-Zotëria ra në kurthin tonë, Bionde.
-Shumë bukur, Negro. Ky ishte pikërisht lajmi që doja të dëgjoja nga ti.
-Mos guxo t'i bësh asgjë babait tim! - ulëriti Vinsenti teksa përpëlitej i lidhur.
Hana ktheu kokën.
-Hej! Mos bërtit, dëgjoj unë.
-Epo dëgjoje mirë. Mos guxo t'i bësh gjë atij.
Hana përgjysmoi sytë, duke qesëndisur.
-Oh i dashur, unë nuk po bëj asgjë më shumë, thjesht po e sjell këtu.
Vinsenti e pa me nervozizëm.
-E di që i ke ngritur kurth. E di që do ta vrasësh. E di që do i bësh diçka.
-E di çfarë do i bëj unë? Thjesht do e provokoj të rrëfejë të vërtetat e tij para syve të tu, por që ai nuk do të të shohë, ndërsa ti po. Atëherë, kur të marrësh vesh gjithë të vërtetat e tij, do të jesh ti që do të vendosësh nëse do ta vras apo jo.
Hana iu afrua dritares. Vështroi përtej që larg, nga ku dukej qartë dhe rruga prej së cilës do të kalonte Alfredi për të ardhur për aty. Ajo buzëqeshi, dhe e ktheu vështrimin nga Vinsenti.
-Më thuaj Vinsent, të pëlqejnë shfaqjet?***
Katerina po vinte vërdallë nëpër shtëpi. E shqetësuar dhe me një ankth që nuk e linte të qetë. Hermani nuk ishte aty për momentin, dhe mungesa e tij e shqetësonte më shumë. Ajo vazhdonte të mendonte ende se pse Hana kërkonte të hakmerrej.
Dera e shtëpisë u hap. Hermani hyri brenda, gjë që e qetësoi Katerinën.
-Herman, të lutem më thuaj se çfarë bëre për gjithë këtë situatë që po ndodh. Më thuaj diçka që të mund të qetësohem.
-Policia do të vijë këtu shumë shpejt, me në krye policin Xhek, ai që u morr në fillim me gjetjen e vrasësit të babait tënd.
-Oh, ky është lajmi më i mirë që mund të më jepje, - psherëtiu ajo, dhe e përqafoi fort.Ai buzëqeshi, teksa qëndronte i mbërthyer nga krahët e saj.
-Qetësohu tani. Ata janë policët më të mirë të Britanisë së Madhe, e sigurt se do të zgjidhin gjithçka. Tani që Xheku e di që ti je gjallë, do të jetë më e lehtë të zgjidhim çështjen.
-Çfarë i the atij për mua?
-Si fillim i thashë që ti je gjallë, edhe pse në fillim nuk më besoi. Më pas i tregova që Alfredi donte që ti të vdisje, që tentoi të të vriste e të të linte të vdekur, me qëllim që të të rrëmbente pasurinë. I tregova për martesën e rreme mes teje dhe Vinsentit, por që e bëra unë të dukej si e vërtetë vetëm për të shpëtuar ty dhe pasurinë tënde. I tregova që isha avokati yt dhe detyra ime ishte të kujdesesha për pasurinë tënde.
-Çfarë tha ai pas gjithë kësaj që i tregove?
-Ngeli si i shastisur. I tregova dhe për Hanën, që tashmë do që të hakmerret kundrejt Alfredit duke kërkuar vdekjen e tij. Me pak fjalë, i tregova gjithçka që ka ndodhur. Xheku u hodh menjëherë në veprim për kërkimin e saj, të Alfredit, dhe të Vinsentit.
-Vinsentit? Po përse po e kërkojnë atë?
-E kanë rrëmbyer.Fytyra e Katerinës u zverdh.
-Çfarë...?! E kanë... rrëmbyer?
-Po, dhe e sigurt se pas kësaj fshihet Hana. Kishin disa ditë që po e kërkonin Vinsentin, dhe tani gjithçka mori një pamje të qartë se kush mund të ishte rrëmbyesi.
-Oh Zot! Herman, po sikur Hana të rrëmbejë dhe Violetën? Motra ime nuk e di që jam gjallë.
-Nuk besoj se i leverdis jeta e Violetës. Nuk e di se ç'plan ka ajo, por e di që dikush do të përfundojë i vdekur nga e gjithë kjo situatë.
Katerina u trishtua, disa pika lot filluan t'i dilnin nga sytë. E la veten të binte përnjëherë në divan.
-Oh Zot, pse duhet të ndodhin të gjitha këto?
Hermani u shqetësua kur e pa të qante. U ul në gjunjë përballë saj, duke ia fshirë lotët me mollëzat e gishtave të mëdhenj të duarve të tij.
-Katerinë... të lutem mos qaj. Nuk është koha e duhur për të qarë tani.
-Ata do të vriten Herman! Nuk dua të përjetoj një tjetër vdekje në jetën time! - klithi ajo në mes të lotëve.Hermani e dinte që Bortonët nuk i priste një fund i lumtur në gjithë këtë hakmarrje. Por nuk mund të bënte asgjë. Hana do të përfundonte atë që kishte nisur me kohë, falë gjithë këmbënguljes që kishte në plotësimin e gjërave që donte.
-Kam frikë se duhet të përgatitesh për fundin e të dyve, Katerinë. Alfredi nuk do të shpëtojë prej hakmarrjes së Hanës. Ajo më ka thënë dikur se donte të hakmerrej për gjithçka që i kishte ndodhur dikur në jetën e saj, dhe në gjithë gjërat që i kanë ndodhur asaj është i përfshirë Alfredi.
-Pse ai është gjithkund i përfshirë, Herman?
-Sepse ai është një Borton, dhe përfshihet kudo ku i intereson, Katerinë.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...