162.

61 3 0
                                    

-Vinsent, mos më sorollat më shumë me këto enigmat e tua. Më thuaj se për çfarë dhurate e ke fjalën. Shiko, unë të njoh shumë mirë ty, dhe ti nuk kthehesh pa një arsye. Ndaj më mirë fol tani, përpara se ta marr vesh me vonesë, - i tha Hermani disi i nervozuar.
Vinsenti vetëm buzëqeshte. Hermani nuk po e kuptonte aspak arsyen e buzëqeshjes së tij. Por përgjigja i erdhi shpejt.
-Gëzohu Herman, babai im vdiq.

Kjo i erdhi papritur Hermanit.
-Çfarë? Alfred Borton vdiq? Njeriu më i pushtetshëm i familjes Borton paska ndërruar jetë?
-Po.
-Por... si ndodhi? Mos më thuaj që ka gisht Hana në këtë punë, sepse ajo ishte aq e gatshme për ta bërë këtë gjë.
Një tjetër buzëqeshje pasoi tek Vinsenti.
-Jo, nuk e bëri Hana. Ishte dikush tjetër që kërkonte hakmarrje më shumë se Hana. Dhe ky person tani gjendet në atë shtëpi, - u përgjigj ai, teksa drejtoi gishtin nga shtëpia e Andërllendëve.
Hermani filloi të shqetësohej.
-Ç'do të thuash me këtë?
-Është i vetmi person që mund t'i japë përgjigje pyetjeve të Katerinës. Dhe Katerina tani duhet të jetë përballë atij personi, krejt e vetme, në pritje të përgjigjeve.
-Vinsent... ti po e fut Katerinën sërish në kërkim të së shkuarës së saj?
-Ajo thjesht duhet të dijë të vërtetën, Herman.
Nervozizmi i Hermanit arriti kulmin.
-Unë bëra gjithçka që ajo të hiqte dorë nga e shkuara, e tani vjen ti që kërkon ta fusësh sërish në atë rrugë pa krye, - tha ai dhe e goditi me grusht në fytyrë.

Vinsenti ra përtokë. Vuri dorën në buzë dhe pa se i ishte gjakosur. Ai qeshi.
-Herman, nuk ke ndryshuar fare. Je po i njëjti djalë që preferonte të bënte sherr me mua.
-Sepse ti e meritoje të rriheshe, Vinsent. Ti i fusje hundët kudo. Madje edhe në këtë shtëpi bëje po të njëjtën gjë.
Vinsenti u ngrit në këmbë.
-E çfarë kam bërë unë?
-Gjithçka që të më nxirrje mua jashtë loje. Ti ishe fëmija i përkëdhelur i babait, djali i vetëm i Alfredit, por që më vonë zbulove që kishe një vëlla të vdekur. Megjithatë nuk po flas për vëllain tënd, po flas për ty. Ti ishte Vinsenti i vogël e i sjellshëm në sytë e të rriturve, e sidomos në sytë e z. Frederik. Babai i Katerinës të adhuronte, madje mendonte se ti do të ishe dhëndri perfekt për vajzën e tij të vogël. Por as ai, dhe asnjë tjetër përveç meje nuk e dinte se ti ishe thjesht një dështak. I dështuar në gjithçka. Madje dhe babai yt të konsideronte si dështak. Dhe ti e dije këtë, e përsëri bëje gjithçka që t'u hyje në sy njerëzve. Dhe këtë plan e nise me Katerinën, e cila ra në dashuri me ty, pa e ditur se ti do ta lëndoje atë.
-Herman, nuk e detyrova unë Katerinën të binte në dashuri me mua. Unë as që e dija këtë gjë. Ajo vinte vetë pranë meje, dhe bënte çmos që të më hynte në sy mua. Ashtu ishte ajo, një çupëlinë e vogël e padjallëzuar. E pranoj, më pas dhe unë fillova ta pëlqeja atë. E dija se kjo ishte e vetmja mënyrë që dikush të më vlerësonte për diçka.
-Por ti e lëndove, atë ditë që u largove për në Vjenë. Ajo u çmend. Mendjen e pati tek ti për shumë vite rresht, edhe kur shkoi në Nju-Jork për të studiuar. Por dukej kaq e pamundur për të, ishte e pamundur të të harronte. Ti nuk arrite ta kuptoje shpirtin e brishtë të saj, Vinsent. Ti ishe thjesht ngjarja më e keqe e saj.
-Dhe e thua këtë sikur e njeh Katerinën shumë mirë, Herman. Flet sikur ke vite që e njeh. Po ku e di ti se si është shpirti i saj? Ti u largove nga Londra.
-Po, dhe gjeje se ku shkova. Në Nju-Jork, atje ku dhe Katerina erdhi. Ishte viti 2008. Unë dhe Katerina u takuam bashkë, dhe që atëherë nuk u ndava nga ajo.

