Ai zë, kaq i thellë dhe kaq i qetë, erdhi si një tingull i frikshëm në veshët e Katerinës. Ai zë i shkaktonte mijëra ndjesi si në mendje ashtu edhe në stomak. Ajo shqeu sytë sapo e dëgjoi, ktheu kokën dhe për pak sa s'ulëriti me të madhe. Hermani iu turr për t'ia mbyllur gojën me dorën e djathtë.
-Shhh, gjithçka në rregull. Qetësohu, mos bërtit. Më lejo të të ndihmoj.
Katerina ia tërhoqi dorën poshtë e nervozuar.
-Herman! Çfarë dreqin bën në dhomën time? Mendova se ishte Nensi. Po sikur të të ketë parë dikush?
-Askush nuk më pa, Katerinë. Të gjithë janë në oborr.
-Domethënë ke ardhur fshehurazi?
-Në një farë mënyre.
Ajo përgjysmoi sytë dhe buzëqeshi me ironi.
-Dëshiron të dukesh misterioz, si maska që mban në fytyrë, apo jo?Hermani bëri disa hapa afër saj, Katerina bëri po disa hapa larg tij duke ecur mbrapsht. Ai ia nguli sytë dhe mbylli derën e tualetit me çelësin që gjendej në bravë. Asaj i ndryshoi fytyra menjëherë; sytë e hapur jashtë mase, fryma që hynte e dilte përmes buzëve gjysmë të hapura, duart e akullta, e bardha lëkurë e ftohur. Dukej e tmerruar. U përplas me murin teksa Hermani i afrohej gjithnjë e më shumë. Ajo ktheu kokën në anën e djathtë të saj, duke shtrënguar sytë e mbyllur, e frikësuar. Dridhej e tëra nga frika, mendonte gjithçka që mund të ndodhte mes saj dhe tij në atë moment që gjendej e kyçur në tualet. I vinte rrotull ideja se ai mund t'i hidhej përsipër e të përfitonte nga momenti që të gjithë ishin në oborr.
Hermani e tërhoqi dhe e ktheu me shpinë nga fytyra e tij. Ai vështroi fustanin e saj, i cili ishte hapur gjer në fundshpinë. Diku në fshehtësi vuri re shenjën e saj, atë shenjë që mbart kujtime të errëta e të harruara në kohë. Ajo plagë e vjetër ia vodhi disa sekonda nga vetëdija. Por shumë shpejt u kthjellua. Provoi t'ia mbërthente fustanin, por më kot. Zinxhiri i qe prishur. Ai u mendua pakëz. Fytyra i mori një pamje serioze.
-Hiqe!
-Çfarë?! - reagoi ajo.
-Hiqe... fustanin tënd.
-Herman, mos je çmendur gjë? Nuk mund ta bëj këtë.
-Hajt pra, Katerinë. Nuk besoj se e ke problem ta heqësh fustanin para syve të mi. E ke bërë këtë gjë dikur.Ato fjalë i ngjallnin një ndjesi krejt të çuditshme dhe të harruar për një kohë të gjatë. Dhe ajo e dinte mirë. Ai ishte pjesë e së shkuarës së saj. Katerina nuk mund t'i shmangej të shkuarës së saj, e sidomos asaj pjese ku gjendeshin gjurmët e Hermanit, ato gjurmë të lëna aty si në ndonjë arkivë e mbushur me dosje me vlerë.
-Oh, Herman. Përse... ma bën këtë? Çfarë kërkon... nga unë? - belbëzoi ajo.
Ai buzëqeshi. Ngadalë zgjati duart në krahët e saj dhe e ktheu me fytyrë nga vetja. E vështroi me gjithë dëshirën që i përçonin sytë. Vështroi gjithçka që përfaqësonte atë femër. Sa shumë rëndësi që kish ajo për Hermanin, pa e ditur as ajo vetë se sa.Hermani mori frymë thellë.
-Ti e di shumë mirë që unë nuk kërkoj asgjë nga ti, Katerinë.
Ajo iu afrua ngadalë, me gjithë delikatesën e saj femërore, me atë vështrimin depërtues, me elegancën e gjithë qenies së saj. Ia hoqi maskën nga fytyra dhe vështroi në sytë e tij të gjelbërt.
-Herman, ti po më thua të heq fustanin... përpara teje. A nuk është e gjithë kjo pak si shumë për ty në këtë natë?
-Unë nuk mjaftohem kurrë duke të të parë ty. Ti nuk je asnjëherë shumë për një njeri si unë. Ti je shumë më shumë sesa thjesht shumë. Ti je gjithçka. Është detyra ime të kujdesem për ty. E kam bërë njëherë, do ta bëj sërish.
-Herman, isha fëmijë atëherë. Ti je kujdesur mjaft për mua. Tani unë do të kujdesem vetë për veten, - tha ajo dhe tentoi të kthehej me shpinë nga ai, por Hermani e kapi sërish nga krahët dhe e ktheu fuqishëm nga vetja.
-Mos më thuaj që i ke harruar të gjitha ato që ke kaluar me mua, Katerinë Evë Izabelë Andërllend. Mos më thuaj që më ke harruar dhe mua si gjithë ish- të dashurit e tu. Unë nuk jam një prej tyre.
-Po as i dashuri im nuk je.
-Atëherë çfarë jam unë?Kjo pyetje e papritur nuk pati një përgjigje të momentit. Ajo nuk dinte ç'përgjigje t'i kthente. Papritur një zë erdhi nga dera e dhomës.
-Katerinë! - thirri Violeta.
Katerina mori një pamje të shqetësuar përpara Hermanit.
-O Zot! Është Violeta. Po sikur të na gjejë këtu?
Hermani iu afrua duke e mbërthyer të gjithën, dhe e pa me një vështrim kërcënues.
-Shhh, mos i thuaj që jam këtu. Askush nuk duhet ta dijë që ne të dy jemi takuar. Aq më pak ta dinë se çfarë jemi duke bërë bashkë, qoftë për kërkimin e të shkuarës së familjes tënde apo... qoftë në këto momente brenda tualetit tënd. Mos guxo t'i thuash që të kam kyçur këtu. Ndryshe ke për të shkatërruar gjithçka. Ti e di që mund të dal e t'i tregoj Violetës gjithçka që kemi bërë bashkë. Gjithçka e bënim fshehurazi, sa here që ti gjendeshe në Nju-Jork. E di shumë mirë sa shenjtore je. Dhe për shpëtimin tënd të tanishëm nga ajo pjesë e së shkuarës më detyrohesh me qenien tënde. Tani gjej një justifikim dhe bëje motrën tënde të largohet nga këtu.Katerina e vështroi e shtangur.
-Po...? - iu përgjigj Violetës, pa i shkëputur sytë nga Hermani.
-E di që mungon dikush në festën e sotme? - e pyeti Violeta teksa rrinte në derë.
Ndërkohë të dy u frikësuan. Në veshët e tyre, kjo fjali u jepte ndiesinë sikur Violeta dinte diçka për ata të dy.
-Kush? - pyeti Katerina disi e trembur.
-Është dikush që ndodhet në dhomën tënde.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...