Koha e dushit mbaroi. Katerina doli prej andej me peshqirin rreth trupit. Mori rrobat e filloi të vishej. Mori tharësen për të tharë flokët. Dhe ashtu po shihej në pasqyrë.
-Katerinë, ti dukesh si atëherë kur ishe njëzet vjeç. Hëh, atëherë ishte një kohë e bukur për ty. Nju-Jorku, ai qytet i madh e i zhurmshëm. Dhe sigurisht, ai qytet ku ke përjetuar shumë gjëra të bukura. Por që... tani je këtu, në shtëpinë tënde. Duhet të rrish këtu për ca kohë, je e detyruar. Por mos u mërzit, gjithçka do të rregullohet. Si të thashë aty në dush? Ti e di që unë e mbaj fjalën, - po fliste me vete teksa shihej para pasqyrës.Darkë, ora 20:00.
Duke krehur flokët e duke i rregulluar, ajo buzëqeshte. Dukej ndryshe. Ishte një moment perfekt, por vetëm për kaq sa ishte...
-Katerinë Evë Izabelë Andërllend! - ishte zëri i Violetës.
Katerina u nervozua.
-Oh bukur! Filloi përsëri.
U ngrit nga karrigia dhe shkoi të hapte derën e dhomës, e cila ndodhej në katin e dytë të shtëpisë. Shkoi afër shkallëve dhe pa Violetën aty poshtë.
-Po tani çfarë do?
-Zbrit poshtë! Vajti ora tetë. Është ora e ngrënies. Duhet të jemi të gjithë në tavolinë, ndaj eja menjëherë. Mos të ta përsëris më.
-Seriozisht? - e pyeti Katerina me ironi.
-Katerinë, Alani është duke ardhur këtu së bashku me fëmijët. Të lutem, mos më turpëro para tij.
-Në rregull, mos u shqetëso. Nuk kam ndërmend të të turpëroj para burrit tënd të dashur. Do të vij... por për momentin jam e zënë duke rregulluar veten time, - ia ktheu Katerina dhe shkoi sërish brenda në dhomë.
-Katerinë... Katerinë! Oh Zot, ajo s'merr vesh! - shfreu Violeta.
Ajo shkoi në dhomën e ngrënies, ndër të paktat dhoma ku i pëlqente të rrinte pasi e dinte se vetëm aty mund t'i shihte të gjithë njerëzit për të cilët kishte nevojë, që ishte familja e saj.Në atë moment, në shtëpi hyri Alani së bashku me fëmijët. Violeta e ndjeu menjëherë ardhjen e tyre. Doli menjëherë, dhe vështroi dy fëmijët e saj, Anën dhe Klarkun. Dy binjakë dhjetëvjeçarë; Ana ishte një vajzë e vogël me flokë të verdhë e me syze. Ndërsa Klarku ishte një djalosh me flokë në ngjyrë të kafenjtë. Të dy një prerje fytyre, binjakë identikë. Ana ishte ajo që përpiqej t'i ngjante mamasë së saj, por më shumë preferonte t'i ngjante Katerinës. Ndërsa Klarku i ngjante më shumë të atit nga pamja. Ishte trazovaç, dhe për këtë i kishte ngjarë Violetës.
Ndërkohë Violeta ia nguli sytë të dyve.
-Ana, Klark, shkoni menjëherë të lani duart sepse është ora e ngrënies. Nuk dua asnjë minutë vonesë, në rregull?
-Në rregull mami, - tha Ana.
-Mua më duhet të çoj çantën në dhomë, - tha Klarku.
-Klark, të thashë që në drekë ta çoje çantën në dhomë. Por ti nuk më dëgjove, - ia ktheu Violeta.
-E shikon? Tani mami po të qorton, - shtoi Ana.
-Mirë fëmijë, mos u zini tani. Bëni si ju tha mami dhe askush nuk do të qortohet, - tha Alani.
-Babi, je njësh! - ia ktheu Klarku.
Dhe të dy fëmijët u larguan me vrap për në dhomë. Ndërkohë Violeta u kthye nga Alani, i cili sapo kishte ardhur nga puna në kompani dhe kishte përfituar të takonte dhe dy fëmijët e tij, të cilët kishin dalë për të shëtitur së bashku me Sebastianin."Ah, sa për ta ditur... Violetës i shndrijnë sytë kur bëhet fjalë për Alanin. Është kaq e dashuruar pas tij, sa atë e ka në plan të parë të çdo bisede me mikeshat e saj. Alani është pak më ndryshe. Ai është një njeri më i qetë, nuk reagon fare. Edhe nëse reagon, sërish është Violeta që e merr në dorë kontrollin e situatave.
