Darkë, ai po rrinte shtrirë mbi shtrat, i mbuluar me një batanije të hollë. Atje bënte freskët. Pas pak minutash, në dhomë hyri dhe Katerina.
-A mund të vij dhe unë aty? - e pyeti.
Ai e vështroi disi i shtangur, dhe me një buzëqeshje në fytyrë.
-Katerinë, ti që nuk pranon të flesh me asnjë mashkull, kërkon të hysh në shtrat pranë meje?
Ajo e vështroi me ironi.
-Herman, mos më bëj të pendohem që e thashë.
-Jo jo, mund të vish. Ke nderin.Katerina iu afrua dhe hyri brenda në batanije, në të djathtën e Hermanit.
-Natë e ftohtë, ë? - e pyeti ajo, si për të hapur një bisedë mes tyre.
-Këtu bën gjithnjë ftohtë, ndaj mësohu.
-E çuditshme, nuk më ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë, kjo lloj situate. E aq më pak me ty.
Papritaz, dritat filluan të bënin masë.
-Çfarë po ndodh? - e pyeti ajo.
-Do të fiken dritat, shiu me stuhi po afron, - iu përgjigj ai.
Dhe dritat u fikën menjëherë sapo ra një vetëtimë e fortë.
-Ah! - klithi Katerina nga frika dhe u struk pas tij.
-Katerinë, çfarë ke? U trembe?
-Unë i kam tmerr vetëtimat e forta, - tha ajo.
Ai e vështroi, si të donte të depërtonte brenda saj. U ngrit menjëherë dhe ndezi një qiri që e gjeti aty pranë një komodine. Një rreze drite që larg depërtoi në mes të errësirës së dhomës. Më pas u fut sërish në shtrat, pranë saj.
-Më mirë kështu, apo jo?
-Herman, unë thashë vetëm që kam tmerr vetëtimat e forta, jo errësirën.
-Gjithsesi, atmosfera më pëlqen më shumë kështu, me pak dritë.Në sytë e saj shkëlqeu diçka, ndoshta një ndjesi e brendshme, ose ndoshta ishte reflektimi i dritës së qiriut. Ndërkohë Hermani ia kishte ngulur sytë me një farë buzëqeshjeje.
-E di çfarë më lumturon më shumë? Fakti që ti je këtu, pranë meje. Kaq afër meje, sa mund të arrij të të prek me duart e mija.
-Unë përsëri nuk jam gati aq sa të fus një mashkull në shtrat.
-Në fakt, je ti ajo që je futur në shtratin tim dhe... këtu ndryshon puna Katerinë.
Hermani bëri një lëvizje të vogël për t'iu afruar më shumë.
-Më thuaj Katerinë, ka diçka që të tërheq tek unë, përderisa më afrohesh.
Ajo e vështroi mistershëm.
-Herman, ka gjithmonë diçka që i tërheq femrat përsa i përket gjinisë mashkullore, në të cilën përfshihesh dhe ti.
-Bukur, po e nis mirë. Vazhdo, dua të të dëgjoj. Çfarë mund të thuash ti si femër për mua?
-Unë... për ty?
-Po.
Ajo u mendua pak, më pas ia nguli sytë.
-Ti je... një njeri.
-Një njeri. Shumë bukur, kujtoja se do të më quaje kafshë, - iu përgjigj ai me ironi.
-Jo, ti je... ndryshe nga të tjerët, - reagoi ajo menjëherë.
-Pra, e kuptove më në fund që jam ndryshe?
-Por nuk jam e bindur plotësisht.Ai e afroi fytyrën e tij pranë të sajës.
-Dua kaq shumë të të bind për këtë, Katerinë. Jam i gatshëm të bëj gjithçka për ty, mjafton që ti të më thuash se çfarë dëshiron... dhe unë do të ta plotësoj dëshirën.
-I gatshëm... për gjithçka?
-Absolutisht që po.
Ajo buzëqeshi me ironi.
-Ti je i çmendur.
-Katerinë, ti nuk e ke idenë se sa më torturon ajo dëshira për të të prekur ty. Dhe ky moment po ma shton atë dëshirë aq shumë sa nuk e di në do arrij të përmbahem.
