Nensi shqeu sytë.
-Çfarë!? Prandaj m'i bëre ato pyetje për mëkatet njerëzore dhe më fole aq shumë për dashurinë? Ti e paske çuar Katerinën time në mëkatet njerëzore, more qen?!
-Qetësohu Nensi! Në fund të fundit Katerina deshi vetë.
Nensi mori pamjen e një bishe të tërbuar, mori një shapkë dhe filloi ta gjuante. Hermani u ngrit në këmbë dhe u përpoq të mbrohej. Nensi nuk po i linte rrugë.
-Ti more i poshtër! Unë kisha besim tek ti, mendova se ti nuk bëje nga këto gjëra, por paske përfituar prej vogëlushes sime. Kushedi se ç'ka hequr ajo kur ti vazhdoje të bëje qejf me të!
-Nensi! Nuk është ashtu siç po e mendon ti. Unë dhe Katerina e duam njëri-tjetrin.
-Nuk u zë besë burrave unë! Dhe ti qenke kokrra e mashtruesit, një qen i ndyrë, një i paudhë që guxon të ndyjë pastërtinë e shenjtë të zonjushës!Papritur u dëgjua një zë disi i belbëzuar.
-Çfarë... dreqin...
Hermani dhe Nensi ngrinë për një çast, ai teksa mbrohej me krahë dhe Nensi që ngeli me shapkën përpjetë. Kthyen kokën që të dy nga vinte zëri.
-Znjsh. Kei! Ti u zgjove! - klithi Nensi nga gëzimi.
-Katerinë! - reagoi Hermani me një fytyrë disi të shkrirë.
Katerina po i vështronte çuditshëm.
-Çfarë po ndodh këtu? Përse po ziheni ju të dy?
-Oh Katerinë, ne nuk po zihemi. Thjesht... Nensi e ka humbur pak toruan.
-Ta gjej mirë toruan unë ty! Qen i ndyrë! - iu kthye Nensi teksa ia drejtoi shapkën në fytyrë.
-Herman... si dreqin erdhëm këtu, në shtëpinë time? - e pyeti ajo, teksa mbante kokën me dorë.
-Nuk është shumë histori e gjatë, dhe do të ta thoja nëse Nensi do të më lejonte të të afrohesha.
-Në asnjë mënyrë! Ti nuk ke për t'iu afruar vogëlushes sime as te maja e thoit, more vesh?Katerina nuk po kuptonte asgjë.
-Nensi, çfarë të ka bërë Hermani?
-Oh, zonjushë! Mua nuk më ka bërë gjë, por çfarë të ka bërë ty do të ishte pyetja e duhur! Ah, vogëlushja ime! Ky njeri paska përfituar prej teje, të paska çuar në mëkat.
-Për çfarë mëkati e ke fjalën, Nensi?
-Ai paska bërë të pabëra me ty, znjsh. Kei.
Katerinës iu desh pak që të kuptonte se për çfarë po fliste Nensi. Aty për aty kuptoi diçka, dhe iu kthye Hermanit me një fytyrë disi në panik.
-Herman, i ke treguar Nensit se ne të dy kemi pasur marrëdhënie bashkë?!
Dhe aq donte Nensi, sa të dëgjonte këtë që sapo tha Katerina. U bë gati ta gjuante sërish Hermanin me shapkë, por Katerina e vështroi me fytyrë urdhëruese.
-Nensi!Nensi ngriu menjëherë në vend. Katerina vrenjti fytyrën.
-Mjaft e gjuajte Hermanin, ai ka ngrënë dru mjaftueshëm nga unë përpara se të ndodhte ajo gjë mes nesh. Në fund të fundit... ne të dy njihemi prej kohësh, Nensi. Normalisht që... do të ndodhte ajo gjë. Më fal që po flas kaq troç, sepse tani nuk jam në një gjendje shumë të mirë. Ai ka ndenjur gjatë gjithë kohës pranë meje kur isha në Nju-Jork. Është kujdesur për mua, më ka mbrojtur, ka jetuar me mua.
