18.

135 6 10
                                    

"Dhe ja, fill pas këtij përqafimi, dikush trokiti në derë. Babai im u shkëput prej meje dhe shkoi të hapte derën, ndërsa unë ia mbatha me vrap drejt dhomës së babait tim. E dija që diçka nuk do të shkonte mirë, dhe një trokitje në derën e shtëpisë sonë në atë orë nuk ishte normale. Ne nuk prisnim askënd. Por unë e dija, e dija që asgjë nuk do të shkonte mirë atë natë. Kisha një parandjenjë të keqe. Dhe teksa hyra në dhomën e babait tim, kërkova nëpër sirtarë. Babai im mbante një pistoletë të fshehur diku në njërin prej rafteve të dhomës së tij, e mbante thjesht për vetëmbrojtje. E gjeta atë armë, dhe e kontrollova. Kishte disa plumba brenda saj. E mora atë armë me vete dhe u nisa sërish për të parë se kush ishte...
Ishte ai, ai burri që për pak më mbajti të mbyllur në shtëpinë e tij, në dhomën e bukur që e kishte bërë për mua. Ai nxori një thikë dhe ia nguli babait tim në zemër me forcë. Dhe e hoqi nga trupi i babait tim po me forcë.
E pashë babain tim të binte me fytyrë nga unë. Sytë e tij ishin zmadhuar, fytyra e tij u shndërrua në një tjetër, dukej sikur vetë vdekja kish marrë fytyrën e tij. Gjaku i tij rrodhi i gjithi në rrobat e tij, deri poshtë mbi dysheme. Ai ra në gjunjë, dhe më pas ra plotësisht mbi dysheme. Fytyra e tij në atë moment u bë makthi im, ajo fytyrë e frikshme e tij..."

Katerina po vështronte dhomën. Rrudhi vetullat.
"Ku mund të jetë thika? Ai duhet ta ketë fshehur këtu në dhomë..."

