161.

62 3 0
                                    

Katerina futi duart në xhepat e xhaketës. Ndiente të ftohtë, pavarësisht ngrohtësisë që kish pushtuar shtëpinë. Diçka ndieu në dorën e djathtë. Nuk mbante mend të kishte lënë diçka në xhep. Kurioziteti për të parë se ç'kishte në xhep iu shtua, ndaj e nxori dorën së bashku me atë që ndieu.
E nxori para syve. Ishte një letër e palosur. Rrudhi vetullat. Çfarë mund të ishte ajo letër?
-Katerinë! - u dëgjua zëri i Violetës.
Katerina futi duart në xhepa sapo pa Violetën të vinte aty.
-Katerinë, çfarë ndodhi?
-Asgjë, Violetë.
-Ku është Hermani?
-Doli pak jashtë.
-Tani? Por darka ka dhjetë minuta qëkur u shtrua në tavolinë. Kështu gjërash nuk duhet të ndodhin, e aq më pak sonte.

Katerina buzëqeshi.
-Violetë, kështu është Hermani. Ndonjëherë... dëshiron të dalë jashtë gjatë natës së Vitit të Ri, përpara se të mbërrijë ora dymbëdhjetë e natës. Ora është dhjetë e gjysmë, kështu që jemi në kohë edhe për të ngrënë. Apo do vazhdosh zakonin e vjetër që duhet të kishim ngrënë që në orën tetë?
-Jo jo, sot është një natë ndryshe, megjithatë duhet të jemi të gjithë në tavolinë.
-Mos u mërzit, do të vijmë që të dy shumë shpejt. Unë tani duhet të shkoj pak në dhomë sepse harrova t'u kthej përgjigje në e-mail kolegëve të punës, - tha Katerina dhe filloi të ngjiste shkallët.
-Kolegëve të punës? - e pyeti disi e çuditur Violeta.

Katerina ktheu kokën nga Violeta.
-U ktheva sërish në punë, tek kompania e modelingut, kompania që dikur e kishte pasur babai ynë. Tani jam unë që e drejtoj atë, dhe nuk kam ndërmend ta çoj në falimentim. Do ta rimëkëmb sërish, që ajo të ketë po atë famë që mori dikur. Kam ide të reja, dizenjime të reja, modë të re. Po përgatitem për vitin që vjen. Siç e di, moda është si akrepat e orës, gjithnjë në lëvizje. Dhe unë jam në kërkim të perfeksionit.
-Katerinë, më bëhet qejfi që e ke marrë seriozisht, por a nuk duhet të kujtosh se perfeksioni nuk ekziston?
-Tek unë gjithmonë do të ekzistojë ideja e perfeksionit, Violetë. Dhe nuk ka gjë më të bukur se të mendosh për të, dhe për gjithçka që të pret. Në botën e punës, të paktën aty ku punoj unë, njeriu duhet të jetë sa më i afërt me atë ide. Secili prej nesh e ka një mendje brilante, me ca ide fantastike, thuajse të pamundura. Dhe pikërisht ne, ne që ia dimë sekretet, ne jemi ata që mund të krijojmë perfeksionin në këtë botë imperfeksioniste, - iu përgjigj Katerina me krenarinë e saj femërore e të palëkundshme.
Pas këtyre fjalëve, Katerina ngjiti shkallët për të shkuar në dhomë. Violeta u kthye për të shkuar dhe njëherë në dhomën e ngrënies.
-Uau! Katerina ishte kjo që foli? Nuk e prisja kurrë të fliste me kaq dëshirë për punën në kompani. Me sa duket, martesa ia paska mbledhur trutë, - tha me vete duke buzëqeshur.

Hapi derën e dhomës. Hyri brenda. E kyçi, në mënyrë që të mos hynte askush. Nuk dëshironte askënd ta bezdiste në atë moment. Katerina nxori letrën nga xhepi.
-Kush mund të ma ketë vënë këtë letër në xhep? – mendoi me zë.
U ul pranë tavolinës së punës. E vendosi letrën aty. Dhe nuk priti më shumë. E hapi atë letër me shumë kujdes, me mollëzat e gishtave të saj të hollë. Diçka shkruhej aty. Nuk ishte një shkrim me kompjuter. Letra ishte shkruar me dorë. Një shkrim i pastër dore, shkronja disi pjerrëtaz, por të sakta dhe të kuptueshme:

"Nëse do të më takosh, e di se ku mund të më gjesh. Është sekreti ynë i përbashkët. Nëse ende dëshiron të dish të vërtetën atëherë e di se ku mund të më takosh. Unë po të pres, në dhomën e muzikës.

Katerina ngriti kokën, vështroi nga dera. Për një moment nuk dinte ç'të mendonte. A ishte vallë personi që po kërkonte pas kaq vitesh?

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now