-Po, deri në momentin që paska marrë atë që donte! - reagoi Nensi teksa iu kthye Hermanit dhe njëherë.
-Jo! - klithi Katerina me të madhe.
Nensi ndaloi sërish. Katerina e vështroi po me atë fytyrë të vrenjtur.
-Nensi ndalo! Për hir të Zotit ndalo! Hermani nuk ka faj për ato që kanë ndodhur.
Pas kësaj, Nensi u kthye dhe iu afrua Katerinës.
-Znjsh. Kei... ç'do të thuash me këtë? Ç'do të thuash me frazën 'nuk ka faj për ato që kanë ndodhur'?
Katerina mori frymë thellë.
-Nensi... ti e di që për mua je një nga njerëzit më të mirë që kam, dhe unë të respektoj në radhë të parë si një grua më e madhe në moshë se unë, pastaj e fundit fare është respekti për ty si shërbyese. Dhe në mes të këtyre dy lloj respektesh është ai i të pasurit respekt për ty si një njeri i familjes. Ky është respekti më i madh që mund të të jap por... e di? Më detyrove tani të të tregoj diçka që e kam mbajtur fshehur për dhjetë vjet. Dhe pikërisht tani do ta them, nuk do ta mbaj më të fshehtë.
-Çfarë do të më thuash zonjushë?Ai moment për Katerinën dukej një torturë e vërtetë. Nuk mund ta mbante më të fshehtë, nuk kishte kuptim ta zgjaste më shumë.
-Herman, le ta dinë të gjithë atëherë, tashmë nuk më intereson më se çfarë mund të thonë të tjerët.
Hermani e vështroi me sytë e tij të gjelbërt, të cilët shprehnin një farë pasigurie për atë që do të vinte më pas.
-Katerinë... - belbëzoi ai me gjysmë zëri, teksa iu afrua ngadalë.
Katerina e vështroi me atë shikimin e saj të vendosur, shikimi që i fuste frikën në fshehtësi Hermanit. Ajo zgjati dorën drejt dorës së tij dhe e shtrëngoi. Vetëm ashtu ndihej e sigurt për ato që do të tregonte. Nensi vazhdonte ta shihte e çuditur, pa e ditur se çfarë Katerina do të tregonte. Një heshtje e shkurtër pasoi ato pak minuta, dhe Katerina ndieu se kishte ardhur momenti të largonte frikën e saj. Tashmë kishte marrë një pamje tjetër.
-Nensi... unë e dua Hermanin. Unë dhe Hermani jemi të lidhur në fshehtësi që prej dhjetë vitesh.Nensi shqeu sytë dhe gojën bashkë. Katerina pohoi të vërtetën e saj, por pa e ditur që Violeta gjendej pas derës së dhomës. Ajo ishte e shtangur, njësoj si Nensi. Nuk mendonte kurrë se Katerina do të mund të tregonte diçka të tillë.
Dera e dhomës u hap shumë ngadalë, në mënyrë të frikshme. Të tre kthyen kokën dhe panë Violetën me një fytyrë të ngrirë. Ajo ia kishte ngulur sytë Katerinës. Nuk po e njihte më motrën e saj.
-Nensi, merre Hermanin dhe dilni jashtë që të dy. Tani! - reagoi ajo.
-Jo! - kundërshtoi Katerina.
Violeta e vështroi ashpër. Dhe u kthye sërish nga Nensi.
-Nensi! Bëj si të thashë!
Katerina iu kthye sërish për ta kundërshtuar.
-Të thashë jo, Nensi! Hermani do të rrijë këtu. Kur ta vendos unë, atëherë Hermani do të dalë nga dhoma ime. Tani do të dalësh vetëm ti.Nensi vendosi të dëgjonte Katerinën, dhe kësisoj doli nga dhoma. Violetës iu ngritën nervat për këtë gjë, dhe u kthye nga Katerina.
