Makinat e policisë po udhëtonin drejt zonës ku ishin gjetur gjurmët e fundit të Vinsentit. Katerina po rrinte si mbi gjemba, ishte e gjitha në ankth, teksa shtrëngonte dorën e Hermanit. Ai e vuri re, më pas vështroi fytyrën e saj të shqetësuar. Buzëqeshi. Filloi të mendonte me vete:
"Ah Katerinë... ende nuk e di se çfarë ndodhi e si ndodhi. Di vetëm që ti je këtu, pranë meje. Më zgjodhe mua, dhe asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Do të të bëj të ndihesh e sigurt pas kësaj. Vetëm kaq dua, të të shoh teksa ndihesh e sigurt."Katerina dukej tejet e shqetësuar dhe e lodhur.
-Herman... kur do të mbarojë ky makth?
-Sonte, Katerinë. Gjithçka do të mbarojë sonte.
-Mezi po pres.
-Çfarë po pret?
Ajo buzëqeshi ëmbël.
-Të nesërmen. E nesërmja do të jetë dita më e lumtur. Pa mistere, pa sekrete, pa çështje... vetëm ne të dy teksa thurim planet për të ardhmen tonë të afërt. Herman, dua të jetoj me ty. Bashkë me ty. E kam fjalën, dua të jetojmë në një shtëpi, të dy bashkë. Këtu në Londër.
-Pra, dëshiron të jesh gruaja e një avokati? - e pyeti ai, duke buzëqeshur me sytë e përgjysmuar.
-Dëshiroj që ti të jesh bashkëshorti i një modeleje. Dhe ajo modele jam unë. Herman... e kam të pamundur të jetoj pa ty, e sidomos tani që ti u riktheve sërish. Kemi dhjetë vjet që vetëm luajmë me botën, por tani është koha që bota ta zbulojë se Katerina e ka gjetur burrin ideal. Ai është këtu, në krahët e mi, teksa më mban fort të mos bie nga rëndesa e realitetit që peshon mbi mua.
Hermani afroi fytyrën drejt saj dhe i dhuroi një puthje të ngadaltë në ballë.
-Nuk e ke idenë se çfarë shkaktojnë fjalët e tua tek unë, Katerinë. Ti më ke bërë burrin më të lumtur që ekziston, e ke bërë këtë avokat serioz të lumturohet nga prezenca jote. Ti më pyet shpesh se ç'do të kishe bërë pa mua, por në fakt jam unë që duhet të të pyes: ç'do të kisha bërë unë pa ty? Do të vuaja tërë jetën për të të bërë për vete, por që dukej e pamundur kur ti doje dikë tjetër.Katerina mendoi për një çast, dhe e gjithë e shkuara e saj iu krijua në kokë si një poemë.
-Ti më doje, unë jo. Sepse doja dikë tjetër. Por ai u largua, unë u lëndova, dhe tani mbeti histori e vjetër. Udhëve të Nju-Jorkut të takova, takova djaloshin që më shihte me të tretin sy. Nëse ai që doja dikur vjen të më kërkojë, atëherë duhet ta dijë që nuk i përkas atij, tashmë unë të përkas ty.
Këto fjalë patën fuqi t'ia preknin shpirtin. Nuk ishte ndierë ndonjëherë kaq i lumtur në jetën e tij.
-E di që unë... nuk e jap shpesh veten por... fjalët e tua më prekën menjëherë. Askush nuk është sjellë kaq... kaq mirë me mua. Kam përjetuar makthe, e di. Por asnjë femër nuk më ka bërë të ndihem kaq rehat, vetëm ti ma jep këtë kënaqësi. Dhe gjëja që më frikëson më shumë është të të humbas ty. Nuk dua të të humbas, nuk dua as ta imagjinoj. E di që të duket çmenduri mënyra se si po të flas, tani po dukem vërtet si maniak...
-Herman... jam këtu. Ti nuk më ke humbur dhe as ke për të më humbur. Jam e jotja. E kupton që unë dua të jetoj me ty? Ti je... pas familjes sime, njeriu që dua më shumë. Po bëj çmos që të ta vërtetoj këtë. Ti nuk ke besim në asgjë, por të paktën... ki besim tek unë.
