***
"I shoh ata të dy. Janë atje... dhe duket që po debatojnë me njëri-tjetrin. Mamaja ca më shumë që i kthehet babait me nerva. Ajo i kërkon divorcin. Pikërisht këtë dëgjoj unë. Jam duke shkuar tek ata shumë e lumtur dhe, sapo e dëgjoj këtë, tronditem. Si mund ta bëjnë këtë prindërit e mi? Si mund ta bëjnë këtë, kur ata janë familja Andërllend, familja më perfekte e Londrës?
Dhe ata më shohin me habi kur i pyes se përse do të ndahen. E shoh mamanë time më të nervozuar se kurrë, që më thotë të kthehem në dhomë. Por unë insistoj në pyetjen time, dhe ajo nervozohet më shumë. Më bërtet të shkoj në dhomë. Dhe unë ia mbath me vrap...
Dhe në vrapim e sipër, mes lotëve shoh Violetën, e cila më shikon teksa vrapoj e ngjis shkallët për në dhomën time. Ajo më vështron e çuditur, dhe fill pas atij vrapi vjen drejt e në dhomën time.
-Katerinë, çfarë ke? Përse po qan?
-Ata do të ndahen, Violetë.
-Kush do të ndahet?
-Mami do të ndahet nga babi.
Violeta shtanget. Çfarë po i them ashtu? Asgjë më shumë se atë që dëgjova nga mamaja.
-Çfarë do të ndodhë me ne? - e pyes, edhe pse Violeta nuk mund të më përgjigjet.
Ajo nuk di çfarë të më thojë, thjesht më mban mua pranë vetes. Mundohet të mos e japë veten përpara meje, para motrës së saj të vogël dhjetëvjeçare. Ajo e di që ndarja e prindërve do të ndodhë, por nuk mund të ma thotë dot mua, sepse nuk di se si të ma shpjegojë... është vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Është fëmijë vetë. Si mund t'ia shpjegojë fëmija fëmijës këtë lloj fenomeni?
Dhe krejt papritur, në shtëpi gjendemi vetëm ne të dy, unë dhe babai im. Ai është i dehur, dhe më sheh me urrejtje. Unë jam krejt e pambrojtur. E di se çfarë më pret prej tij. Por kësaj radhe ndodh diçka tjetër. Ai bie përtokë, dhe gjaku i tij përhapet në të gjithë shtëpinë. Ai ka vdekur. Ka vdekur. Dikush e vrau..."***
Katerina hapi sytë menjëherë. Po merrte frymë me vështirësi. U mundua të qetësohej. Pa orën, ishte 06:30. Mëngjes, një ditë e re kishte aguar. Ajo mbylli sytë sërish, duke fërkuar fytyrën me duar.
-Oh Zot, ishte thjesht një ëndërr e keqe nga e kaluara.
Ashtu ishte në fakt, një copëz makthi nga e kaluara. Ajo gjendje e shqetësonte shumë, ishte një ëndërr që e shtynte të zbulonte më shumë për të shkuarën, se pse ndodhën gjërat në atë mënyrë, se çfarë e shkaktoi.Megjithatë mendimet e Katerinës nuk zgjatën shumë. Nensi hyri me vrull në dhomë dhe hapi perdet. Drita përmes dritares ra menjëherë në fytyrën e Katerinës, dhe kjo e acaroi menjëherë.
-Ah... Nensi, më verbove me këtë dritë! - ulëriti Katerina.
-Më fal znjsh. Kei, por mua më duhet të punoj, - i tha Nensi.
-Kush dreqin të tha të vije këtu që në pikë të mëngjesit?
-Zonja Violetë, znjsh. Kei.
Kjo përgjigje ia ngriti nervat më shumë Katerinës. U ngrit me vrull dhe doli nga dhoma. U afrua tek shkallët.
-Violetë! - ulëriti me sa fuqi kishte.
Violeta nuk u shqetësua fare.
-Bukur! Motra ime qenka zgjuar në humorin më të mirë të mundshëm.
-Violetë, - e vështroi Alani disi qortues.
