Të tre kthyen kokën pas.
-Hana? Po ti kur erdhe këtu? - reagoi Hermani i çuditur.
-S'kam as një minutë që hyra brenda. Kisha dëshirë t'iu takoja sot. Dhe dëgjova rastësisht këtë bisedë që sapo nisi mes jush. Nëse doni të dini diçka më shumë, atëherë ja ku jam, të dashurit e mi, - u përgjigj ajo dhe të gjithë shkuan në dhomën e ndenjes.Të gjithë ishin kaq të heshtur në ato momente. Më pas, Katerina vendosi të thyente heshtjen.
-Hana, ti di diçka mbi të gjitha këto që kanë ndodhur në familjen e Andërllendëve, apo jo?
Hana buzëqeshi.
-Katerinë, po të mos ishte për mamanë tënde, unë nuk do të kisha zbuluar asgjë. Nuk do të të kisha njohur. Madje nuk do të isha fare në Paris, por do të isha duke punuar ende si një shitëse në Londër. Ajo që dua të them është se, unë i kam qendruar pranë mamasë tënde që në momentin që ajo më mori e më strehoi në shtëpinë e saj në Paris. Dhe normalisht që unë di një pjesë të mirë të sekreteve të mamasë tënde. Por nuk jam unë ajo që do të t'i them. Do të kuptosh gjithçka kur ta takosh vetë mamanë tënde.
-Kur do të mundem ta takoj, Hana? Kanë kaluar kaq vite që m'u desh të bindesha me vdekjen e saj, dhe pikërisht tani në fund zbuloj se është gjallë. Dua ta takoj atë. Dua të di gjithçka.
-E di. E di që dëshiron aq shumë ta takosh mamanë tënde. Por dhe ajo e ka të vështirë, Katerinë. Ka aq vite pa të parë, dhe akoma nuk e di se si je bërë ti. Megjithatë, kur ajo të jetë gati për të të takuar, do të të takojë vetë.Të tre ata, Katerina, Hermani dhe Hana i ishin futur thellë bisedës. Ndërsa Levi vazhdonte t'i shikonte me vëmendje që të tre, por sytë më së shumti i shkonin tek Hana, tek kjo bionde me sytë ngjyrë hiri. I bëri përshtypje që në fillim mënyra e të folurit të saj. Kaq e qartë sa nuk i linte vend paqartësive. Dhe në fakt, Hana ishte vërtet një nga ato lloj femrash që të linte mbresa në mendje, e me shumë siguri një femër që të bënte të ëndërroje për të me sy hapur.
Për një moment, edhe Hana e vuri re.
-Ah, për pak harrova që paskam dikë tjetër këtu. Levi Andërllend, gëzohem që më në fund arrita të të kem përballë vetes.
Levi ngeli si i ngrirë, e zuri paniku.
-Nga... e di ti që... unë quhem kështu? - belbëzoi ai.
-Unë di gjithçka, i dashur. Besoje ose jo. Prandaj jam këtu, pranë mikut tim dhe motrës tënde. Dhe ne të dy kemi për të folur gjatë bashkë, në lidhje me këto që kanë ndodhur dhe që po ndodhin, - tha ajo duke buzëqeshur.Ai nuk dinte ç'të thoshte. Ajo ia kish shteruar fjalët. Nuk ishte ndierë ndonjëherë më i pasigurt se në atë moment. Dhe Hana e nuhati pasigurinë e tij.
-Mos ki frikë nga unë, Levi. Nuk do të të bëj asgjë, kërkoj vetëm pak informacione nga ti. Por nuk mund të të pyes këtu. Nëse Katerina më lejon, dua të të marr në shtëpinë time për të të pyetur për të shkuarën tënde, në mënyrë që të bëj lidhjen e ngjarjeve që kanë ndodhur.
Levi vazhdonte të rrinte si i ngrirë. Ndërsa Katerina nuk nguroi t'i përgjigjej Hanës.
-Oh, nuk ka problem. Mund ta marrësh, sepse besoj që do ta kesh më të lehtë të bisedosh atje.
Hana buzëqeshi. U ngrit nga divani ku ishte ulur.
-Atëherë le të shkojmë, - tha ajo.***
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...