103.

88 3 0
                                    

"Në jetën e një njeriu gjithmonë ndikojnë zgjedhjet që ai bën. Çdo vendim që merr ka pasojat e veta. Për shembull... unë.
Unë vendosa ta lija hakmarrjen për Hermanin dhe veten time. Doja të krijoja atë familjen që kam dashur me kohë të krijoj, një familje pa mistere apo sekrete. Thjesht një familje të mbushur me dashuri dhe respekt. Por ja që sërish nuk do të mund t'i shmangesha hakmarrjes. Nuk isha unë që e doja hakmarrjen kësaj radhe, ishte Hana."

Ai hapi sytë ngadalë dhe e gjeti veten të lidhur me litar, duar e këmbë.
-Hej! - bërtiti me të madhe.
-Qetësohu djalosh, këtu nuk të dëgjon njeri, - thirri Hana teksa hyri në ndërtesën e vjetër ku e kishin lidhur Vinsentin.
Ai përpëlitej aty i lidhur për të shpëtuar, por që nuk mund të shpëtonte. Hana buzëqeshi dhe iu afrua ngadalë.
-Vinsent Borton, nuk kam asgjë personale me ty.
-Atëherë përse më ke lidhur? Kush dreqin je ti? Dhe nga e di emrin tim?
-Të gjithë e dinë emrin tënd, i dashur. Je djali i Alfred Borton. Ai është me fat që të ka, por jo dhe për shumë kohë, - tha ajo dhe u largua që aty.

Ndërkohë tek Andërllendët.
Violeta po rrinte e ulur në një stol aty në kopshtin e shtëpisë. Shikonte trëndafilat shumëngjyrësh. Krejt e humbur nga kjo botë, e hutuar pas tyre, dhe e përhumbur në trishtimin e saj. Alani sapo kish ardhur nga puna dhe nuk po e gjente Violetën gjëkundi. Aty vuri re Nensin, e cila po pastronte shkallët.
-Nensi, ku është Violeta?
-Zonja Violetë është në kopshtin e shtëpisë, diku ulur në një stol. Ka një orë që rri ashtu aty. Ju lutem, bëni diçka! Zonja nuk më duket fare mirë.
Alani u nis menjëherë drejt kopshtit. Aty e gjeti Violetën, njësoj siç i tha Nensi.
-Violetë, çfarë bën këtu? Mos do që të ftohesh këtu jashtë? Është dhjetor, dhe bën ftohtë.
-Unë kam kohë që jam ftohur, Alan. Jam ftohur shpirtërisht. Nuk e ndiej të ftohtin fizik. Nuk ndiej më asgjë.
-Violetë... mos fol kështu. E di se sa keq ndihem kur të shoh në këtë gjendje?
-Ah Alan, sikur ta dije se si ndihem unë. Sikur vetëm njëherë të ma kuptoje shpirtin. Unë jam njeriu më i keq që ekziston.
-Jo, ti je gruaja më e mirë që ekziston. Gjithmonë do të jesh për mua, - tha ai dhe u ul aty me të.
-Alan, çfarë dreqin ndodhi me familjen time, me Andërllendët? Babai u vra, mamaja u zhduk. Tani dhe Katerina... iku. Londra e di të vdekur. Të gjithë kështu e dinë. Dhe unë... ndihem shumë keq kur e mendoj këtë. E di që nuk kam qenë shumë e afërt me të dhe gjithmonë e kam kritikuar për gjithçka. Nuk kam qenë aq e mirë si motër me të. Harroja se ajo nuk ishte më e vogël, por që ishte një grua e rritur. Një grua që kishte jetën e saj, e mua nuk më pëlqente ajo jetë që Katerina bënte. Ajo ishte e veçantë në llojin e Andërllendëve. Nuk i zbatonte rregullat e botës, por krijonte rregullat e saj. Ajo ishte e veçantë, Alan. Dhe unë nuk isha një motër e mirë. Jam penduar, për gjithçka që i kam thënë.
-Violetë, ndoshta Katerina do të vijë një ditë, ndoshta ajo nuk ka vdekur. Ne ende nuk e kemi gjetur trupin e saj. Nëse policia do e kishte gjetur trupin e Katerinës, atëherë do të shpallej e vdekur.
-E di, por nuk doja më që kjo të vazhdonte. Thjesht sa do më bënte të vuaja më shumë. Herën e fundit u dëgjua se ajo po dilte nga shtëpia e Vinsentit, dhe më pas, askush nuk di asgjë. U zhduk, dhe tashmë konsiderohet si një e vdekur. Nuk mund ta pranoj... por ajo ka vdekur. Tre Andërllendët që unë njoh kanë vdekur.
Violeta dukej kaq e dëshpëruar për gjithçka që kishte ndodhur. Nuk arrinte dot ta besonte, megjithatë e kishte pranuar disi pa dëshirë që edhe Katerina nuk ishte më.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Opowieści tętniące życiem. Odkryj je teraz