Ora 10:00. Ajo gjendej tashmë aty, në dhomën e saj. Gjendej e shtrirë mbi shtrat. E përhumbur. Dëshpërimi i errët në fytyrën e saj e shqetësonte Zedersonin. Ai ishte ende aty, disi i frikësuar për gjendjen e saj aspak normale. Zedersoni ishte ulur sërish në atë karrige që gjendej aty në dhomën e saj. Po priste momentin kur ajo të ishte gati për të rrëfyer atë që e mundonte.
Ajo mori frymë thellë, dhe e nxori atë lehtazi.
-Gjithçka nisi kur unë isha dhjetë vjeç. Para kësaj, gjithçka ka qenë në rregull...
-Vazhdo... po të dëgjoj, - i tha Zedersoni.
-Dikur ishim shumë të lumtur... ose të paktën, kështu më dukej mua. Unë dhe Violeta ishim shumë të afërta. Ne rrinim bashkë gjithmonë. E donim shumë njëra-tjetrën dhe e shfaqnim hapur. Por gjërat morën rrjedhë tjetër në familjen tonë. Kur unë u bëra dhjetë vjeç e Violeta pesëmbëdhjetë, më saktë qëkur isha nëntë vjeç, prindërit e mi vetëm debatonin. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se për çfarë. Ata na mbanin larg debateve, e ne të dyja shihnim njëra-tjetrën. Më pas prindërit tanë u ndanë. Mamaja i kërkoi divorcin babait. Pas divorcit, mamaja donte të na mbante të dyja bashkë, por babai nuk pranoi. Ai më mori mua, ndërsa Violetën e la në duart e mamasë. Dhe që atë ditë nuk e pashë më mamanë time.Katerina mori sërish frymë thellë.
-Rastësisht dëgjova diçka, padashur. Disa njerëz kishin filluar të flisnin mbi ndarjen e prindërve të mi. Ata thonin që mamaja ime i kërkoi divorcin babait për shkak se... ai bridhte me një femër tjetër. Nuk doja ta besoja këtë. Nuk mund ta besoja që babai im mund ta kishte bërë diçka të tillë.
-Çfarë ndodhi më pas? - e pyeti Zedersoni.
Në sytë e saj shfaqej veç trishtim për të shkuarën.
-Më pas... çdo gjë dukej sikur ecte normalisht, por asgjë nuk ishte më e bukur. Jeta ime me babain u kthye në një makth pas disa muajsh. Ai filloi të pinte alkool. Dhe jo veç disa gota të vogla. Babai im filloi të pinte jashtë normave. Dilte përherë shpejt, dhe unë gjendesha gjithë ditën vetëm. Më pas, ai kthehej në orën nëntë të darkës, komplet i dehur. Fillova të shqetësohesha për gjendjen e tij. E pyesja gjithmonë se çfarë kishte, dhe përpiqesha ta bindja të mos pinte më alkool. Por ai nuk ishte më në gjendje të më kuptonte. Ai filloi të përdorte dhunë mbi mua. Më fajësonte mua për çdo gjë. Më fajësonte mua për ngjarjet që ndodhën në familjen tonë. Shpesh mendoja se e kishte nga pija, por ai fliste seriozisht. Më trajtonte si të isha thjesht një objekt. Dukej sikur donte të më vriste. Por nuk e bënte. Nuk mund të më vriste. Ai thjesht më ndërshkonte duke më dhunuar. Dhe kështu u shndërrua në mashkullin e parë që kam urryer në jetën time. Ai u bë shkak që unë të filloja t'i urreja meshkujt. Dhe ai është një nga ato arsyet e forta se pse unë ende nuk jam martuar. Gjithçka që kam kaluar prej tij më bën ta urrej gjininë mashkullore. Ai më ka bërë të kem frikë nga meshkujt. Gjatë gjithë kohës kam qenë e rrethuar prej tyre, dhe gjatë gjithë kohës kam patur frikë prej tyre.
-Kei... nuk dua të të bëj të ndihesh keq por... jo të gjithë meshkujt janë njësoj si babai yt. Më beso, ndoshta diku nëpër botë është dikush që do të të trajtojë ashtu siç ti e meriton. Një ditë do të duash të martohesh me dikë...
-Unë nuk dua të martohem, zoti psikolog. Aq më pak pas atyre që kam kaluar. Kush do të donte të martohej me një grua si unë? Kush do të donte të martohej me një grua që i urren burrat? Askush. Megjithatë, çështja nuk është nëse do të martohem apo jo. Çështja është e shkuara ime.Zedersoni e pa me një fytyrë serioze.
