Pas disa orësh festim, më në fund Katerina gjeti kohë të shkonte në dhomën e saj. Hapi derën e dhomës, dhe u fut brenda. U mrekullua, edhe dhoma ishte e zbukuruar me trëndafila të kuq dhe të bardhë. Kishte mes tyre edhe shumë buqeta lulesh. U afrua pranë tyre për të parë se kush ia kishte dërguar. Në pusullat e luleve gjeti shumë emra të njohur nga të afërmit e saj, nga shoqëria e saj në Nju-Jork, dhe në mesin e tyre gjeti një pusullë nga Vinsenti.
Në atë moment, në dhomën e Katerinës hyri Sharlota. Edhe ajo dukej po aq e entuziasmuar.
-Katerinë! Oh Zot, çfarë mrekullie! Dasma jote më pëlqeu shumë. Çdo gjë ishte kaq e përsosur. Dhe ti... ëëëh, Katerinë?
Fjalët i ndërpreu në mënyrë të menjëhershme. Katerina ishte përqendruar në pusullën e Vinsentit.
-Ai më uron jetë të lumtur, Sharlotë.
-Kush?
-Vinsenti. Ai nuk erdhi në dasmën time, thjesht më dërgoi këtë buqetë lulesh dhe këtë pusullë.
-Normalisht që nuk erdhi, sapo je martuar me kushëririn e tij. Ai nuk mundet ende ta pranojë shpirtërisht që e ke bërë këtë.
Katerina mori frymë thellë.
-Ke të drejtë, nga njëra anë... diçka nisa me të dhe... në fund përfundova pa të. Është mëse logjike që ai të veprojë kështu. Megjithatë tani nuk mund të kthehem pas. Kam një jetë të re për të jetuar, së bashku me bashkëshortin tim, Hermanin. Ai është shumë i këndshëm, - tha ajo teksa buzëqeshi hidhur.Sharlota u mendua pak.
-Katerinë, e ke vënë re që gjatë gjithë kohës ke qenë në një trekëndësh? Dikush duhet të dilte prej tij, dhe Vinsenti zgjodhi ta bënte këtë. Dikur u largua nga ti sepse ishte i detyruar të shkonte në Vjenë, ndërsa tani... po largohet sepse ndien një peng përbrenda vetes. Babai i tij të lëndoi me mijëra herë. Vinsenti u zhgënjye shumë nga kjo gjë, sepse babai i tij kishte lënduar një nga personat që ai donte më shumë. Dhe tani ai të uron jetë të lumtur, ai e di tashmë që Hermani nuk mundet të jetojë pa ty. E ka pranuar këtë fakt.
-Po sikur të mos e ketë pranuar?
-Atëherë do ta pranojë. Nuk mund të kesh lidhje me dy burra njëkohësisht, është krim njerëzor në radhë të parë.
Një heshtje pasoi më pas në dhomën e Katerinës, një heshtje më e heshtur se vetë heshtja. Për herë të parë po binte dakort me Sharlotën, e cila nuk kishte folur asnjëherë kaq seriozisht me Katerinën.Heshtja nuk zgjati shumë. Katerinës iu kthye humori.
-E di çfarë Sharlotë? Unë e kam zgjedhur në fund të fundit se me kë do të vazhdoj gjysmën tjetër të jetës sime. Ai është Hermani.
-Ju të dy shkoni vërtet shumë bashkë, nuk ka fjalë për t'iu përshkruar. Flasin vetë gjestet tuaja kur jeni bashkë.
-Oh, sa e ëmbël që je! Prandaj je një nga mikeshat e mija më të mira, - buzëqeshi Katerina.
Pas këtij humori të papritur që i erdhi, vazhdoi të shihte buqetat e të lexonte pusullat. Nuk mbaronin ato urime për dasmën e saj. Një pjesë e buqetave ishin edhe nga njerëz që nuk kishin mundur të vinin dot aty për shkak të largësisë.
-Ndërkohë që ti vazhdon të lexosh pusullat e buqetave, unë po dal të festoj aty jashtë, bashkë me të tjerët, - tha Sharlota dhe shkoi drejt derës së dhomës, e hapi, doli jashtë dhe e tërhoqi lehtë për ta mbyllur.
