11.

157 8 10
                                    

Dhe kështu, Violeta i ndoqi të dy me sy, teksa Nensi përcillte Zedersonin. Krenaria prej asaj gruaje perfekte u zëvendësua me një fytyrë tepër të zymtuar. U ndje e çliruar për një moment që Zedersoni iku. Dhe u gjend e rrethuar vetëm nga muret e larta të shtëpisë së Andërllendëve.
"Hëh, askush përveç Andërllendëve nuk e di se çfarë ka ndodhur realisht këtu. Ne nuk jemi aspak një familje perfekte ashtu siç të gjithë mendojnë. Kjo është shtëpia e Andërllendëve, një prej familjeve më të pasura të Londrës, dhe shtëpia e një mijë e një sekreteve të errëta të së shkuarës së saj. Nëse Katerina e di se çfarë ndodhi me babain, unë jam ajo që e di se çfarë ndodhi me mamanë. Pra, secila prej nesh e ka një sekret. Dhe sekretet tona janë po aq të errëta sa gjithçka e përjetuar në të shkuarën tonë," mendoi në kokën e saj.

Eci ngadalë, dhe ngjiti sërish shkallët për në dhomën e Katerinës. Hyri brenda. Alani ishte ende aty, i ulur në karrige. Violeta mori një pamje normale, me atë buzëqeshjen e saj të zakonshme.
-Alan, më lër pak vetëm këtu. Je i lirë të shkosh tani.
-Ka vetëm disa minuta qëkur e zuri gjumi nga qetësuesi. Mos e zgjo.
-Oh jo, nuk kam ndërmend ta zgjoj. Unë dua që ajo të flejë e qetë.
Alani buzëqeshi, e puthi Violetën në ballë dhe doli nga dhoma.

Tashmë Violeta u gjend përballë motrës së saj. Zymtësia e pushtoi sërish. U afrua pranë motrës së saj, u ul në atë shtrat. I vinte keq, trishtohej brenda vetes që e shihte në atë gjendje. Filloi të lëmonte flokët e saj me dorën e djathtë. Kishte kohë që nuk e bënte diçka të tillë me të. Dhe çdo skenë e fundit, e përjetuar para se prindërit të ndaheshin, filloi t'i vinte rrotull në kokë. Kryesisht ai moment pasi prindërit ishin divorcuar, kur babai mori Katerinën për të mos e lejuar më që ajo ta takonte mamanë. Të ulëriturat e Katerinës ishin të tmerrshme. Ai moment ishte makthi më i keq i Violetës. Ajo dhe Katerina ishin së bashku me mamanë e tyre në Oksford, dhe babai erdhi për të marrë Katerinën pa dëshirën e saj. Violeta nuk mund ta duronte dot, ajo po e shihte gjithë skenën nga dritarja e dhomës së të dyjave. Donte aq shumë ta ndalonte atë që ndodhi, por nuk mundej. Nuk mund t'i dilte babait të saj përpara, tani që ai nuk ishte më ai babai i mirë dhe i dashur. Ai ishte shndërruar në një burrë të frikshëm e të panjohur për të...
Violeta u përhumb në të shkuarën e saj për një moment, dhe vështroi sërish motrën e saj që flinte aty. Çdo fjalë që filloi të mendonte, iu krijua në kokë si një ninullë.

"Fli vogëlushe, tani fli
e shkuara u zgjua përsëri
atë asgjë nuk e ndryshon
as paratë, asnjë milion.

Por ti nuk fle më e qetë
kokën tënde e pushtuan retë
sa më shumë të shkuarën ëndërron
kur zgjohesh, më keq reagon.

Ti nuk je më si më parë
Katerina e vogël është vrarë
nga një e hidhur e vërtetë
që mban mbiemrin Andërllend.

Por një ditë, të premtoj
gjithçka e hidhur do kalojë
atë ditë do të mundem sërish të shoh
Katerinën, motrën që unë njoh."

Shtrëngoi sytë fort. Dy pika lot ranë mbi shtratin e Katerinës. Violeta nuk mund të qëndronte më aty, dhe u ngrit për të dalë nga dhoma. Fshiu sytë, mori frymë thellë, duke u përpjekur të merrte sërish formën e saj të zakonshme prej gruaje krenare. Pasi u ndje e sigurt për pamjen e saj, me hapa të heshtur doli nga dhoma e motrës së saj.

Hapi sytë ngadalë, dhe vështroi se Violeta kishte ikur. Katerinës i vinte e gjithë dhoma rrotull, kështu u ngrit në gjysmë të trupit dhe fërkoi sytë. Më pas ktheu kokën në atë anë ku Violeta i ishte ulur pranë, dhe u përhumb në një moment në ato dy pika ujë mbi shtratin e saj. Ishin lotët e Violetës, e cila as nuk i vuri re se kishin rënë aty. Katerina zgjati dorën dhe i preku, dhe ra sërish mbi shtrat e përhumbur në gjithçka që po ndodhte.
-Më vjen keq Violetë, por Katerina e dikurshme ka vdekur. Ajo që njihje ti nuk jeton më. Tani Katerina kërkon vetëm të vërtetën e gjithçkaje që ndodhi në të shkuarën e saj.

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now