-Kei... pak më parë, në dhomën ku ishim qëparë, ti më the që Katerina naive vdiq kur babai i saj vdiq. Çfarë doje të thoje me këtë?
Katerina mbylli sytë dhe rrudhi vetullat. Asnjë fjalë më tepër nuk po dilte prej saj. Ajo u ngrit në gjysmë të trupit dhe u ul më në anë të krevatit dhe filloi t'i tregonte të vërtetën e fshehur për tetëmbëdhjetë vjet.
-Violeta më ka thënë që mamaja vdiq pak pas babait, nga një atak kardiak. Më tha që mamaja ishte sëmurur nga zemra pasi u nda prej babait. Ndërsa sa për babain, Violeta e di të vërtetën ndryshe. Ajo mendon se babai ka vrarë veten. Dhe të tjerët ashtu e dinë. Të gjithë mendojnë se babai im vrau veten. Të gjithë e kishin parë ditët e fundit shumë të mërzitur apo të rënë shpirtërisht, dhe menduan se ai vrau veten atë ditë. Por që nuk është e vërtetë, nuk është aspak e vërtetë...
Katerina iu afrua pakëz psikologut.
-Babai im nuk vrau veten, atë e vrau dikush tjetër.
-Je e sigurt? - e pyeti Zedersoni duke u përkulur pakëz nga Katerina.
-Kam qenë atje gjatë gjithë kohës... Ishte nata e 3 korrikut të vitit 1999. Unë prisja si gjithmonë babain tim të kthehej i dehur në shtëpi. Ora kishte shkuar nëntë. E dija që do të hynte në shtëpi. Nuk prisja asgjë më shumë veçse dhunës që ai mund të ushtronte mbi mua. Por... atë natë, ai bëri diçka ndryshe. Ishte kthyer i dehur, dhe po kërkonte që unë t'i shkoja pranë. Isha e frikësuar prej tij, por ai më tha që nuk do të më dhunonte. Ai u afrua pranë meje dhe më përqafoi. Më kërkoi falje për gjithë dhunën që kishte ushtruar mbi mua. Më tha se nuk do të më dhunonte më. Dhe pikërisht pas atij çasti kur mendova se babai im do të kthehej në rrugë të drejtë... papritur dikush trokiti në derë. Babai im hapi derën. Ishte një person i maskuar. Babai im nuk arriti dot as ta pyeste se kush ishte. Ai person nxori një thikë dhe ia nguli babait tim në zemër. Pas asaj që bëri, ai person ia mbathi me vrap. E pashë babain tim të binte mbi dysheme përpara syve të mi. Ai m'i nguli sytë fort, për herë të fundit. Dhe vdiq... përpara syve të mi... i masakruar në natën e ditëlindjes sime. E di...? Kur ai ishte ende gjallë... ndonjëherë uroja që ai të vdiste për gjithë dhunën që ushtroi ndaj meje por... nuk e prisja që... të vdiste atë natë...Pas kësaj, Zedersoni u spraps në karrige. I shtangur, nuk arrinte t'i besonte rrëfimit të Katerinës.
Ajo e pa drejt e në sy.
-Duket e frikshme, apo jo?
Dhe ai e pa akoma më i shtangur pacienten e tij.
-E frikshme? Kjo është e tmerrshme! Nuk arrij ta besoj se si e thua me kaq qetësi, si të ishte thjesht një rrëfim i zakonshëm.
-A je kurioz? - e pyeti ajo.
-Për çfarë?
-Për qetësinë time, - tha ajo, dhe heshti për pak.
Heshtja momentale e Katerinës po i ngjante Zedersonit si një film horror. Por ajo vazhdoi të fliste sërish.-Dakort, do të të them diçka tjetër. Unë dhe Violeta nuk u bashkuam as pas vdekjes së babait tim. Unë jetova me gjyshin nga ana e babait, ndërsa Violeta jetoi me gjyshin dhe gjyshen nga ana e mamasë. Gjyshi im ishte ai që më mësoi se si të heshtja, duke e lënë të vërtetën mes meje e tij. Ai më rriti dhe më bëri këtë që të gjithë shohin sot. Pas vdekjes së tij... pikërisht atëherë vendosa të nisja të jetoja jetën time të re, pa u varur nga askush. Përpara se të vdiste, ai më tha të largohesha sa më larg të ishte e mundur nga kjo shtëpi, sepse brenda saj kishte lindur një mallkim që filloi të pushtonte familjen Andërllend. Ai më tha se unë isha e mallkuar të jetoja me makthet e së shkuarës nëse do të vazhdoja të rrija këtu pas vdekjes së babait tim. Më tha se... nëse do të vendosja të kthehesha e të jetoja sërish këtu, atëherë më parë duhet të zbuloja se kush e vrau babain tim dhe përse e bëri. Vetëm atëherë shpirti i tij do të mund të prehej i qetë, dhe vetëm atëherë unë do të isha e qetë.