-Mos u shqetëso, kjo është pak. Ka dhe më keq. Tani nis drama në këtë shtëpi, - tha dhe u nis të shkonte atje nga vinte zëri i Katerinës.Violeta e mori shtruar fare, duke ecur për atje. Dhe e vështroi Katerinën që aty poshtë.
-Mirëmëngjes zonjushë! Njeriu thotë mirëmëngjes kur zgjohet. Dhe pse je akoma me rrobat e gjumit?
-Violetë, përse i the Nensit të vijë e të më hapë perdet e dhomës që në pikë të mëngjesit?
-Më falendero për këtë, zonjushë. Po e bëj që të mos lodhesh duke i hapur vetë. Në fund të fundit, përse është Nensi në këtë shtëpi?
Katerina turfulloi.
-Nensi nuk është këtu për të dëgjuar urdhrat e tua, por të mijat. Dhe nëse deri dje ishe ti që e urdhëroje Nensin e gjorë të punonte sa për të gjithë shtëpinë, atëherë sot e deri sa të jem unë këtu nuk ka për të ndodhur kështu. Lëre Nensin të merret me punët e mija, ajo punon për mua. Ti merru me ato dy shërbyeset e tjera që rrinë tërë ditën vetëm në kuzhinë dhe që nuk duken fare rrotull. Ato e kanë për detyrë të bëjnë gjithë punët e shtëpisë, jo Nensi.
-Uau, më preke në shpirt me këto fjalë. Nuk e dija që e doje kaq shumë shërbyesen tënde.
-Normalisht që do ta dua Nensin, sepse ajo më ka rritur. Ajo nuk është thjesht shërbyese, ajo ka qenë një mama e dytë për mua Violetë. Por ti nuk e kupton këtë. Sepse gjithmonë ke patur shumë njerëz rreth vetes. Je rritur e lumtur në mesin e gjithë pasurisë së trashëguar të Andërllendëve. Ndërsa unë? Hëh! Nga momenti në moment e dija se çfarë më priste çdo darkë në orën nëntë. Sa do të doja tani ta kishe përjetuar ti jetesën me atë burrë pas divorcit të mamasë. Sa do të doja që ai burrë të mos më merrte prej duarve të mamasë.
-Katerinë, ai burrë për të cilin po flet është babai ynë.
-Nuk dua t'ia di! Ai ka qenë makthi im më i keq, Violetë. Ai njeri, pikërisht ai. Dhe sa më shumë që të shoh ty, aq më shumë më kujtohet ai. Dhe nëse dikush do të më pyeste sot se kujt i ngjaj më shumë, atëherë do të thoja që i ngjaj mamasë, sepse babait i ngjan motra ime e madhe. Dhe e di çfarë? Ti bën gjithçka vetëm që të më bezdisësh mua. Por nuk ia vlen. Nuk mund të ma prishësh terezinë, zonjë e madhe! - ia ktheu përfundimisht dhe kaq u desh që ajo bisedë të mbyllej.
Katerina iku gjithë nervozizëm në dhomën e saj. Ndërsa Violeta ngeli pa fjalë. Për pak shtangu komplet.
-Zonjë e madhe!?
-Të thashë të mos e bezdisje Katerinën, Violetë. Por ti nuk më dëgjove, - tha Alani teksa e pa.
-Alan, ajo më tha 'zonjë e madhe'. Ajo vajzë do të më çmendë!
-Epo... mendoj se ka të drejë ta bëjë këtë.
Violeta shtangu më shumë nga reagimi i Alanit.
-Alan, anën e kujt mban ti?
-Anën e askujt.
-Ti mban anën e kunatës tënde të çmendur nga e shkuara e saj, apo anën e gruas me të cilën ke kaq vite i martuar?
-Të thashë Violetë, nuk mbaj anën e askujt.
