118.

74 4 0
                                    

U gjendën të dy në garazhin e nëndheshëm të atij pallati të lartë. Katerina vërejti në mesin e automjeteve një motoçikletë të zezë e të madhe. Dukej e fuqishme, thjesht ideja se mund të bëje një xhiro të shpejtë me të ia rrëqethte mishin.
-Ja, kjo nuk më mërzit asnjëherë. Dhe që ta dish ti, kjo ka qenë dashuria ime në kohën kur kam ardhur të jetoj këtu, - tha Hermani.
-Goxha dashuri paske zgjedhur! - ia ktheu Katerina me ironi.
-Hëh, mos e nënvlerëso. Të udhëtoj me të më jep të njëjtën kënaqësi si femrat në shtrat.
-Ashtu? Epo qenka e përkryer.
-Eh, ndonjëherë ka nevojë për riparime por është e fortë. Do të rrojë dhe për shumë vite me radhë.

Katerina iu afrua afër, dhe u mbështet me njërin krah në supin e tij.
-Sinqerisht ti më surprizon me ato që thua. Si mundet të të japë kjo gjëja të njëjtën kënaqësi që përjeton me... femrat?
-Është e shpejtë, më pëlqen shpejtësia. E adhuroj shpejtësinë e saj. Më rrit adrenalinën.
-Ke hipur ndonjë femër këtu?
-Për çfarë?
Katerina e vështroi me ironi.
-Për xhiro, për çfarë tjetër?
-Jo, zakonisht ato i fusja në makinë për xhiro. Ndërsa këtë mjet e ruaja vetëm për vete.
-Sa i keq që je ndonjëherë! Kushedi se sa kanë dashur ato të shkretat ta provonin mjetin tënd. Ndoshta... do të përjetonin të njëjtën gjë si ti. Apo nuk vdesin për ty ato, janë gati të të shqyejnë të gjithin, vetëm e vetëm që të jesh i tyre.
-Je xheloze?
-Çfarë? Xheloze? Për ato këmbëgjatat? Jo, kam konkurrencë më të fortë se ato, kam femra që duan të më zënë vendin në fushën profesionale.

Ai buzëqeshi. E dinte që ajo po e mohonte xhelozinë e saj femërore.
-Ashtu? Ndoshta ato duan të ta zënë vendin edhe në fushën personale. Ti e di, është bërë e modës që femrat duan të zënë sa më shumë të dashur, dhe të shtojnë listën.
-I imagjinoj fytyrat e tyre teksa shtiren sikur kanë kaluar netët më pasionante në shtrat, me ata donzhuanët muskulozë, të nxirë në diell gjatë kohës së plazhit. I kam parë teksa dilja për kafe me Sharlotën. Ato flisnin sikur të kishin rënë në parajsën e dashurisë, gjë që nuk ekziston. Hëh, ato thjesht gënjejnë, gënjejnë dhe vetëm gënjejnë. Ku e dinë ato se si është dashuria e vërtetë?
Kjo bisedë po i dukej gjithnjë e më shumë interesante Hermanit. Ai po e shihte çuditshëm Katerinën, ajo nuk i kishte folur kurrë ashtu.
-Dhe ti po flet sikur di gjithçka për të.
-Nuk jam e sigurt nëse di mjaftueshëm për dashurinë, Herman. Unë mendoj që është një ndjesi e bukur. Në fillim e butë dhe e ëmbël, e më pas shpërthen në një pasion që të çon në ferr, atje ku ndodhet vërtet ajo që ti kërkon prej dashurisë, ose thjesht, është si zjarri. Nëse i fryn shkëndijave, ato do të marrin flakë, dhe gjithçka rreth teje digjet, së bashku me ty. Dashuria është si droga, nuk do të reshtësh kurrë së kërkuari për të. Nëse e provon një herë, do të kërkosh më shumë.