"Ai hoqi maskën e tij, dhe më vështroi mua komplet i shtangur që më gjeti aty.
'Katerinë...' tha, teksa zëri i dridhej.
U mundua të më afrohej, por nuk e lashë. I drejtova pistoletën.
'Mos guxo të më afrohesh pas kësaj që bëre,' thashë me nervozizëm.
'Katerinë, nuk kisha zgjidhje tjetër. Ai njeri do të të kishte vrarë...' tha ai sërish.
'Por ja që nuk e bëri, sepse e vrave ti! Ti je një vrasës, ti më vrave babain!' ulërita.
'Katerinë, e bëra për të mirën tënde.'
'Ku e di ti se çfarë është e mirë për mua? Kush je ti që të më tregosh se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe?'
'Katerinë... të lutem mos ma bëj më të vështirë. Ti duhet të vish me mua.'
'Unë nuk do të vij asgjëkundi me ty,' ia ktheva.
I drejtova armën, me duart që më dridheshin.
'Katerinë mos!' tha ai, me sytë e zmadhuar.
'Më jep një arsye për të të mos vrarë. Më thuaj, përse e vrave babain tim?' ulërita sërish.
'Tani nuk mund të ta shpjegoj dot, je ende e vogël për ta kuptuar.'
Ai u përpoq sërish të më afrohej. Dhe unë ia drejtova armën vetes.
'Nëse bën dhe një hap më shumë atëherë do të vras veten.'
'Katerinë ndalo! Në rregull, nuk do të bëj më asnjë hap drejt teje. Por të lutem, më dëgjo me vëmendje. Mos i trego askujt që isha unë ai që ta vrava babain, sepse nëse më kapin tani, atëherë ti nuk do ta zbulosh dot kurrë të vërtetën. Kur të jesh mjaftueshëm e rritur, atëherë do të ta tregoj të vërtetën se pse e vrava babain tënd, në rregull?'
'Pse duhet ta fsheh të vërtetën?'
'Është për të mirën tënde. Duhet të heshtësh deri në momentin kur të vijë koha e duhur. Askush nuk do të të besojë nëse do të thuash se të vranë babain. Sepse edhe po të thuash, ti nuk ke prova. Unë erdha në mënyrë të tillë që të mos lija gjurmë. Shikomë Katerinë, jam i gjithi i siguruar. E vetmja gjë që ke parë ti është fytyra ime.'
Ai shkoi drejt babait tim. Nxori një tjetër thikë identike me atë të vrasjes, e vendosi në plagën e hapur, dhe e la aty. Armën e vërtetë të vrasjes e futi në çantën e tij, ndërsa atë identiken e la në trupin e babait tim.
'Tani do të duket sikur ai ka vrarë veten.'
'Pse duhet që babai im të vriste veten?'
'Atë e di ti, Katerinë. Arsyen se pse ai gjoja vrau veten e di vetëm ti. Pra, kjo është ajo që do të bësh. Kujtdo që do të të pyesë se si vdiq babai yt do i thuash që ai vrau veten.'
'Është njësoj si të bashkëpunoj me ty,' ia ktheva.
'Është për të mirën tënde të veprosh kështu. Në fund të fundit, kush do të të besojë nëse thua se atë e vranë? Askush Katerinë, askush. Askush nuk mund të të besojë. Askujt nuk i intereson të të besojë. Në botën e ashpër të të rriturve nuk ka vend për të vërtetat e një fëmije. Ata duan prova, dhe ti nuk ke asnjë. Ata nuk të besojnë nëse nuk ke prova.'
Dhe po, unë nuk kisha asnjë provë, veç asaj që pashë vetë. Dhe, mbi të gjitha, kush do të më besonte mua, kur unë isha ende një fëmijë? Jam rritur me idenë se të rriturit thonë që fëmijët shpesh gënjejnë për të marrë vëmendje.
Dhe kështu, pas gjithë asaj nate të tmerrshme që m'u desh të përjetoja, u struka në atë dysheme, krejt e vetme, pranë atij trupi të ftohtë të atij njeriu që ishte babai im. Gjaku i tij kishte ngrirë së bashku me të. Ndërsa vrasësi... hëh. Ai ishte larguar, duke më lënë në atë gjendje...
Dhe ditën tjetër, në mëngjes hyri dikush në shtëpi. Ishin hapa të lehta. Dera u hap. Dhe e vetmja gjë që dëgjova ishte një e ulëritur.
'Aaaaah! Katerinë... çfarë ka ndodhur këtu? Çfarë i ka ndodhur babait?' ishte zëri i Violetës.
Unë vështrova në sytë e tmerruar të saj, teksa shikonte trupin e pajetë të babait tonë.
'Violetë... ti nuk duhet të kishe ardhur këtu,' thashë, me një zë të shuar.
'Katerinë... çfarë ka ndodhur? Përse babai është i mbytur në gjak?'
'Ai... vrau veten...' thashë.
Pra, e gënjeva. E bëra vetëm që një ditë të mund ta zbuloja të vërtetën e vrasjes së tij, e bëra vetëm për të zbuluar arsyen pse babai im u vra.
'Por... çfarë bën ti këtu Violetë? Ti nuk duhet të ishe këtu.'
'Unë erdha... sepse doja të takoja babain për t'i thënë diçka në lidhje me mamanë.'
Ai moment, kur më tha që erdhi për t'i thënë babait diçka në lidhje me mamanë, ai moment më shqetësoi.
'Çfarë... i ka ndodhur mamasë?' e pyeta.
'Ajo u nis në një udhëtim të largët dhe, gjatë udhëtimit kishte pësuar atak kardiak. Mamaja jonë...'
'Mamaja jonë çfarë?' e pyeta e shqetësuar.
'Mamaja jonë... vdiq.'
Dhe kjo përgjigje, pikërisht kjo përgjigje tronditi muret e brendshme të shpirtit tim. Mamaja vdiq? Si mund të kishte ndodhur kjo gjë?
'Katerinë, mamaja jonë u sëmur nga zemra pas ndarjes nga babai. Dhe... gjithë vuajtjet që përjetoi e bënë atë të pësonte atak kardiak në zemër. Ishte i menjëhershëm. Ajo nuk mundi të shpëtonte dot... dhe vdiq menjëherë,' tha Violeta, me zërin që i dridhej.
Një dëshpërim i errët më mbuloi sytë dhe mendjen. Humba nga realiteti, harrova se po jetoja. Nuk arrija dot ta besoja atë që më tha. Mamaja jonë vdiq. Mamaja ime vdiq. Mamaja ime, personi që më ka dashur më shumë se kushdo tjetër. Mamaja ime, engjëlli im mbrojtës. Gjithçka u shkatërrua për një moment brenda meje. Shpirti im u thye, u nda në mijëra copa të vogla vuajtjeje. U bë i errët, aq i errët, si një hije nate. Dhe tani më dukej sikur po të shihja fytyrën time në pasqyrë, atëherë do të shihja një fytyrë të errët në një pasqyrë të thyer. Ishte pasqyra e familjes sime, ajo pasqyrë brenda shpirtit tim u thye. Tani nuk mund të shihesha dot në të. Nuk kishte reflektim, nuk kishte asnjë lloj pasqyrimi familjar. Tani nuk e dija më se çfarë më lidhte me Violetën. Përfundimisht asgjë më shumë se lidhja biologjike, asgjë më shumë se fakti që ishim motra. Tashmë nuk ndieja asgjë, asgjë për të. Kishin kaluar tre vjet që nuk e takoja, që nuk ia dëgjoja zërin. Kishin kaluar tre vjet që nuk dija më asgjë për të. Dhe ajo erdhi sërish aty, në jetën time. Por tashmë gjithçka kishte ndryshuar. Unë nuk isha më Katerina e dikurshme, ajo Katerinë që Violeta njihte. Katerina e vogël vdiq së bashku me babain e saj.
Dhe kështu ndryshoi jeta ime, jeta e vogëlushes Katerinë... dhe unë u shndërrova në një grua të zymtë, të ftohtë. Në një grua që filloi të luante me jetën e saj pasi jeta luajti me të. Eh pra, unë u rrita para kohe. U rrita atëherë kur kuptova se nuk duhet t'i besoja askujt veç vetes dhe asaj që shihnin sytë e mi."

Katerina vriste mendjen për të gjetur thikën.
"Kam qenë e zonja për të zgjidhur gjëagjëza apo pazëlla..." mendoi për një çast.
Ajo eci ngadalë dhe shkoi në mes të dhomës. Aty pa se në murin ku gjendej dritarja kishte një orë. Ishte një nga ato orat e mëdha të murit. Akrepat e saj kishin ngelur në orën nëntë fiks. Së bashku me orën, vuri re në anën tjetër dhe një kalendar të vitit 1999, që shënonte 3 korrik. Këto dy detaje e bënë të mendohej sërish.
"Pra... 3 korrik, ora 9 e darkës. Po, sigurisht! Nuk do të kishte kuptim po të ishte ndryshe."

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now