-Unë e di që ti më shumë mban anën e saj, Alan. A nuk e kupton se ajo është një lloj merimange vejushë, dhe çdo gjë që ajo thotë është thjesht një lloj rrjete për të kapur sa më shumë pre? Ajo e tillë është Alan, gjithmonë ankohet për çdo gjë, dhe çdo gjë për të cilën ankohet e kthen në një dramë. Ajo është mbretëresha e dramës, por me mua nuk mund të aktrojë kaq bukur, - tha Violeta disi e nervozuar dhe doli nga shtëpia.Ndërkohë Katerina hyri dhe njëherë në dhomë tërë nerva.
-Nensi, herës tjetër më pyet mua se çfarë do të bësh kur të hysh në dhomën time, në rregull?
-Më vjen keq që të nervozova kaq shumë me atë që bëra, por zonja Violetë tha...
-Nuk dua t'ia di se çfarë tha zonja e madhe! Ti do të bësh çfarë them unë, - tha me turfullim.
Erdhi njëherë rrotull dhomës. U mundua sërish të qetësohej. Mori frymë thellë. Dhe u ul sërish mbi shtratin e saj.
-Nensi, unë nuk dua të të bërtas, ok? Thjesht... Violeta më bën të sillem ashtu. Mos e dëgjo më atë, ti nuk je këtu për të bërë gjithë punët e shtëpisë. Ti je këtu sepse mamaja ime të ka lënë të kujdesesh për mua. Ti je një lloj mamaje e dytë për mua, e di këtë? Dhe nëse Violeta është sjellë kështu me ty për pesë vite rresht që nuk kam qenë unë e pranishme, atëherë bravo i qoftë asaj! Gjithmonë mendon se bën gjënë e duhur, por nuk e di ajo se sa gabime ka, duke nisur nga sjellja e saj kundrejt teje. Nëse ajo ka marrë ato dy shërbyeset e tjera që janë më të reja në moshë se ti, atëherë për çfarë i mban e u jep rrogën kot? Oh Nensi, ajo nuk kupton asgjë. Ajo nuk e di se çfarë ke hequr ti kur jetoja me babain pas ndarjes së tij nga mamaja. Vetëm ti dhe unë e dimë, askush tjetër. Nuk e kuptoj, përse u katandis familja ime kështu? Përse degradoi në këtë mënyrë?
-Do të doja shumë të të ndihmoja znjsh. Kei, por unë nuk di se çfarë të bëj. Unë dua që ti të jesh e lumtur. Këtë kam dashur gjithmonë.
-Nuk mund të jem e lumtur pa zgjidhur misteret e Andërllendëve. Violeta më ka thënë që mamaja jonë ka vdekur, pak pas babait. Ti si mendon Nensi?
-Kështu e di dhe unë, zonjushë. Dëgjova që ajo vdiq nga një atak në zemër. E shkreta, ishte një grua e mirë. Unë e kam njohur mirë atë, por nuk arrija ta besoja faktin se ajo vdiq.
-Ky është versioni i Violetës, Nensi. Ajo ka thënë gjatë gjithë kohës që mamaja vdiq nga ataku në zemër. Madje, nuk e kujton asnjëherë mamanë, nuk e përmend atë. Unë e di që ajo ka jetuar më shumë me mamanë, por ajo nuk më tregon asgjë për të. A thua të jetë diçka e dyshimtë kjo?
-Nuk e di, nuk mund të flas dot për këtë çështje.
-Babai nuk më la kurrë ta takoja mamanë pas ndarjes. Ai më mbante të mbyllur në shtëpi. Dhe si gjithmonë, çdo darkë shkonte të kthente ndonjë gotë në shtëpinë e mikut të tij, z. Alfred. Më pas, e nxirrte çdo gjë mbi mua, me dhunë. Sikur ta kisha unë fajin për çdo gjë që ndodhi.
-Eh, ashtu ishte ai, znjsh. Kei, por mos mendo më për këtë. Ai tashmë ka vdekur.
-Po, vdiq para syve të mi. Iku ashtu papritur. Por kjo nuk do të thotë që do e lë këtë çështje me kaq. Një ditë do ta zbuloj gjithë të vërtetën e të shkuarës së Andërllendëve.***
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...