-Kush është vrasësi i babait tënd, Kei?
Katerina heshti për pak. Mori frymë thellë.
-Tetëmbëdhjetë vjet dhe ende s'e kam gjetur. Ai është zhdukur ashtu siç erdhi atë natë që vrau babain tim. Por unë nuk kam qendruar duarkryq, përkundrazi e kam hapur këtë çështje në polici. Dhe tani pres një përgjigje mbi vrasësin, pres përgjigje nga një polic agjent që ka marrë përsipër këtë çështje. Trupat e policisë janë vënë në kërkim të vrasësit. Kur ai të gjendet, do ta bëj të pendohet që ka lindur, dhe nëse është gjallë atëherë do ta bëj të pendohet që është ende gjallë.Në sytë e Katerinës brohoriste veç inati me emrin 'Hakmarrje'. Kjo fjalë vlonte në çdo venë të sajën. Kishte një inat të pashpjegueshëm. Grushti i dorës së djathtë të saj u shtrëngua. Ajo i ra dyshekut me grushtin e djathtë.
-Aaah! - bërtiti.
Zedersoni u ngrit menjëherë dhe e kapi Katerinën përpara se ajo të shkatërronte gjithë dhomën. U mundua t'ia bllokonte krahët me krahët e tij.
-Do ta vras atë njeri! Do ta vras! - Katerina u bë agresive.
Ajo u mundua të lirohej, por Zedersoni e kishte shtrënguar me krahët e vetë. E vetmja gjë që ajo mund të bënte ishte të përpëliste këmbët. Kaluan veç pak sekonda dhe Katerina nuk u përpëlit më. Forca iu dobësua. Ajo nisi të qajë. Ai vuri re lotët e saj që po binin poshtë, mbi dysheme.
Zedersoni e lëshoi dhe e ktheu me fytyrë nga vetja.
-Kei...
Sytë e saj ishin mbushur me lot sërish. Dukej kaq e dëshpëruar, kaq e humbur. Kishte kaq shumë nevojë të bërtiste, dhe e bëri. Ai përgjysmoi sytë e tij, duke ndjerë keqardhje për pacienten e tij.
-Kei... më vjen keq për atë që të ka ndodhur, dhe më vjen mirë që ma tregove. Ti kishe kaq shumë nevojë të zbrazeshe, dhe tani e bëre. Kjo ishte gjëja më e mirë që mund të kishe bërë për veten tënde.Duart e tij përshkuan fytyrën e saj, dhe gishtat e mëdhenj shkuan drejt syve të saj për t'ia fshirë lotët.
-Mos qaj më, dakort? Qetësohu tani. Nuk është zgjidhje të qash. Ti nuk je kaq e dobët sa ta lësh veten të degradojë në këtë mënyrë. Ti e ke jetën përpara, dhe ato që kanë ndodhur thjesht kanë ndodhur sepse ashtu ishte e shkruar nga Zoti. Gjithçka do të zgjidhet, Kei. Unë do të të ndihmoj.
-Vërtet... do e bësh? Do të... më ndihmosh? - belbëzoi në mesin e gjithë trishtimit të saj.
-Po, do të të ndihmoj, - u përgjigj ai.
Ajo nuk dinte çfarë t'i thoshte. Për një moment u ndje mirë. E më pas, një buzëqeshje e çiltër u krijua në fytyrën e saj. Dhe Zedersoni u gjend krejt papritur i rrethuar vrullshëm nga krahët e pacientes së tij. Nuk dinte çfarë të bënte, nuk dinte nëse dhe ai duhej ta përqafonte apo jo. Dhe krejt papritur, brenda tij u krijua një ndjesi e çuditshme, e panjohur më parë. Kurrë në jetën e tij nuk ishte përqafuar nga ndonjë pacient. Në mënyrë të pavetëdijshme, duart e tij përshkuan shpinën e saj. Të prekte Katerinën ishte diçka komplet ndryshe, ta ndiente atë teksa e përqafonte ishte kaq e papërshkrueshme për Zedersonin në atë moment. U ndje konfuz për një çast. Si mundi ajo të bëhej krejt papritur kaq... e afërt me të? Si mundi ajo të turbullonte mendjen e ngurtë të psikologut Zederson? Si mundi vallë? Çfarë fuqie kishte ajo vallë?
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...