142.

63 2 0
                                    

-Bionde, kemi mysafirë, - tha Negroja nëpërmjet celularit.
-Mysafirë? - pyeti Hana dhe iu afrua dritares për të parë.
-Po, një tufë policësh kanë ardhur për të kontrolluar. E sigurt se do të vijnë tek ne. Çfarë duhet të bëjmë?
Hana u mendua pakëz.
-Ne nuk mund t'i kundërvihemi policëve, Negro. Lëri ata të vijnë këtu.
-Por do të të kapin.
-Mos u shqetëso, gjithçka është e planifikuar. Dhe ata janë pjesë e planit tim. Ti tani lajmëro të tjerët të fshihen në atë pjesën e nëndheshme poshtë shtëpisë. Hyrjen për në të e keni në pjesën e pasme të shtëpisë. Thuaji burrave të hyjnë aty. Brenda në të do të gjeni një derë të vogël në formë rrethore, është një tynel që të çon për në lagjen tonë, në dyqanin tim, çelësin e të cilit e bëra kopje dhe ta dhashë ty. Dera është me kod. Ta kam dërguar kodin në celular. Tani thuaji atyre të ikin, përpara se policia t'i kapë. Ah, dhe një gjë. Për të gjetur derën, në tavolinën aty pranë derës së tynelit ke një statujë të vogël. Spostoje në të majtë dhe dera do të hapet, më pas vendos kodin për të hyrë në tynel, dhe mbathjani. Ky është urdhri i fundit.
-Po unë çfarë të bëj?
-Ik dhe ti, por përpara se të ikësh, bëj dhe porosinë që të kam dhënë në fillim.
-E ke fjalën për armën?
-Po.
-Në rregull, Bionde, - tha Negroja dhe e mbylli celularin.

Ai u kthye nga Vinsenti, i cili nuk arrinte të mblidhte dot veten.
-Merre këtë, - i tha Negroja.
-Çfarë është kjo? Armë?
-Po.
-E çfarë duhet të bëj unë me të?
-E di ti çfarë duhet të bësh, - tha Negroja dhe u zhduk, duke shkuar për në pjesën e pasme të shtëpisë bashkë me burrat e tjerë.
Vinsenti e pa teksa ai u largua dhe, më pas filloi të vështronte atë armë që kishte në dorë.
"Me të tillë arme e vrau ajo vëllain tim, apo jo? Dhe ajo kërkon që unë ta vras babain tim me këtë armë, për hir të gjithçkaje që ai ka bërë. Ai i ka mashtruar që të gjithë. Më ka mashtruar dhe mua gjatë gjithë kohës. Si arrita t'i besoja babait tim për gjithë këto vite rresht? Si munda vallë të isha kaq i verbër? Si munda? Si?" mendoi në kokën e tij.
Një ndjesi e re lindi në shpirtin e Vinsentit, ai ndryshoi përnjëherë. Një lloj urrejtjeje e pushtoi të gjithin për atë njeri, për babain e tij.