Alani ka një pamje të lezetshme, me flokë të kafenjtë, të kthyer në anën e majtë të tij, me sy po të kafenjtë, me një fytyrë as shumë të gjatë por as shumë të shkurtër. Nuk mban mjekër, ka një fytyrë krejt të pastër. Gjatësia e tij, le të themi mirë. Është i gjatë, më i gjatë se Violeta. Dhe gjatë gjithë kohës serioz. Ndoshta kjo ishte një nga arsyet se pse Violeta u martua me atë burrë para dhjetë vitesh. Në fakt një arsye e mirë është se ai nuk e kundërshton Violetën, edhe pse ajo do të donte që ai ta bënte këtë. Alani është një burrë tipik që ngrihet herët në mëngjes, dhe shkon në kompani. Thotë se nuk ka kohë për asgjë tjetër, se asgjë nuk është më e rëndësishme se puna në të cilën fiton. Ai i urren humbjet, po ashtu dhe Violeta. Është i zoti në prezantimin e çdo projekti që ka lidhje me kompaninë. Gjëja më tipike është se ai zor se i shpreh ndjenjat e tij të brendshme. Përpiqet të jetë sa më i qetë dhe sa më serioz, por kjo nuk funksionon me fëmijët e tij. Vetëm pranë tyre, Alani ndryshon komplet, duke u bërë një njeri më i ngrohtë. Ndërsa kur vjen puna te Violeta... hëh! Sërish serioz, shndërrohet në atë burrin që nuk e kundërshton gruan e tij. Dhe dihet që Violetës i pëlqen t'i shkojë pas avazit. Duket sikur i serviloset, ose thjesht kështu më duket mua. Bah, nuk e di, Violeta thjesht e tepron ndonjëherë me sjelljen e saj prej aristokrateje."-Oh Alan, erdhe i dashur? - e pyeti gjithë ëmbëlsi Violeta.
-Përderisa kam hyrë në shtëpi e po më sheh... po, erdha Violetë, - u përgjigj ai.
Violeta iu afrua me gjithë ëmbëlsinë e saj dhe e puthi.
-Alan... sa shakaxhi që je! Duhet të jesh më shpesh kështu.
-Nuk e di nga e nxore këtë, unë jam serioz edhe tani që po flas.
-Epo ti nuk e kupton se ajo sjellja jote prej seriozi ndonjëherë më bën të qesh.
-Ah... përderisa e thua këtë... atëherë më bëhet qejfi që sjellja ime serioze të bën të lumtur, - tha ai dhe buzëqeshi, gjë që Violeta e adhuronte aq shumë tek ai.
Por kjo bisedë tejet "romantike" u ndërpre.
-Përshëndetje çifti i lumtur! Çfarë kënaqësie t'ju shoh kaq të afërt me njëri-tjetrin. Jeni... vërtet... të adhurueshëm. Por kujdes, sepse gjithë kjo ëmbëlsi e shfaqur para syve të mi, mund të më bëjë me dhimbje stomaku, - tha Katerina me një fytyrë ironike, teksa iu afrua të dyve.
-Oh, më në fund zbrite zonjushë! - iu drejtua Violeta.
Më pas u kthye sërish nga Alani.
-Alan, eja pak këtej.Alani e ndoqi nga pas. Shkuan diku tutje, në mënyrë që Katerina të mos i dëgjonte.
-Alan, motra ime do të rrijë për ca kohë këtu.
-Violetë, kjo është shtëpia juaj. Ti vetë vendose të jetoje sërish në shtëpinë e prindërve të tu. Nuk është nevoja të më marrësh mua leje për Katerinën.
-Po por... ti e di se pse po e them këtë. Katerina mund të ndryshojë nga momenti në moment. Ti e di që ajo ka luhatje humori, dhe gjendja e saj e brendshme mund të përkeqësohet. Nuk kam ndërmend ta le në atë gjendje. Dua të di se pse sillet kështu, çfarë ka që nuk shkon me të?
Alani u mendua pak, dhe në fakt thjesht i tha një të vërtetë.
-Mendoj se ajo ende vuan nga e shkuara, Violetë. Katerina ka përjetuar një traumë, dhe ka nevojë të jetë e qetë. Ndoshta asaj nuk i pëlqen që ti përpiqesh ta kontrollosh gjatë gjithë kohës. E mban mend se çfarë ndodhi herën e fundit?
-E ke fjalën para pesë vitesh, në atë kohë kur isha fiksuar të sillja psikologët më të mirë për të? Alan, unë thjesht jam përpjekur ta ndihmoj Katerinën të përmirësojë gjendjen e saj të brendshme.
-Po, dhe si përfundim, Katerina ndërroi pesëmbëdhjetë psikologë brenda një muaji. Dhe kjo ishte një arsye e mirë se pse ajo nuk ka ardhur fare këtej për pesë vjet rresht. E di, ndoshta duhet të mos e kontrollosh kaq shumë motrën tënde, Violetë. Ajo nuk është e vogël.
-Po, por sillet si e tillë. Dhe unë nuk kam ndërmend ta lë Katerinën të bëjë çfarë i do qejfi. Këtu nuk është në Nju-Jork, është në shtëpinë e saj të vërtetë. Dhe si një Andërllend që është, duhet të ketë pak respekt për veten e vetë e të sillet si një Andërllend i vërtetë. Për vite me radhë, familja Andërllend gëzon një respekt shumë të madh në Londër, pavarësisht gjërave që kanë ndodhur. Ne jemi një familje me emër të mirë, të gjithë na njohin. E gjithë Londra na njeh. Dhe kujt ia merrte mendja se e vogla e Andërllendëve do të lindte për të thyer rregullat? - ia ktheu Violeta.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...