Katerina vazhdonte të lexonte me vëmendje gjithë pusullat e buqetave.Një prej buqetave ia tërhoqi vëmendjen menjëherë. Nuk ishte si të tjerat, brenda saj gjendeshin disa trëndafila të kuq të errët, gati të zinj. Rrudhi vetullat. Buzëqeshja iu zbeh. Një frikë i përshkoi lëkurën përnjëherë. Eci ngadalë drejt saj, drejt asaj buqete. Diçka po e mundonte përbrenda teksa e shikonte. Kishte një parandjenjë të çuditshme se dikush nga e kaluara e saj ia kishte dërguar. Iu kujtua menjëherë se dikur ata trëndafilë në atë ngjyrë i pëlqente vetëm dikush. Dhe ai dikush nuk ishte askush tjetër veçse mamaja e saj. Mori buqetën në dorë dhe filloi të kërkonte me sy pusullën që mund të gjendej aty, për të parë se kush ia kishte dërguar. Në fakt gjeti një zarf më të madh se pusullat e zakonshme, dhe një letër brenda tij.
Mes emocionesh të forta e hapi dhe filloi ta lexonte:
"Zonja Notlli! Tashmë më lejohet të të quaj kështu, pasi sot je martuar me Herman Notllin. Ah, se për pak harrova. Kjo buqetë është nga unë, Johana Ivanov. Domethënë nga unë, Hana, siç më njeh ti dhe gjithë banorët e Londrës.
Duhet të të them diçka, vërtet. Je shumë e zonja! Je e vetmja që arriti t'ia merrte kaq keq zemrën Hermanit, kaq tmerrshëm dhe kaq bukur. Askush më mirë se ti nuk mund ta bënte diçka të tillë. Por më duhet të të them se, përpos gjithë këtyre që ndodhën, edhe unë kam meritat e mija këtu. Isha unë që e ndihmova Hermanin të martohej me ty, martesa juaj ishte gjithashtu një plan i përsosur, i krijuar në mendjen time brilante prej ruseje. Por mos mendo se gjithçka ishte false. Dëshiroja vërtet t'iu shihja të martuar bashkë, që të dy keni qenë një katastrofë e vërtetë, dhe po të mos isha unë, asgjë s'do të kishte ndodhur. Më shumë se plan, ishte mënyra më e mirë për të të bërë ty të hiqje dorë nga hakmarrja për babain. E kuptove tashmë se ke një të shkuar të komplikuar të familjes tënde. Ndonjëherë gjërat e komplikuara mund të kenë një zgjidhje, por në disa raste jo. E them këtë sepse kam jetuar vetë një jetë të komplikuar. Të të vrasin mamanë, të të ndajnë nga babai, të ndërrosh shtet, të përfundosh në jetimore, të të mësojnë të bëhesh një vrasëse profesioniste, të bëhesh nënë në një moshë shumë të re... nuk ta merr mendja se si është.
Megjithatë le ta lemë jetën time për t'u marrë pak me tënden. Atë darkë që u zhduka, ti u bëre kurioze se ku kisha shkuar apo se ç'kisha bërë. Nëse do të më pyesësh edhe se nga e di këtë, është e pakuptimtë. Unë di gjithçka, edhe kur nuk i di përsëri i kam disa zogj vërdallë që fluturojnë mbi kokat e njerëzve. E dashur, shkova në Moskë, dhe e prezantova djalin tim me vendlindjen dhe origjinën time. Ai u përshtat lehtë aty. Duket, ka gjakun tim. U ktheva atje, në shtëpinë time të vërtetë. Njerëzit e mi kishin vite që më kërkonin, ata pak të afërm që i përkisnin Ivanovëve. Mora një rrugë tjetër në jetën time, atë që më takonte me të drejtë qëkur kisha lindur. Më pas m'u desh ta lija djalin në Moskë për tu nisur në një udhëtim të shkurtër për në Francë. Një udhëtim për në Paris. Dhe ti e di se pse kam shkuar... shkova për të takuar mamanë tënde..."***
YOU ARE READING
Andërllend (Misteri i një familjeje)
General FictionVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...