Dera e dhomës së xhamit u hap me vrull. Hana, duke buzëqeshur me krenari, vështroi Vinsentin që kish ndryshuar komplet çehren e fytyrës. Alfredi shqeu sytë, ishte djali i tij. Ai kishte qenë gjatë gjithë kohës aty, dhe kishte dëgjuar gjithçka.
-Vinsent...?!
Hana u kthye me fytyrë nga Alfredi.
-Shiko, ja ku ishte djali yt. Hëh, mendove se do ta vrisja atë Alfred? Këtë mendove, apo jo? Epo dëgjoje, nuk ishte ky qëllimi im. I vetmi qëllim që kisha ishte të të rrënoja ty si njeri, doja që djali yt t'i merrte vesh gjithë punët e pista që ke kryer, gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo shkoi pas Vinsentit, dhe vendosi duart e veta mbi shpatullat e tij, teksa e mbante kokën në anën e majtë të kokës së Vinsentit.
-Ai nuk është naiv, Alfred. Nuk është aspak naiv. Ashtu doje ti ta bëje të dukej. Vinsenti është një djalë i mirë, dhe nuk e meriton aspak që ka një baba si ty. Tani ai e di se ka një vëlla që i ka vdekur sepse e vrava unë, e di dhe arsyen e vrasjes. Ai e di që ka një nip pesëmbëdhjetë vjeç që më ngjan mua. Tani zbuloi dhe se çfarë i bëre Katerinës që ai e donte shumë, pavarësisht se dashuria e tyre u ftoh. Ai donte të miqësohej sërish me Katerinën vetëm për hatrin tënd. Ajo ia dha si mundësi, dhe ti doje që ai të martohej me të. Ok, u krye dhe kjo punë. Dhe ti mendove se, duke vrarë Katerinën, do i merrje pasurinë nëpërmjet Vinsentit. Doje ta përdorje Vinsentin për qëllimet e tua vetjake. Por ti akoma nuk e di që ajo martesë është bërë me dokumenta të rreme.
-Të rreme? Kush do t'i kthente në dokumenta të rreme? - Alfredi vazhdonte të mbante po atë shikim me sytë e shqyer.
-Nipi yt... Herman Notlli.
Kjo fjali i ra atij si një bombë. Nuk arrinte ta besonte që Hermani mund të bënte diçka të tillë, e aq më pak atij.
-Ai nuk mund ta ketë bërë diçka të tillë, nuk ka mundësi. Unë i pashë vetë dokumentat e martesës, dhe ishin të vërteta.
-Ishin të rreme Alfred, të rreme! Ai e dinte se ti do ia vidhje pasurinë Katerinës në qoftë se ajo do të vdiste vërtet. Ndaj djaloshi u tregua i zgjuar, bashkë me mua që e shpëtova nga vdekja Katerinën. Dhe tani, ti je vërtet i mbaruar.

Në fytyrën e Hanës kishte një buzëqeshje të djallëzuar, ishte buzëqeshja e fitores së saj më të madhe. Ajo afroi buzët në veshin e Vinsentit, duke i pëshpëritur fjalët e fundit.
-Tani është zgjedhja jote se çfarë do të bësh me babain tënd. Policia është duke u ngjitur për këtu. Kujtohu si e lamë, se për çfarë gjendesh këtu. Mendo që kam një djalë të vogël që po më pret atje në aeroport, dhe unë duhet të iki sa më parë tek ai, Vinsent. Bëj zgjedhjen e duhur, dorëzoje babain tënd në polici, bëje atë të rrëfejë krimet e tij.

Hana veshi pallton e saj të zezë me kapuç dhe hodhi në krahë çantën me mjetet e saj të punës së agjentit sekret. Ishte e gjitha e veshur me të zeza, që policia të mos e dallonte gjatë rrugës. U drejtua nga dera e pasme, dhe para se të ikte, e ktheu dhe njëherë kokën nga Alfredi duke buzëqeshur.
-Mirupafshim Alfred! Ishte kënaqësi që u takuam sërish bashkë. Do i bëj të fala Anastasias nga ana jote kur ta takoj sërish, - tha ajo, dhe doli nga aty për të shkuar në pjesën e pasme të shtëpisë.

Hana eci me kujdes në pjesët që nuk dukeshin nga drita e shtëpisë. Një nga elektrikët e policisë u ngrit në drejtim të Hanës, por ajo u tregua e shpejtë duke u fshehur pas njërës prej kollonave të shtëpisë dhe, me shumë kujdes eci duke e mbajtur trupin përkulur dhe u ngjit në një pemë me ca lëvizje si të një maceje. U ul në një nga degët e pemës, nxori dylbitë dhe vuri kufjet në vesh, duke aktivizuar përgjuesit që kishte vënë në shtëpi. I ra sërish celularit të asaj gruaje misterioze.
-Misioni është drejt fundit, e përsëris, drejt fundit.
-Sigurohu që Alfredi të kapet nga policia, ky është lajmi përfundimtar që dua të më japësh.
-Po pasi ai të kapet, çfarë duhet të bëj më tej?
-Shpërtheje shtëpinë, por sigurohu që të mos gjendet askush në shtëpi.
-E qartë! - u përgjigj Hana dhe filloi të përgjonte e të vështronte me dylbi.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now