169.

82 3 7
                                    

25 shkurt 1994. Frederiku dhe Anastasia po shkonin së bashku me Violetën dhe Katerinën tek shtëpia e Bortonëve. Burrë e grua dukeshin në humor të mirë. Dhe Violeta dukej e gëzuar, ndërsa Katerina as që ia kishte idenë se ku po shkonte. Ajo zonjushë e vogël tetë vjeç dukej kaq serioze sa vështirë se mund të buzëqeshte sadopak.

Dhe ashtu ngadalë iu afruan derës së shtëpisë. Frederiku trokiti në derë. Ishte Vinsenti që e dëgjoi atë trokitje, dhe vrapoi për të hapur derën e shtëpisë. Mezi arriti ta hapte ngaqë ishte i shkurtër.
-Babi, ka ardhur xhaxhi Frederik! - thirri ai.
-Hahaha! Vinsent, nuk është nevoja të bërtasësh kaq shumë. Babai yt dëgjon, - tha Frederiku.
-Sigurisht që dëgjoj, madje kam një dëgjim aq të mirë sa s'e ke idenë. Por Vinsenti gërrhet sikur jetojmë në ndonjë humnerë e kujton se nuk dëgjoj, - u dëgjua zëri i Alfredit teksa i afrohej derës.

Ai takoi Frederikun, një takim tipik zyrtar, me shtrëngim duarsh. Më pas takoi Anastasian me mirësjellje. Pasoi po me të njëjtën gjë tek Violeta e vogël. Dhe në fund doli para syve të vogëlushes Katerinë.
-Dhe ti duhet të jesh vogëlushja Katerinë, apo jo?
Katerina nuk po reagonte. Po e shihte Alfredin me seriozitet, sikur ta dinte se ai do të shndërrohej në një prej armiqve të saj në të ardhmen.
-Alfred, Katerina preferon më mirë të heshtë kur i sheh disa njerëz për herë të parë, - tha Anastasia.
-Ashtu? Epo nëse ajo hesht që tani, atëherë çfarë do të ndodhë me të kur të rritet, Anastasia? Njeriut nuk i bën mirë të heshtë shumë, sepse heshtja të bën të rrezikshëm. Megjithatë ejani brenda, rrini si në shtëpinë tuaj, - u përgjigj ai me atë krenarinë e tij të shtirur, sikur të ishte pasaniku më i madh i botës.

Dhe hynë brenda. Alfredi dhe Frederiku u mbyllën në zyrë, ndërsa Anastasia ngeli me dy vajzat e saj dhe Vinsentin, të cilit iu shkrep për të luajtur.
-Hej, Violetë. Do të vish në dhomën time? Babi më ka blerë disa lodra të reja. Do të vish t'i shohësh?
-Po! M'i trego menjëherë, jam shumë kurioze të di se çfarë lodrash ke marrë, - iu përgjigj Violeta.
-Oh, janë shumë të bukura. Vetëm kur t'i shohësh do të më besosh, - tha ai i entuziasmuar.
Dhe më pas, Vinsenti vështroi nga Katerina.
-Katerinë, do të vish t'i shohësh?
-Jo. Unë nuk luaj me lodra, - u përgjigj ajo.
-Lëre atë, motra ime është njeri i çuditshëm Vinsent. Ajo nuk loz asnjëherë, vetëm mbyllet në dhomë ose pi çaj me mamin, - ia ktheu Violeta.
-Violetë, mos fol ashtu për motrën, - tha Anastasia.
-Të vërtetën thashë, mami. Katerina nuk bën asgjë tjetër. Duhet të luajë ndonjëherë.
-Violetë, të lutem. Unë nuk luaj me lodra.
-Mirë pra, si të duash. Nëse ndërron mendje, ti e di ku të na gjesh.

Dhe dy fëmijët u larguan për tek dhoma. Ndërkohë Anastasia ngeli me Katerinën. E vështroi vajzën e saj, e cila po rrinte ulur si një zonjushë e vogël.
-Katerinë, përse nuk shkon me ta të luash?
-Nuk dua të luaj, lodrat nuk janë për mua.
-Por... ti je ende e vogël, dhe tani për tani është mirë që të luash sadopak.
-Epo mua nuk më pëlqen të luaj me lodra. Ato janë thjesht plastikë, si qeset. Një ditë do të prishen dhe do të hidhen në plehra. Prandaj nuk më pëlqen të luaj me lodra.
Anastasia buzëqeshi.
-E di? Nëse ti arrin të kujdesesh për ato lodra, atëherë nuk do të jetë e nevojshme t'i hedhësh. Ti mund t'i ruash ato. Dhe do të kuptosh se asnjëherë nuk është vonë për të luajtur me to.
-Mami, ti flet sikur luan vetë me lodra.
-Ndonjëherë... edhe të rriturit luajnë Katerinë, por lodrat e tyre nuk janë plastikë. Njerëzit e rritur luajnë me të tjera gjëra, disa gjëra që mund të jenë shumë të rrezikshme. Për shembull... disa njerëz luajnë me zjarrin.
-Por a nuk e dinë ata se zjarri të djeg?
-E dinë Katerinë, por atyre u pëlqen të luajnë me të, dhe në fund digjen. Kur të rritesh do të më kuptosh më mirë se çfarë po të them.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now