Hermani ngriti dorën dhe i tregoi unazën e martesës.
-E sheh këtë? Kjo ishte ajo që donte Katerina.
-Një unazë?
-Jo Vinsent. Ishte dëshira për t'u ndjerë e sigurt, dhe unë isha i vetmi që mund t'ia dhuroja atë ndjesi.
-Me siguri që je përpjekur shumë për ta bërë për vete Katerinën, përderisa ajo ishte ende e dashuruar me mua.
Hermani buzëqeshi me krenari.
-Po, por nuk dola pa gjë në fund. Tani Katerina është gruaja ime. E para dhe e vetmja. Pastaj, ajo di gjithçka për mua. Nuk ka sekrete mes nesh. Asnjë sekret, asnjë të fshehtë. Tani jam unë që e bëj të lumtur atë. Vetëm unë, askush tjetër.
Vinsenti buzëqeshi me ironi.
-E si e bën të lumtur atë? Duke e futur në shtrat? Hëh, Herman! Nuk ta ka thënë njeri se ajo është një ndër ato pak mënyra vulgare nga ana e një mashkulli për të bërë një femër për vete?
-Dhe kush flet, ti që nuk je i zoti të bësh një femër për vete.
-E di për çfarë jam i lumtur? Që isha unë dashuria e parë e Katerinës. Dhe ti e di, dashuria e parë nuk harrohet. Ndoshta pas kësaj dhurate që i bëra, Katerina do të dojë të kthehet tek unë. Pastaj, ajo ka luhatje humori, dhe nëse ka diçka që e bën të lumtur atëherë ajo shkon pas këtij personi që e ka bërë të lumtur me atë diçka. Ti zgjodhe ta bëje Katerinën të largohej nga e shkuara, ndërsa unë zgjodhja t'i sillja një dhuratë nga e shkuara. Dhe kjo dhuratë do të jetë një ndër ato që do të ndryshojë jetën e Katerinës njëherë e përgjithmonë.

Hermanit nuk po i pëlqente aspak ky ndryshim i Vinsentit.
-Vinsent, sa më shumë që flet, aq më shumë po ngjan me babain tënd. Që kur je bërë një njeri kaq i ftohtë? Ti nuk ishe kështu dikur.
-Njerëzit ndryshojnë, Herman. Ti ndryshove fizikisht, ndërsa unë mendërisht. Të gjithë ndryshojmë.
-Edhe ndryshimi yt ka lidhje me Katerinën, apo jo? Ti e harrove për një çast, dhe tani u kujtove përsëri për të. Por tani gjërat kanë ndryshuar Vinsent. Kur ajo të donte ty, ti ike si një frikacak. Ndërsa tani, ajo është imja. Dhe gjithmonë do të jetë. Ndaj, pranoje këtë. Ajo nuk ka për t'u kthyer kurrë tek ti.
-Atë do ta shohim, Herman. Katerina mund të ndërrojë mendje nga çasti në çast. Ndoshta asaj do i ngjallet sërish dëshira për t'u kthyer tek unë. Ndoshta do të lodhet prej teje duke të dëgjuar ty që jep urdhra të prerë. Dhe do të vijë tek unë duke qarë, do të kërkojë mbështetjen time...
-Vinsent, po e tepron, - ia ktheu Hermani.
-Ndoshta... pas asaj mbështetjeje moralisht, ajo do të kërkojë diçka tjetër... ndoshta ajo dhe unë...
-Vinsent, mos e zgjat më.
-Çfarë? Nuk të pëlqen ideja? Unë dhe Katerina së bashku.
-Thjesht kur e mendoj këtë, më neveritet pamja jote. Ndaj mos e zgjat më shumë, sepse do ta pësosh keq. Nëse thua qoftë edhe një fjalë më shumë për Katerinën, atëherë do ta bëj këtë ditë të jetë e fundit për ty.