-Ti je i vetmi person në të cilin kam besim, Katerinë. Ke të drejtë për atë, që nuk kam besim tek askush. Kështu jam unë, mosbesues. Por të siguroj që tek ti kam një besim të palëkundur.
Ajo thjesht buzëqeshi dhe mbështeti kokën në supin e tij. Aq mjaftonte që ai të ndihej mirë, siç thoshte edhe vetë, i mjaftonte prania e saj.Natë, errësirë. Ndërkohë policia mbërriti në vendin ku ishin gjendur gjurmët e fundit të Vinsentit. Xheku zbriti nga makina e tij e policisë, së bashku me policët e tjerë. Gjithashtu zbriti dhe Katerina me Hermanin.
Kërkimet filluan. Policët u shpërndanë. Ai vend po i fuste frikën Katerinës. Një shqetësim i momentit e kapi. Edhe Hermani po vështronte rreth e rrotull nëse mund të vërente ndonjë gjë. Por ishte një errësirë shumë e madhe dhe zor se dukej ndonjë gjë. Katerina vështroi diku larg, në mes të pyllit që gjendej aty. Përgjysmoi sytë për të vështruar më mirë dhe më me kujdes. Një ndërtesë, një ndërtesë e vjetër, nga e cila dukej një llambë që luante me elektricitetin e saj. Dhe pak më poshtë saj një tufë burrash të vrarë.
-Herman... - e thirri me zërin që i dridhej.
Hermani ktheu kokën. U afrua pranë Katerinës.
-Çfarë ndodhi?
-Shiko... atje tej është një shtëpi e vjetër, dhe pak më poshtë saj disa trupa burrash të shtrirë përtokë.
Hermani hapi sytë mirë. Dhe e ktheu fytyrën nga Xheku.
-Xhek!
-Po? - e pyeti Xheku teksa vazhdonte kërkimet në anën tjetër.
-Katerina ka gjetur diçka, duhet të vish këtu.Xheku shkoi menjëherë dhe vështroi atje tej, dhe më pas e drejtoi elektrikun më larg. Aty vuri re atë që kish parë dhe Katerina. Xheku ua bëri me shenjë policëve të tjerë dhe të gjithë u drejtuan për nga shtëpia. U afruan aty afër dhe gjetën trupat e shtrirë përtokë. Xheku mori mjetet e tij të hetimit. Ai ishte tejet i zoti në punën e zbulimit të detajeve.
-Mpiksja e gjakut dhe temperatura e trupit të këtyre burrave tregon se këta kanë mbi dy orë që kanë vdekur. Plumbi që nxora prej njërit trup më tregon se arma e vrasjes është snaiper tip SVDK. Origjinën e ka në Rusi. Ata që kanë përdorur këtë armë duhet të jenë super të trajnuar përderisa kanë marrë një shënjestër të saktë mbi trupat e këtyre burrave vetëm me një të shtënë, ose do të kenë bërë ushtrinë. Nuk mendoj se përdoruesit janë nën tridhjetë vjeç. Por fakti se ky snaiper e ka origjinën në Rusi më sjell më tepër tek Hana si shkaktaren e kësaj masakre.
-Ajo nuk do të linte asnjëherë gjurmë gishtash në armë, Xhek. Ajo sigurohet që të veshë përherë doreza, në çdo lloj situate, - tha Hermani.
-Hana është profesioniste përsa i përket vrasjeve, Herman. Ajo kurrë nuk do të vriste vetë, ka trajnuar të tjerë njerëz për të bërë punët e saj. Por nëse nuk gjenden gjurmët e saj askund, atëherë unë nuk mund ta arrestoj atë, por njerëzit e saj të stërvitur po.
-Ajo mund të jetë në atë shtëpi duke pritur. Ndoshta ajo po na pret atje, ndoshta po pret që ne ta gjejmë teksa hakmerret kundrejt Alfredit. Ajo ecën gjithmonë me plan. E njoh Hanën, ajo gjithçka e planifikon, dhe dita e saj nis gjithmonë me planifikime të ndryshme.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...