98.

85 3 3
                                    

"25 shkurt 1994, diçka më erdhi në veshë. Mamaja e Hermanit kishte vdekur, madje kishte vdekur para 7 vitesh, kur Hermani ishte vetëm 6 vjeç. Aty filloi të më ringjallej ai misteri i vdekjes së djaloshit me flokë të zinj. Mënyra e vdekjes së të dyve kishte qenë shumë misterioze për mua. Hermani jetonte në shtëpinë e Alfredit, si një jetim i birësuar, jo se ishte birësuar nga Alfredi por nuk kishte askënd tjetër me të cilin të jetonte. Më vinte keq për atë djalë, jetim, pa prindër. Por tani ai ishte 13 vjeç.
Këtë ditë shkova së bashku me Frederikun dhe vajzat në shtëpinë e Alfredit. Ai na priti me atë krenarinë e tij prej pasaniku. Frederiku dhe Alfredi u mbyllën në zyrë, ndërsa unë po rrija me fëmijët. Violeta dhe Vinsenti i vogël, djali i Alfredit, u bashkuan bashkë sepse atij i pëlqente shumë të luante me Violetën në dhomën e tij të mbushur me lodra. Dhe kështu unë mbeta aty me Hermanin dhe Katerinën.
'Herman, kjo është vajza ime e vogël, Katerina.' – i thashë duke buzëqeshur.
Hermani u afrua duke buzëqeshur dhe i zgjati dorën në shenjë takimi.
'Përshëndetje, unë quhem Herman.'
Katerina zgjati dorën drejt tij si një zonjushë e vogël.
'Katerinë Evë Izabelë Andërllend.'
Hermani u çudit nga mënyra se si e mbante ajo dorën drejt tij. Ndaj m'u desh t'ia shpjegoja atij që Katerina ishte mësuar që meshkujt i puthnin dorën e djathtë sa herë që takoheshin me të. Hermani e kuptoi menjëherë dhe veproi po në atë mënyrë si gjithë të tjerët.
Ajo buzëqeshi. Ishte hera e parë që shikoja Katerinën të buzëqeshte para një djali. Aty ndieva që Hermani do të ishte djali i duhur për të. Një nënë e di se ç'është më e mira për fëmijën e saj, dhe unë e kisha zbuluar këtë që në atë shikimin e vajzës sime."

-Po Anastasia, ke shumë të drejtë. Një nënë e di se... ç'është më e mira... për fëmijën e saj. Vetëm një nënë e di, - mendoi me zë Hermani teksa lexonte ato letra.
Ai u ngrit nga karrigia dhe shikoi sërish kah dritarja. Heshtja e pushtoi të gjithin. Dhe filloi të lexonte sërish ato fletë...

"10 janar 1995, Frederiku shkon si zakonisht në punën e tij të modelingut, në kompani, në zyrën e tij. Aty erdhi për herë të parë një vajzë. Ishte 25 vjeç, e gjatë dhe e bukur. Një bionde me sy në ngjyrë blu, krejt elegante në llojin e saj. Dukej kaq e pafajshme dhe e çiltër.
'Pra, Veronika Alen, ke ardhur të punosh si sekretare në kompaninë time?' – e pyeti Frederiku, teksa shikonte CV-në e saj.
'Do të dëshiroja shumë, por vendimi përfundimtar iu takon juve, zotëri.' – iu përgjigj ajo.
Frederiku buzëqeshi.
'E shqyrtova me vëmendje CV-në tënde dhe... them se i plotëson kriteret e kompanisë.'
'Që do të thotë?'
'Urime znjsh. Alen, sapo e fitove vendin e punës.'
Ajo u lumturua shumë që e fitoi vendin e punës.
Pikërisht kjo gjë filloi të shkaktonte trazira tek Andërllendët. Frederiku dukej çdo ditë dhe më i shpërqendruar. Vinte vonë, ose nuk vinte fare. Kjo filloi të më shqetësonte çdo ditë e më shumë. Ajo vajzë ia kishte marrë mendjen siç nuk ia kishte marrë askush tjetër."

"11 nëntor 1996, lajmi më erdhi krejt papritur. M'u shemb bota, m'u trondit krenaria. Një djalë, një djalë i jashtëligjshëm në familjen tonë, që prej janarit të këtij viti. 'Kryevepra' e tradhëtisë së Frederikut. Dukej sikur e gjithë ajo që kish ndodhur si ndjesi mes meje dhe djaloshit me flokë të zinj, u bë gabimi më i madh i jetës së Frederikut. Dhe ai ra pre e një ndjesie të tillë, një ndjesie të ndaluar.
Nuk e fala jo, i kërkova divorcin pas një konflikti që bëra me të, nuk mund të pranoja një tjetër femër në familjen e Andërllendëve.
Ai u martua pak pas divorcit tonë, u martua me Veronikën. E bëri këtë për t'i dhënë atësinë djalit të tij. Por martesa mes tij dhe Veronikës nuk zgjati shumë, ajo e la dhe u largua me djalin e saj ende foshnje.
Në fillim i kisha unë të dyja vajzat, por Frederiku erdhi dhe kërkoi kujdestarinë e Katerinës. Nuk doja, por ai kishte më shumë pushtet se unë. Kështu më ndau nga Katerina. Nuk mundem dot t'i harroj britmat e Katerinës që nuk donte të ndahej nga unë, mes lotësh bërtiste 'mami mos më lër', përpëlitej në krahët e Frederikut por nuk arrinte të shpëtonte. Deri në fund e kam parë teksa qante, derisa u zhduk nga sytë e mi dhe nuk munda të bëja asgjë..."

Mes lotësh, 2 orë më vonë, Katerina u gjend aty në zyrën e Hermanit, teksa lexonte fletët e grisura të ditarit të mamasë së saj. E tronditur nga e shkuara e saj, nuk ndiente gjë tjetër veç urrejtjes dhe nervave që po ia shtonin ndjesinë e hakmarrjes.
-E mbaj mend akoma atë ditë, Herman. Ai njeri më mori me zor nga mami, ai i ashtuquajturi babai im, 'zotëria'. U soll me mua jo sikur isha vajza e tij, por si të isha objekt. Nuk doja të ndahesha nga mami, por ai e bëri. E urrej atë njeri! E urrej! - turfulloi ajo nga nervat.
Hermani dukej tejet serioz.
-Ke akoma për të lexuar, Katerinë. Më beso, ato që lexove janë veç dy e treta e këtyre fletëve.
Ajo e vështroi me sy të tronditur. Hermani i zgjati fletët e tjera. Katerina i mori ato me duart që i dridheshin dhe vazhdoi të lexonte ato pak fletë që i mbetën...

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Donde viven las historias. Descúbrelo ahora