54.

100 5 3
                                    

Gjeti një tjetër fustan, kësaj radhe i kuq i ndezur dhe i shkurtër. Ai fustan ia nxirte në pah format trupore në mënyrë perfekte, ashtu siç i pëlqente Hermanit. Fustani i rrinte pas trupit. Gjatësia nuk ia kalonte gjunjët e këmbëve të saj të gjata. Ajo e veshi atë menjëherë. Veshi dhe një palë geta të errëta së bashku me takat e zeza. Shkoi para pasqyrës dhe rregulloi rimelin e syve së bashku me lapsin e syve, duke i forcuar të dyja. Leu buzët po me të kuqe të ndezur dhe i dha formën e duhur me një laps të kuq. Rregulloi flokët duke ia shtuar ondet. Dhe në fund parfumosi lëkurën e saj të bardhë.
-Oh Zot! - pëshpëriti ai.

Katerina u kthye nga ai duke buzëqeshur. Dukej si një divë e vërtetë. Hermani u ndie i mrekulluar teksa shikonte atë femër që po e bënte të dergjej i tëri pas saj. Sytë e saj nuk po shikonin asgjë më shumë se vetë qenien e Hemanit. U mendua pakëz. Pastaj shkoi në dollap dhe nxori prej aty një këmishë blu dhe një kollare të zezë.
-Këmishë blu dhe kollare e zezë. Dy nga të preferuarat e mija. Dua që t'i veshësh. Dua të të shoh veshur në to, - tha ajo teksa ia drejtoi ato me duart e veta.
-Tani, në këtë moment?
-Menjëherë.
Ai u bind. Hoqi xhaketën dhe zgjidhi papionin. Vazhdoi deri në momentin që do zbërthente këmishën...
-Ndalo! - e ndërpreu Katerina dhe iu afrua pranë. Filloi t'ia zbërthente vetë këmishën me gishtat e saj të hollë e të gjatë dhe me thonjtë e lyer po me të kuq dhe të rregulluar bukur.
-Përse luan me mua, Katerinë? - e pyeti ai, por ajo nuk i ktheu përgjigje. Ajo vazhdonte punën e vetë; i veshi këmishën blu, ia mbërtheu kopsat ngadalë, ia mbërtheu dhe kopsat e dorës, i lidhi kollaren e zezë dhe në fund nxori dhe një parfum që e kish ruajtur enkas për Hermanin. Ia sprucoi në qafë, në të cilën ai fërkoi duart.

La gjithçka tjetër dhe e përqafoi fort, duke e kredhur fytyrën e saj në qafën e tij. Nuhati vrullshëm gjithë parfumin dhe ofshau në heshtje. Ajo valë e ngrohtë ia rrëqethi lëkurën Hermanit. Sa kohë që e kish harruar se si frymënxjerrjet e Katerinës mbi lëkurën e tij e rrëqethnin të gjithin.
-Përse u ktheve, Herman? Përse e bëre këtë?
-Tashmë kam një rol të rëndësishëm në jetën tënde, Katerinë. Do të jem avokati yt përsa i përket çështjes së pasurisë.
-Jo për atë. Përse u ktheve tek unë?
Ai heshti. Por ajo insistonte.
-Dakort, e di që nuk do të më përgjigjesh. Por të paktën, më thuaj diçka.
-Çfarë të them?
-A vazhdoj të jem ende obsesioni yt, si para dhjetë vjetësh?
Ai e mbërtheu të gjithën dhe e ngriti në peshë.
-Edhe më pyet? Ti gjithmonë ke qenë obsesioni im, jo vetëm para dhjetë vjetësh por edhe kur ishim fëmijë. E ke harruar vallë sa inat më vinte të të shihja në krahët e dikujt tjetër?
-Sepse je xheloz për mua?
-Jo, unë jam krenar për ty. Faleminderit që më zgjodhe mua si shpëtimtarin e problemeve të tua. Është një nder për mua të zgjidh telashet e jetës tënde, qofshin këto normale apo të komplikuara.
Ajo buzëqeshi ëmbël teksa i shndrinin sytë për Hermanin.
-Më vjen të të puth tani.
-Mos e bëj, - i tha ai.
-Përse?
-Nuk dua të të prish buzëkuqin.
Ajo nuk u përmbajt dot dhe qeshi me të madhe. Qeshi me gjithë shpirtin e saj. Ishte kaq e lumtur.

Hermani e uli poshtë me xhentilesë.
-Seriozisht Katerinë, nuk dua të ta prish buzëkuqin sepse dukesh shumë bukur me të.
-Herman... ti nuk i reziston dot efektit që kanë buzët e mija tek ti. Je i fiksuar të më puthësh sapo të jepet momenti. Ndërsa tani po më refuzon?
-Nuk do ta bëja kurrë, nuk do të të refuzoja kurrë. Por tani nuk është momenti i duhur. Duhet të shkojmë tek të tjerët, ata nuk duhet të kuptojnë asgjë për ne të dy. Të paktën, jo për të kaluarën tonë të përbashkët.
Katerina u kujtua që ishte ende në dhomë.
-Oh dreq, ke të drejtë. Duhet të dalim nga dhoma ime.
-Kush do të dalë i pari?
-Ti. Je ti që ke hyrë në dhomën time.

Ai u bë gati të dilte, por nuk mundi. U kthye dhe njëherë nga ajo.
-Katerinë... nuk duhet të dal i veshur kështu.
-Përse?
-Sepse më kanë parë thuajse të gjithë që kam qenë i gjithi në të zeza.
-Oh... sa keq. Dukesh bukur me atë këmishë blu. Megjithatë, edhe këmisha që kishe veshur nuk të rri keq, - sytë e saj vështruan drejt tij teksa ajo buzëqeshte ëmbël.
Hermani zgjidhi kollaren, dhe filloi ta hiqte sërish këmishën blu për të veshur atë të zezën. Në momentin që po vendoste sërish papionin, Katerina iu afrua sërish.
-Më lër ta rregulloj unë.

Dhe filloi t'ia lidhte sërish me duart e saj delikate, teksa ai e vështronte i përqendruar komplet në të. Ajo rregulloi këmishën blu së bashku me kollaren dhe i futi të dyja në dollap. Ai vendosi sërish maskën në fytyrën e tij.
-Si dukem?
-Është vërtet e nevojshme të të përgjigjem për këtë?
Ai vështroi në sytë e saj të larmë.
-Do të doja shumë të rrija më gjatë këtu, sa keq që më duhet të shkoj pikërisht tani.
-Herman, duhet të shkosh tani. Nuk duhet ta kuptojë askush mungesën tënde.
-Ok, në rregull. Po shkoj. Por më parë... duhet të bëj diçka, - tha ai.
E afroi fytyrën ngjitur pas të sajës dhe e puthi në faqe.
-Tani mund të iki, - tha ai sërish, me një buzëqeshje triumfuese.
Ajo e vështroi teksa Hermani doli nga dhoma e saj. Buzëqeshi ëmbël. E dinte mirë çfarë njeriu ishte ai, dhe tundi kokën duke e menduar këtë gjë.

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now