Katerina filloi vetë të luante me zjarrin e quajtur Herman.
-Atëherë mos u përmbaj. Lëre vrullin tënd mashkullor të pushtojë trupin tim. Më bëj viktimën tënde.
-Katerinë... nëse unë filloj të të prek, atëherë shumë shpejt kam për të të zhveshur nga ato 'gënjeshtra' që të veshin trupin dhe... oh Zot! Ti ke një trup të mrekullueshëm. Dhe... nëse hyn në jetën time, atëherë unë nuk mund të të lë të dalësh prej saj.
Një ndiesi e re kish shpërthyer në shpirtin e saj.
-Nëse tundohesh vërtet prej meje, atëherë më bind që nuk je si gjithë të tjerët... më bëj të besoj se do të jem e fundit femër në jetën tënde, e fundit fare. Më bëj të jem ajo që... nuk do ta krahasoje me asnjë tjetër. Më bëj të besoj se mes gjithë atyre femrave që ke pasur në jetën tënde... ti do të më zgjedhësh mua.
Sytë e tij filluan të shkëlqenin, vrulli i tij i brendshëm po rritej, zemra i rrihte akoma më shpejt. Kësaj radhe dukej se i kishte dyert e hapura tek ajo, tek obsesioni i tij, tek ajo qenie femërore. Kishte kohë që e priste këtë moment, kishte shumë kohë që priste prej saj pikërisht ato fjalë.
-Katerinë, unë nuk jam si të tjerët. Ti je e vetmja femër që ekziston në kokën time, e para dhe e fundit. Ti nuk mund të krahasohesh me asgjë, aq më pak me një femër tjetër. Unë e kam bërë zgjedhjen time me kohë, dhe ajo je ti.Pas pak, një buzëqeshje e çiltër doli prej saj. Dhe krejt papritur e kapi e qeshura. Ajo nuk po mundte ta ndalonte dot, ndërkohë që ai thjesht e vështronte i mahnitur.
-Herman... çfarë po bëjmë kështu? A nuk duhet të ishim duke fjetur tani?
-E si mund ta kem mendjen për gjumë tani, kur jam duke të parë ty?
-Atëherë mos më shih mua. Shiko diçka tjetër.
-Çfarë të shoh?
-Ëëëh... shiko... atë qiriun që po shkrin.
-Nuk mundem.
-Përse?
-Sepse kam një tjetër qiri përpara meje që po shkrin.
-Herman, unë nuk jam qiri.
-Oh... ti je një qiri aromatik në ngjyrë të kuq, që mban në vetvete aromë pasioni.
Ajo ia dha së qeshurës.
-Herman... të lutem! Nuk po e mbaj dot të qeshurën nga këto që po thua.
-Ti je qiriu im i preferuar.
-Uau, tani na dola qiri! Herman, seriozisht ti po flet përçart.Ai vazhdonte të qëndronte i përqendruar tek ajo. Kësaj radhe kishte diçka serioze tek ai.
-Ti më bën të flas përçart. Ti... Katerinë Evë Izabelë Andërllend. Ti dhe gjithçka e jotja. Ti dhe sytë e tu të larmë. Ti dhe shikimi yt. Ti dhe frymëmarrja jote e ngadaltë, gati e palëvizshme, e pandjeshme. Je ti arsyeja pse vazhdoj të jetoj ende. Je ti motivi pse vazhdoj të luftoj pa pritur asgjë në këmbim. Janë duart e tua ato që do të doja të më preknin me gjithë delikatesën tënde femërore. Ndoshta ato duar do të mund të më zbusnin sadopak, nëse ti do i lejoje të më preknin. Nuk jam një njeri që e jap veten, nuk jam një njeri që mund t'u tregoj të tjerëve qoftë edhe një sekret të vetëm. Por mund ta bëj këtë me ty. Gjithçka që po them, është një sekret i imi për ty. Dua ta dish se... çfarëdo që të ndodhë... unë do të jem gjithmonë pranë teje. Më urre, më shaj, më godit, më torturo. Bëj ç'të duash me mua, mjafton të jesh aty pranë meje kur të vendosësh t'i bësh këto.
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...