Vinsenti e vështroi sërish me ironi.
-Uh, u frikësova tani. Hermani do të më vrasë. Hahaha! Hermani do të vrasë kushëririn e tij vetëm për hir të Katerinës.
Pas kësaj që tha, ai ndieu grykën e një pistolete pas kurrizit të tij.
-Nëse nuk e bën Hermani, atëherë mund ta bëj unë. Ndaj po të paralajmëroj. Nëse nuk do që të përfundosh si babai yt apo si vëllai yt i vdekur, atëherë do bëje mirë ta qepje atë gojë të ndyrë prej njeriu. E more vesh, Vinsent Borton? - i pëshpëriti Hana në vesh.
Fytyra e Vinsentit u zbeh komplet, mori një hije gri. Hana e kuptoi që ai nuk mund të fliste më asnjë fjalë më tepër, dhe kjo e bëri të buzëqeshte.
-Hmm, bukur. Të paktën kjo të bëri të kujtosh se kush je.
-Ti... çfarë bën ti këtu? Ti sikur nuk do të ktheheshe më... - belbëzoi Vinsenti, ashtu i zbehur.
-Nuk do ta bëja, por Katerina më ftoi të kaloja Vitin e Ri. Dhe, mesa duket, paskam bërë mirë që kam ardhur. E dija që do të vije sërish këtu.

Më pas, Hana doli përballë me një krenari të palëkundur femërore.
-Vinsent, mos mendo se ta ka frikën njeri. Sepse të gjithë e dinë se çfarë njeriu je ti. Hermani ka të drejtë, ti je thjesht i dështuar në gjithçka. Ende mendon se duke bërë diçka që askush nuk arrin ta bëjë, atëherë njerëzit do të të duan, përfshirë dhe Katerinën. Çfarë mendove ti, se duke kthyer në shtëpinë e Andërllendëve të zonjën e shtëpisë, atëherë Katerina do të kthehej tek ti? Hëh, sikur ta dije se ti je i fundit që e ke bërë këtë.
Hermani e vështroi i shtangur Hanën.
-Çfarë? Ky ka sjellë në këtë shtëpi zonjën Anastasia?
-Hëh, kujton se e solli ky. Pas gjithçkaje që ndodhi, Vinsenti na kishte shkuar në Paris, dhe kishte kërkuar mamanë e Katerinës. Dhe iu lut që ajo të kthehej në shtëpi, ta bënte këtë për Katerinën. Dhe mendoi se, duke e bërë këtë, atëherë zonja Andërllend do i tregonte vajzës së saj se Vinsenti ishte treguar i zoti për ta bindur që të kthehej në shtëpi. Dhe kështu mendoi se kjo ishte mënyra më e mirë për t'i fituar zemrën sërish Katerinës.
-Oh Zot, Vinsent! Nuk të mendoja kurrë të tillë, - ia ktheu Hermani.
-Nuk ke çfarë i bën, është një Borton, ka gjakun e babait të tij, - pasoi Hana.
-Dhe ashtu ka për të qenë gjithmonë, i dështuari i familjes Borton, - një zë tjetër u dëgjua, teksa dikush doli nga dera e shtëpisë.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now