Sytë e tij filluan të shkëlqenin nga pasioni.
-Ku ke qenë më përpara që nuk të kam parë?
-Ndoshta... ke qenë tepër i verbër për të më parë mua.
-Po... dhe tani po verbohem nga pamja jote e mrekullueshme.
Një buzëqeshje u shfaq në fytyrën e saj, teksa ai e përkëdhelte atë fytyrë ngadalë me dorën e tij. E afroi të gjithën pranë vetes dhe e përqafoi. Në sytë e saj lexohej veç një gjë, lumturi. Kishte nevojë për një përqafim, dhe ai ishte i vetmi që mund t'ia jepte në atë moment.
Dhe fill pas disa minutash e gjeti veten duke shëtitur me motoçikletë. Ai e ngiste shpejt. Guxonte gjithnjë. Dukej sikur donte t'ia mbathte larg, shumë larg, diku ku askush tjetër nuk mund ta shihte. Dhe ndihej mirë që po udhëtonte, dhe që kishte Katerinën me vete. Ajo gjendej pas tij, e mbështetur dhe e kapur fort me trupin e tij. Ndihej e sigurt, dhe e lumtur. Nuk ishte ndierë ndonjëherë ashtu. Nuk donte të ndalonte aspak. Vogëlushja mbylli sytë, duke ndjerë ajrin që i përplasej në fytyrë. Nuk mund ta lëshonte djaloshin, ishte i vetmi moment ku nuk mund ta lëshonte atë. Po mbahej fort pas tij, teksa ai dukej që ia mbathte. Dhe ajo po ia mbathte me të për një çast...

Ndërkohë dhe orët kaluan shpejt. Dielli perëndoi, nata erdhi. Ai po e priste poshtë apartamentit të saj. Kësaj radhe me makinë. Një Mercedes Benz i zi, i viteve të fundit. Kishte veshur një këmishë të errët, pantallona të zeza dhe këpucë të zeza. Në dorën e majtë mbante orën e tij, një Rolex i artë. Kishte rregulluar flokët. Diçka e kishte rinuar këtë djalë. Ishte mbështetur anash makinës, me duart e kryqëzuara, dhe me syzet e errëta në fytyrë teksa priste atë. Ndërkohë Katerina gjendej në dhomë, duke u rregulluar. Do të dilte së bashku me Hermanin, një takim aspak si herët e tjera. Kësaj radhe po i thyente vërtet limitet e saj. Dhe dukej më e lumtur se ndonjëherë. Tashmë e kishte bërë zgjedhjen e saj.

U shfaq para syve të tij me një fustan veror në ngjyrë të bardhë. Flokët e lëshuar, me një tualet të lehtë në fytyrë. Ajo nuk kishte nevojë për shumë makijazh. Dukej gjithmonë e mrekullueshme.
Ai ktheu kokën, një mrekulli i kish dalë përpara. Hoqi syzet dhe i vari në këmishën e tij, pa e shkëputur shikimin nga ajo. Ishte i hutuar komplet, kish ngelur me gojë hapur, ajo gjithmonë ia dilte ta hutonte. Hermani eci drejt saj, Katerina drejt tij. Të dy ndaluan.
-Katerinë... dukesh vërtet e mrekullueshme! - i tha duke buzëqeshur.
-Nëse e thua ti... - tha ajo, duke ia kthyer po me buzëqeshje.
Ai ia puthi dorën e djathtë me delikatesë, pa ia shkëputur sytë. Vërejti në sytë e saj një lloj lumturie të fshehur.
-Për ku mendon të shkojmë?
-Nuk e di, si thua sikur të ma lësh surprizë se ku do të më çosh sonte? Kam dëgjuar se ti di t'i surprizosh njerëzit. Mua... më pëlqejnë surprizat. Po e le në dorën tënde se ku do të më çosh, - ajo dukej me humor të mirë.

Hermani buzëqeshi, dhe ashtu ngadalë duke i mbajtur dorën e çoi pranë makinës. I hapi derën dhe ajo u fut brenda. Më pas ai hyri edhe vetë në makinë. Të dy lidhën rripat e sigurimit. Ai vështroi orën.
-Sa mirë, ora është 21:00. Mendova në fillim se do të vonoheshe më shumë...
-Unë nuk vonohem në të tilla takimesh, Herman. Koha është e limituar. Është e rëndësishme ta jetosh çdo moment atë.
-Jam plotësisht dakort me ty. Por sonte do të na duhet të bëjmë një përjashtim. Sonte nuk ka limit kohor.
-Atëherë le të fillojë kjo natë... - tha ajo, dhe Hermani ndezi makinën.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now