-Çfarë mendon se po bën, Katerinë Evë Izabelë Andërllend?
-Atë që më duket më e drejtë, zonjë e madhe.
-Ç'është kjo sjellje, ky agresivitet që ke ndaj meje? Çfarë dreqin je duke bërë kështu?
Hermani filloi të shqetësohej.
-Katerinë... më mirë po dal jashtë.
-Të kishe dalë me kohë Herman! - ia ktheu Violeta.
Katerina u nervozua më shumë.
-Jo Herman! Nuk ke pse të ikësh jashtë. Le ta dijë zonja e madhe që ne të dy jemi të lidhur prej kohësh bashkë. Le ta dijë se nuk më intereson më asgjë më shumë sesa jeta ime, pjesë e së cilës je ti. Le ta dijë se përse ndodhën të gjitha këto.Pas këtyre që tha, Katerina doli nga shtrati dhe u ngrit në këmbë. Filloi t'i afrohej Violetës me një ecje të lehtë e të frikshme, dhe tashmë po e nxirrte vërtet dufin që mbante brenda.
-Le ta dijë tashmë Herman, le ta dijë që kam pranuar të jem 'viktimë dashurie'. Le ta dijë që ke qenë i pari që më ke kredhur në marrëzirat e dashurisë, e sidomos asaj fizike. Le ta dijë që ti njeh çdo pjesë të trupit tim më mirë se mamaja ime kur më ka lindur. Në fund të fundit një jetë kemi, apo jo? Unë isha një shenjtore, deri në momentin kur djallit i pëlqeu të luante me mendjen time. Dhe tani ai po vuan pasojat e veprimit të tij, sepse është burgosur thellë brenda shpirtit tim. Edhe sikur të dojë të dalë... tashmë nuk dua unë të dalë.
Violeta u acarua më shumë dhe deshi ta qëllonte, por Katerina ia kapi dorën menjëherë me shpejtësi.
-A-a! Jo kësaj radhe, Violetë.Katerina e lëshoi fuqishëm poshtë dorën e Violetës dhe e afroi fytyrën pranë Violetës me një inat që i shpërthente nga sytë.
-Je po aq e ngjashme sa babai ynë. Kur të shoh ty, më kujtohet ai dhe kryeveprat e dhunës që ka ushtruar mbi mua. Po po, e dëgjove dhe vetë! Ai më ka dhunuar, Violetë. Por ti nuk e di. Sepse nuk e di ç'do të thotë të dhunohesh, por unë përsëri e doja atë dikur. Tani e urrej aq shumë babain tonë të dashur. Madje ndihem aq mirë kur mendoj se e kanë vrarë, sepse e meritonte, për gjithçka që ka bërë.
-Çfarë dreqin po thua... Katerinë?
-Nuk ta tha ndonjëherë mamaja jonë se ai e tradhëtoi duke shkuar me një grua tjetër?
Violeta shqeu sytë.
-Çfarë...
-Dhe më e bukura e ndarjes së prindërve tanë ishte... vëllai ynë i vogël.
-Çfarë vëllai po thua?!
-Ne të dyja kemi një vëlla nga babai, që tashmë është njëzet e dy vjeç.
Fytyra e Violetës u zbeh fare. Ajo ra ngadalë, derisa u ul mbi tapet, ashtu e shokuar. Katerina e vështroi me një pamje serioze, më pas u kthye me fytyrë nga Hermani.
-Herman, tani do të të kërkoja të dilje. Kam shumë gjëra për t'i thënë Violetës, një pjesë të mirë të gjërave që ajo nuk i di dhe nuk i ka ditur ndonjëherë.
-Katerinë, nëse bën ndonjë idiotësi...
-Mos u shqetëso. Nuk ka më idiotësira. E vërteta nuk i lë vend idiotësirave tashmë.
Hermani e dëgjoi, dhe doli nga dhoma.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...