë pa problem, - tha ajo, teksa e vështronte me atë shikimin e saj konfident.Ajo e udhëhoqi psikologun e saj, dhe ai ndoqi pacienten e tij. Të dy ngjitën shkallët për në dhomë. Dhe hynë aty, në atë dhomë, atje ku nisi gjithçka. Katerina u ul mbi shtrat, ndërsa ai mori karrigen. Ajo u rehatua në shtratin e saj, dhe ia nguli sytë psikologut të saj.
-Iku një e keqe, erdhi e keqja tjetër!
-Më fal? - pyeti ai disi kurioz.
-Iku Violeta, mendova se shpëtova. Por jo, ja ku erdhët ju, zoti psikolog. Nuk besoj se ju ka sjellë ndonjë gjë e mirë këtu, ndaj pyetja e saktë do të ishte se... ç'e keqe ju solli këtu, sërish?
Zedersoni e vështroi në sy dhe buzëqeshi.
-Ti.
Fytyra e saj mori një pamje të habitur.
-Kam dëgjuar që jam e çuditshme, e çmendur, e marrë. Tani zbulova që jam dhe e keqe. Pra, unë jam e keqja e kësaj shtëpie, apo jo? Unë, që e keqja më ka shpallur sfidë. Bukur, shumë bukur! Edhe ju keni fiks mendjen e Violetës. Zoti psikolog, unë nuk kam asnjë problem. Jam shumë mirë.
-Me atë që pashë dje, nuk dukeshe dhe aq mirë, - ia ktheu ai.
-Ajo nuk ishte ashtu siç dukej. Ishte thjesht... një humbje e vetëdijes.
-Dhe humbja e vetëdijes në atë formë nuk është dhe aq shenjë e mirë.
-Nuk është hera e parë që ndodh.
-Dhe nuk do të jetë as e fundit, për sa kohë që ti sillesh kështu.Ajo heshti për pak. E dinte mirë që ai kishte të drejtë për këtë. Mori frymë lehtë, pas një heshtjeje të shkurtër.
-Çfarë supozohet të bëj?
-Të ecësh përpara. Do të të jap një këshillë znjsh. Kei. Nëse do që të ecësh përpara, atëherë mbylle të shkuarën tënde të hidhur në një valinxhe që nuk do të udhëtojë me ty.
-E kam mbyllur, zoti psikolog, e kam mbyllur me mijëra herë të shkuarën time. Dhe nuk jam unë ajo që e marr me vete të shkuarën time, është e shkuara ime që më ndjek nga pas. Ju mendoni se unë dua t'ia di për të? Jo, nuk dua t'ia di.
-Atëherë pse sillesh kështu?
-Sepse ju po më detyroni të sillem kështu, - ia ktheu ajo, dhe kryqëzoi krahët.
Sjellja e saj thjesht sa e bënte Zedersonin të qeshte në vetvete. Ai buzëqeshi sërish, u ngrit nga karrigia.
-Nëse do që unë të iki, atëherë do të iki, - tha dhe u drejtua nga dera.
-Jo! - klithi Katerina.
Ai u kthye menjëherë me sytë e hapur. Dhe papritur Katerina heshti. E kuptoi që ai reagim nga ana e saj nuk ishte i përmbajtur. U përpoq të dukej serioze pas asaj 'jo'-së trashanike dhe idiote që doli nga goja e saj, ama në sytë e saj shfaqej krejt e kundërta. Dukej e tmerruar, ajo 'jo'-ja trashanike i gumëzhinte në vesh. U mundua të qetësohej.
-Doja të thoja... uluni.Ai u afrua sërish dhe u ul në karrige.
-Atëherë... znjsh. Kei.
-Po... zoti psikolog?
-Për çfarë do të flasim sot?
-Nuk është nevoja të më pyesni kur jeni ju ai që i dini temat për të cilat mund të flisni me pacientët tuaj.
Zedersoni mori frymë ngadalë. Katerina kuptoi se ai nuk po gjente diçka konkrete për ta pyetur, ndaj e bëri vetë hapin e para.
-Zoti psikolog... përse nuk më flisni pak për veten tuaj?
Bebëzat e syve të tij u zmadhuan lehtë. Ai e vështroi pacienten e tij me kuriozitet.
-Vërtet... do që të të flas për veten?
-Është dita e dytë që vini këtu. Ju zbuluat disa gjëra për mua. Njësoj siç ju u bëtë kurioz për mua, edhe unë jam kurioze të di diçka për ju.
-Për shembull çfarë? - zëri i tij u bë më i thellë.
Dhe mënyra se si ai zë tingëlloi në veshët e saj, e përhumbi Katerinën për pak.
-Diçka... të zakonshme. Dua të di se kush është ky person me të cilin po flas në këto momente. Kush është ai... në jetën reale.Duke e vështruar pacienten e tij të bukur, buzëqeshja e Zedersonit u theksua. Katerina e vuri re, dashur-padashur. Kishte diçka që e ngacmonte nga brenda teksa shihte psikologun e saj me sy të gjelbër. Vështrimi i tij nuk ishte më ai i një psikologu të ftohtë. Dhe diçka i pëlqente në atë vështrim e në atë buzëqeshje që përçonte drejt saj fytyra e psikologut. E dinte mirë që asnjë mashkull nuk mund t'i rezistonte. Të gjithë mahniteshin prej bukurisë së saj. Dhe ky ishte pikërisht çasti kur Katerinës i pëlqente të luante me shprehitë e fytyrës.
Ajo u afrua më në anë të shtratit.
-Kam një pyetje, zoti psikolog. Por nuk e di nëse më lejohet t'ju pyes për këtë.
-Znjsh. Kei... mund të më pyesësh për çfarë të duash.
-Në rregull atëherë... - foli me gjysmë zëri.
Iu afrua pakëz psikologut të saj, me atë vështrim manipulues femëror.
-Përse po buzëqeshni në këtë moment që po më shikoni mua?
-Ndoshta sepse... ti je një paciente vërtet e veçantë.
-Ç'më bën mua më të veçantë se pacientët e tjerë që keni?
-Fakti se ti je... një grua tridhjetë vjeç.
-Që do të thotë?
-Pacientët e tjerë që kam pasur, zakonisht kanë qenë adoleshentë dhe njerëz që shkonin deri në moshën njëzet e pesë vjeç. Ata kishin probleme të mëdha me gjendjen momentale mendore dhe shpirtërore. Ndërsa ti je një grua e pjekur, dhe shëndeti yt mendor është krejt normal. I vetmi problem që ke është ndikimi që ka e shkuara jote tek ti.
-Unë do t'i shkoj asaj çështjeje gjer në fund.
-Dhe unë të uroj ta gjesh të vërtetën. Por deri atëherë... unë dua që ti të flasësh lirshëm me mua për të shkuarën tënde. Të flasësh me dikë për atë që të shqetëson të ndihmon ty të çlirohesh sadopak nga kthetrat që të kanë ngulur sekretet në shpirt. Mjaft jetove duke fshehur gjëra që të shqetësojnë, znjsh. Kei. Ka ardhur koha të çlirohesh. Lëre veten të lirë.***
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...